• сабота, 08 февруари 2025

Angellovska-Bezhoska: Rezervat devizore janë më të larta në krahasim me periudhën para pandemisë

Angellovska-Bezhoska: Rezervat devizore janë më të larta në krahasim me periudhën para pandemisë

Shkup, 8 shkurt 2025 (MIA) - Niveli i rezervave devizore në fund të vitit të kaluar arriti në pesë miliardë euro dhe janë më të larta për rreth 50% se në periudhën para pandemisë.

Guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoska gjatë pjesëmarrjes në emisionin “Brifingu i mëngjesit” në “Sllobodna TV”, theksoi se rezervat devizore janë faktori më i rëndësishëm për ruajtjen e stabilitetit të valutës vendase dhe se në periudhën e kaluar, përkundër krizave, janë rritur pothuajse vazhdimisht, si garanci për ruajtjen e kursit devizor.

Angellovska-Bezhoska ka thënë se rritja e rezervave devizore është për shkak të blerjes së devizave nga banka qendrore në tregun devizor i cili pothuajse vazhdimisht ka ndodhur që nga mesi i vitit 2023.

"Në total, gjatë dy viteve të fundit, ne si bankë qendrore kemi blerë 750 milionë euro në tregun devizor, që në tërësi ka kompensuar shumën që u përdor për ndërhyrje në tregun devizor gjatë pandemisë dhe gjatë goditjes energjetike. E gjithë kjo flet qartë për vendosjen e mekanizmave të fuqishëm mbrojtës nga rreziqet dhe goditjet e mundshme në të ardhmen, krejt kjo për të ruajtur edhe më tej stabilitetin e kursit të valutës vendore", ka thënë Angellovska-Bezhoska.

Guvernatorja thekson gjithashtu se investimet e huaja direkte padyshim kanë një kontribut pozitiv në rritjen e rezervave devizore.

“Në periudhën para pandemisë, investimet e huaja direkte arritën në rreth 3,5% të BPV-së, mesatarisht, pas ngadalësimit gjatë pandemisë, pasoi një proces i rimëkëmbjes graduale, ndërsa vitin e kaluar gjatë tre tremujorëve të parë arriti në 5% të BPV-së që është një nivel solid sipas parametrave historikë”, theksoi Angellovska-Bezhoska. Ajo shton se investimet e huaja direkte nuk janë të rëndësishme vetëm për rritjen e potencialit valutor në ekonominë tonë, por në përgjithësi për ciklin e investimeve dhe për rritje më të shpejtë të nivelit të të ardhurave e cila fatkeqësisht te ne është ende e ulët.

Angellovska-Bezhoska theksoi se për realizimin e rritjes më të lartë ekonomike me rëndësi është mbështetja solide kreditore për qytetarët dhe kompanitë nga sektori bankar, stabiliteti dhe kapaciteti kreditues i të cilëve është forcuar edhe përkundër periudhës së krizës, ndërsa kapitali është më i lartë në dy dekadat e fundit. Kjo, ndër të tjera është për shkak të masave të ndërmarra nga banka qendrore. Guvernatorja theksoi se rol të rëndësishëm në rritjen e investimeve luan rritja e kreditimit të gjelbër e cila në vitet e fundit është dyfishuar nga 2,2% në 4,4%", thonë nga Banka Popullore. 

Foto: BPRMV

Остани поврзан