• четврток, 22 август 2024

Presidentja Osmani priti në takim ndihmës sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Boris Ruge

Presidentja Osmani priti në takim ndihmës sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Boris Ruge

Prishtinë, 20 gusht 2024 (MIA) - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ndihmëssekretarin e përgjithshëm të NATO-s për Çështje të Jashtme dhe Siguri, ambasadorin Boris Ruge.

Presidentja Osmani, siç bëhet e ditur në kumtesën e Zyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës (ZPRK) ka përsëritur mirënjohjen e Kosovës për kontributin e vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, ndërsa ka ritheksuar përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në NATO. Ajo ka potencuar se Kosova është e gatshme që t’i kontribuojë unitetit transatlantik në mbrojtje të vlerave të përbashkëta të paqes, demokracisë e lirisë.

"Në takim u diskutua edhe për çështjen e hapjes së urës së Ibrit, me ç’rast, Presidentja Osmani ka përsëritur se hapja e urës si akt normalizimi e integrimi është në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie. Presidentja Osmani ka cekur rëndësinë e konsultimit dhe koordinimit në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë, veçanërisht me NATO-n, në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës", bëhet e ditur në kumtesën e ZPRK-së.

Tutje, Osmani e uroi Ruge për samitin e suksesshëm të NATO-s në Uashington D.C., ku Republika e Kosovës u përfshi për herë të parë në një sërë aktivitetesh në kuadër të samitit, me ftesë të presidentit Bajden dhe Sekretarit Blinken, e ku u riafirmua uniteti transatlantik dhe mbështetja e përbashkët për Ukrainën. fc/

Fotografia: Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës 

 

Остани поврзан