Filipçe: BDI është simbol i korrupsionit dhe përçarjeve, LSDM distancohet qartë
- Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe e refuzoi mundësinë për lidhje me BDI-në dhe e theksoi nevojën për politika që bashkojnë, e jo, siç thotë, që përçajnë.
Shkup, 9 janar 2025 (MIA) - Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe e refuzoi mundësinë për lidhje me BDI-në dhe e theksoi nevojën për politika që bashkojnë, e jo, siç thotë, që përçajnë.
"LSDM-ja nuk do të lejojë më kurrë që të vendoset në të njëjtën kornizë apo të jetë në vartësi të ndonjë partie, veçanërisht jo të BDI-së. Stigma e korrupsionit që ka mbartur prej vitesh kjo parti është diçka nga e cila ne distancohemi qartë dhe pa mëdyshje. Retorika e tyre dhe ngritja e vazhdueshme e tensioneve etnike si mjet për veprim politik është e papranueshme dhe e rrezikshme. Politikat e tilla nuk kanë vend në shoqërinë tonë multietnike, deklaroi Filipçe në një intervistë për “Nezavisen”.
Ai akuzoi BDI-në për praktika politike që pengojnë përparimin e Maqedonisë. "BDI vazhdon me këto praktika, ndërsa VMRO-DPMNE vetëm përfiton dhe e ndez situatën. Edhe pse publikisht i dënojnë dhe pretendojnë se janë në konflikt, bashkëpunimi i tyre informal është më se i dukshëm. Votimet e mëparshme të përbashkëta në Kuvend, si dhe arratisja misterioze e Artan Grubit, për të cilën morëm shpjegime qesharake nga MPB-ja, vetëm sa konfirmojnë dyshimet se kanë marrëveshje prapaskenike", tha Filipçe.
Kryetari i LSDM-së Filipçe theksoi se ky bashkëpunim krijon jostabilitet politik dhe prish marrëdhëniet ndëretnike. "Ngjarjet e fundit, si incidentet në Ditën e Flamurit shqiptar, janë rezultat i drejtpërdrejtë i kësaj politike përçarjeje dhe provokimi. Kjo nuk është rruga që duhet të ndjekë Maqedonia. Në vend që të flasim për progres ekonomik, integrim në BE dhe jetë më të mirë për qytetarët, ne vazhdimisht i kthehemi temave që krijojnë tensione dhe konflikte", deklaroi Filipçe.
Lidhur me bashkëpunimin e ardhshëm me partitë shqiptare, Filipçe nënvizoi se ai do të bazohet në vlerat e përbashkëta dhe transparencën. "LSDM do të punojë me partitë që ndajnë përkushtimet tona për transparencë, reforma dhe ndërtim të politikave që bashkojnë qytetarët dhe jo përçajnë ata. Ne nuk do të lejojmë që çështjet etnike të përdoren si mjet për të mbuluar korrupsionin apo paaftësinë, përfundoi Filipçe. ls/
Foto: LSDM