• недела, 29 декември 2024

Aktakuzë e re për kryetarin e Strugës, i është marrë pasaporta dhe dokumentet e tjera për kalimin e kufirit

Aktakuzë e re për kryetarin e Strugës, i është marrë pasaporta dhe dokumentet e tjera për kalimin e kufirit

Shkup, 28 dhjetor 2024 (MIA) - Prokuroria Themelore Publike e Strugës ka dorëzuar propozim në Gjykatën e Strugës për caktimin e masës së kujdesit ndaj kryetarit të Komunës së Strugës, Ramiz Merko, përkatësisht konfiskimin e dokumenteve të udhëtimit dhe dokumenteve të tjera për kalimin e kufirit shtetëror dhe detyrimin që ai të paraqitet herë pas here në gjykatë. Masat janë kërkuar për shkak të rrezikut nga ikja, duke qenë se dje Prokuroria Publike e Strugës ka ngritur aktakuzë kundër personi të njëjtë.

Siç njofton PPRMV-së, prokurori publik kompetent pas zhvillimit të procedurës paraprake ka ngritur aktakuzë për shkak se i pandehuri si kryetar i Komunës së Strugës në mars të këtij viti ka vendosur një pllakë përkujtimore në hyrje të objektit të komunës, me të cilën ka nxitur urrejtje etnike dhe përçarje ndërmjet banorëve të Strugës, me çka ka kryer veprën penale nga neni 27 i Ligjit për monumente dhe memorialë.

"Duke pasur parasysh se i pandehuri është zyrtar publik shumëvjeçar, kundër të cilit Prokuroria Publike Strugë në një periudhë të shkurtër kohore këtë vit ka ngritur disa kallëzime dhe tashmë është duke zhvilluar tetë procedura gjyqësore për veprat penale - Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar dhe Punë jo e ndërgjegjshme në shërbim, prokurori publik kompetent ka vlerësuar se ekziston rrezik real që i pandehuri të tentojë t'i shmanget ndjekjes penale", thuhet në komunikatë.

Gjegjësisht, me aktakuzën e fundit të ngritur dje, në gjykatat themelore në Strugë dhe Manastir, kundër të pandehurit do të zhvillohen gjithsej nëntë procedura aktive gjyqësore, ku secila prej tyre e kërcënon me dënim me burg.

Gjykata Themelore e Strugës e ka pranuar propozimin e prokurorisë dhe ka nxjerrë aktvendim me të cilin të pandehurit i konfiskohet pasaporta dhe është urdhëruar që një herë në javë të paraqitet në gjykatë. mb/

Foto: MIA

Тагови

Остани поврзан