• петок, 23 август 2024

Pas Polonisë, kryeministri i Indisë udhëton për vizitë historike në Ukrainë

Pas Polonisë, kryeministri i Indisë udhëton për vizitë historike në Ukrainë

Nju Delhi, 21 gusht 2024 (MIA) - Kryeministri i Indisë, Narendra Modi i cili sot udhëton në Poloni, të premten do të vizitojë Kievin, e që është vizita e parë e një kryeministri indian në Ukrainë që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike 30 vjet më parë.

Modi sot deklaroi se do të shkëmbejë pikëpamjet për një zgjidhje paqësore të konfliktit në Ukrainë gjatë vizitës së tij në Kiev.

"Si mik dhe partner, ne shpresojmë për një rikthim të shpejtë të paqes dhe stabilitetit në rajon", deklaroi Modi para nisjes për në Evropë.

Ministria e Punëve të Jashtme të Indisë, kumtoi se konflikti i vazhdueshëm midis Rusisë dhe Ukrainës do të jetë temë qendrore e bisedimeve midis Modit dhe presidentit ukrainas Volodimir Zelenski në Kiev.

"Kjo është gjithashtu një vizitë e rëndësishme dhe historike, pasi kjo është hera e parë që një kryeministër indian viziton Ukrainën në më shumë se 30 vjet që kur vendosëm marrëdhëniet tona diplomatike", deklaroi zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Tanmaja Lal.

Vizita pritet të forcojë lidhjet e mbrojtjes ekonomike dhe teknologjike midis dy vendeve. Kjo do të jetë një mundësi për të diskutuar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë dhe sektorë të tjerë.

Modi fillimisht do të udhëtojë për Poloni, para se të bëjë udhëtimin dhjetë orësh për në Kiev përmes qytetit juglindor polak Pshemisl.

India ka mbajtur një qëndrim neutral ndaj pushtimit rus të Ukrainës, duke shmangur dënimin e drejtpërdrejtë dhe duke përsëritur angazhimin e saj ndaj diplomacisë dhe dialogut. rq/

Foto: EPA

 

Остани поврзан