• сабота, 09 ноември 2024

Miratohet Strategjia fiskale 2025-2029 dhe Strategjia për menaxhim të Borxhit publik

Miratohet Strategjia fiskale 2025-2029 dhe Strategjia për menaxhim të Borxhit publik

Shkup, 2 tetor 2024 (MIA) - Ministria e Financave i përgatiti, ndërsa Qeveria në seancën e fundit miratoi Strategjinë Fiskale për periudhën 2025-2029 dhe Strategjinë e Menaxhimit të Borxhit Publik për periudhën 2025-2027 me perspektivë deri në vitin 2029. Këto janë dokumente strategjike që përshkruajnë rrugën afatmesme në të cilën do të ecë politika fiskale.

“Planifikimi i tillë afatmesëm mundëson parashikueshmëri dhe transparencë më të madhe në krijimin e politikave. Qëllimi i politikës fiskale në përputhje me strategjinë e miratuar në periudhën e përcaktuar është përmirësimi i stabilitetit makroekonomik dhe përkrahja e aktivitetit ekonomik. Kjo do të arrihet përmes konsolidimit gradual fiskal, përmirësimit të menaxhimit të financave publike dhe mbajtjes së nivelit të lartë të shpenzimeve kapitale. Njëkohësisht, do të vazhdojë edhe përkrahja e ekonomisë, duke investuar në projektet infrastrukturore, ridizajnimin e strukturës së financave publike, ku do të dominojë niveli i lartë i shpenzimeve kapitale dhe përforcimi i transparencës dhe llogaridhënies” theksoi ministrja e Financave, Gordana Dimitreska Koçoska dhe shtoi se fokusi do të jetë mbi uljen e ekonomisë joformale, dhe rritjen e arkëtimit të të hyrave në buxhetin shtetëror.

Në periudhë afatmesme, me politikën fiskale parashihet konsolidim gradual fiskal, me qëllim uljen e deficitit buxhetor si përqindje në PBB. Gjithashtu, do të ndërmerren masa për konsolidimin fiskal, me qëllim arritjen e nivelit të moderuar të borxhit.

Njëkohësisht me strategjinë e miratuar të menaxhimit të borxhit publik në afat të mesëm, përcaktohet korniza për veprimin e Qeverisë në drejtim të menaxhimit prudent të borxhit publik shtetëror, duke arritur qëllimet e politikës për menaxhimin e borxhit publik për financimin e nevojave shtetërore me shpenzime sa më ulëta të mundshme, identifikimin për ndjekjen dhe menaxhimin e risqeve, zhvillimin dhe mirëmbajtjen efikas të tregut të brendshëm financiar.

Qëllimi kryesor në menaxhimin e borxhit publik është të mundësojë që nevojat dhe detyrimet financiare të financimeve shtetërore të kryhen me shpenzime sa më të ulëta në periudhë afatmesme dhe afatgjatë, me nivel risku të pranueshëm. Me qëllim mbajtjen e nivelit të borxhit publik brenda kornizave të qëndrueshme, pa dëmtuar qëndrueshmërinë fiskale, me këtë strategji përcaktohen limitet e përgjithshme të borxhit publik në periudhë afatmesme dhe afatgjatë. Sipas projeksioneve, në fund të vitit 2024 ai do të mbërrij në nivel prej 66.4%, ndërsa në vitet e ardhshme do të ulet gradualisht si rezultat i konsolidimit fiskal gradual dhe në vitin 2029 do të jetë nën limitin e përcaktuar prej 60% të PBB-së. Gjithashtu, për të reduktuar riskun e vlerës së garancive të lëshuara, përcaktohet  kufiri i garancive të lëshuara dhe theksi vihet në projekte që janë të vetëqëndrueshme dhe gjenerojnë të ardhura, përkrahin rritjen ekonomike dhe mundësojnë konkurrencë më të madhe të ekonomisë vendore në periudhë afatmesme.

Qëllimi kryesor i menaxhimit të borxhit publik sipas strategjisë është të mundësojë që nevojat dhe detyrimet financiare të financimeve shtetërore të realizohen me shpenzime sa më të ulëta. Njëkohësisht, një ndër synimet kryesore në menaxhimin e borxhit publik është mundësia e zhvillimit të tregut vendor të letrave me vlerë të qeverisë, me ç’rast do të krijohen kushte për uljen e riskut të rifinancimit të borxhit, rezistencën ndaj goditjeve të jashtme dhe sigurimin e qëndrueshmërisë afatgjate të borxhit.

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

 


 

Остани поврзан