• четврток, 22 август 2024

Osmani me Ndihmës-sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Ruge: Mirënjohje për kontributin e Aleancës për Kosovën

Osmani me Ndihmës-sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Ruge: Mirënjohje për kontributin e Aleancës për Kosovën

Prishtinë, 20 gusht 2024 (MIA) - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Ndihmës-sekretarin e përgjithshëm të NATO-s për Çështje të Jashtme dhe Siguri, ambasadorin Boris Ruge, me ç'rast e theksoi mirënjohjen e Kosovës për kontributin e përhershëm të NATO-s për Kosovën.

Osmani ka përsëritur mirënjohjen e Kosovës për kontributin e vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, ndërsa ka ritheksuar përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në NATO. Ajo ka potencuar se Kosova është e gatshme që t’i kontribuojë unitetit transatlantik në mbrojtje të vlerave të përbashkëta të paqes, demokracisë e lirisë.

“Në takim u diskutua edhe për çështjen e hapjes së urës së Ibrit, me ç’rast, Presidentja Osmani ka përsëritur se hapja e urës si akt normalizimi e integrimi është në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie. Presidentja Osmani ka cekur rëndësinë e konsultimit dhe koordinimit në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë, veçanërisht me NATO-n, në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës”, njofton zyra për informim e Presidencës së Kosovës.

Gjithashtu bëhet e ditur se Osmani e ka uruar Rugen për samitin e suksesshëm të NATO-s në Uashington, ku Kosovës u përfshi për herë të parë në një sërë aktivitetesh në kuadër të samitit, me ftesë të presidentit Bajden dhe sekretarit Blinken, e ku u riafirmua uniteti transatlantik dhe mbështetja e përbashkët për Ukrainën. mb/

Остани поврзан