• петок, 10 јануари 2025

Filipçe: Dënoj deklaratat irredentiste të Kostadinovit, pres reagim të Sofjes zyrtare dhe BE-së

Filipçe: Dënoj deklaratat irredentiste të Kostadinovit, pres reagim të Sofjes zyrtare dhe BE-së

Shkup, 9 janar 2025 (MIA) - Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, dënon, siç thotë, deklaratat irredentiste të kryetarit të partisë së ekstremit të djathtë "Rilindja" të Bullgarisë, Kostadin Kostadinov dhe kërkon reagim dhe dënim nga Sofja dhe nga Bashkimi Evropian.

"Dënoj ashpër deklaratat irredentiste të liderit të partisë së ekstremit të djathtë bullgar 'Rilindja', Kostadin Kostadinov, me çka ai cenon sovranitetin dhe dinjitetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe mohon identitetin e veçantë etnik maqedonas. Mohimi i veçantisë së gjuhës, identitetit dhe historisë maqedonase paraqet shkelje të drejtpërdrejtë të parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe vlerave themelore të Bashkimit Evropian", thekson Filipçe.

Ai bën thirrje dhe pret që Sofja zyrtare të distancohet qartë dhe pa mëdyshje nga deklaratat e Kostadinovit që sipas tij, janë në kundërshtim me vlerat evropiane dhe parimet e fqinjësisë së mirë.

"I bëj thirrje Bashkimit Evropian që qartë ta dënojë këtë qëndrim që minon të drejtat universale të njeriut dhe vlerat evropiane dhe të tregojë se deklaratat e tilla nuk kanë vend në BE", ka thënë Filipçe.

Kryetari i LSDM-së pret nga Qeveria e Maqedonisë që urgjentisht të shpallë masa konkrete për të parandaluar deklarata dhe aktivitete të tilla irredentiste dhe të ndërmarrë hapa për mbrojtjen e dinjitetit dhe interesave kombëtare të Maqedonisë.

“Çdo përpjekje për të mohuar veçantinë e Maqedonisë është e papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat evropiane të respektimit të diversitetit”, ka thënë Filipçe.

Lideri i partisë ultranacionaliste dhe ekstremit të djathtë "Rilindja" të Bullgarisë, Kostadin Kostadinov sot i ka bërë thirrje qeverisë në Sofje që zyrtarisht të shpallë pretendimet për bashkimin e Maqedonisë dhe rajonit ukrainas të Besarabisë Jugore drejt Bullgarisë.

Në një postim në rrjetin social Fejsbuk, Kostadinovi ka mbështetur deklaratat e presidentit të sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Tramp për Kanadanë dhe Kanalin e Panamasë dhe thekson se Sofja duhet të dalë publikisht edhe me kërkesë për aneksimin e Maqedonisë dhe Besarabisë Jugore drejt Bullgarisë.

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

 

Тагови

Остани поврзан