• e premte, 17 maj 2024

Gerapetritis: Shpresoj se nuk do të ketë ndryshim në politikën e jashtme në Maqedoninë e Veriut

Gerapetritis: Shpresoj se nuk do të ketë ndryshim në politikën e jashtme në Maqedoninë e Veriut

Athinë, 9 maj 2024 (MIA) - Shpresë se Qeveria e re e VMRO-DPMNE-së nuk do të bëjë ndryshime në politikën e jashtme, por edhe se vendi do ta vazhdojë rrugën e tij evropiane, shprehu shefi i diplomacisë greke, Jorgos Gerapetritis në intervistën për radion greke "Skaj", informon korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, duke folur për zgjedhjet e djeshme te ne, tha se nga afër e ndjekin zhvillimin e ngjarjeve dhe theksoi se janë të gatshëm për të gjitha skenarët.

"Nga ana tjetër, shpresoj se nuk do të ketë ndryshime në politikën e jashtme, por edhe në temat e brendshme të Maqedonisë së Veriut. Kemi një fitore bindëse në VMRO. Agjenda e tyre parazgjedhore ishte e fokusuar edhe në çështjen e Marrëveshjes së Prespës dhe se sa Marrëveshja e Prespës paraqet zgjidhje dinjitoze për qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Për këtë rast dua të them si vijon: Demokracia e Re si opozitë ngriti pikat gri të Marrëveshjes. Nga ana tjetër, me ardhjen në pushtet ne kemi detyrim politik dhe ligjor jo vetëm të respektojmë Marrëveshjen e Prespës, por edhe të sigurojmë zbatimin konsekuent të saj, diçka që bazohet në vetë Kushtetutën tonë", shpjegoi Gerapetritis.

Paralelisht shtoi se marrëveshjet të cilat ratifikohen nga parlamentet "mbizotërojnë mbi çdo dispozitë të kundërt me ligjin", që sipas tij, në praktikë nënkupton se "çkado që dëshiron Greqia, çkado që dëshiron Maqedonia e Veriut, nuk munden njëanshëm ta ndryshojnë Marrëveshjen e Prespës".

"Gjegjësisht, nuk mund të ketë ligj të brendshëm dhe ta shqyrtojë ose anulojë Marrëveshjen. Domethënë të gjithë jemi të detyruar që ta respektojmë atë për çka jemi marrë vesh. Edhe pse para zgjedhjeve me të vërtetë ekzistonin retorika të caktuara, unë ndjej se klima nuk do të dëmtohet dhe me arsye shtesë që Marrëveshja e Prespës përfaqëson parakusht formal për rrugën integruese të Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian, diçka që mendoj se nuk kontestohet si qëllim kryesor i vendit fqinj", theksoi shefi i diplomacisë greke. 

Për perspektivën evropiane, si të vendit tonë, ashtu edhe të gjithë rajonit, edhe një herë e përsëriti mbështetjen greke, sepse, siç tha, vlerësojnë se në këtë mënyrë vendosen paqja dhe siguria në rajonin më të gjerë, por edhe shtoi se "konkretisht për Maqedoninë e Veriut problemi i madh që ekziston tani, nuk është aq çështja me Greqinë dhe Marrëveshjen e Prespës, sa është me rëndësi çështja me Bullgarinë". 

"Përfshirja e pakicës bullgare në Kushtetutë, njëjtë si edhe Marrëveshja e Prespës përfaqëson parakusht për progresin e proceseve integruese, prandaj në këtë moment Maqedonia e Veriut me Qeverinë e re dhe presidenten e re do të gjenden para dilemave të rëndësishme. Besimi dhe shpresa ime është se vendi fqinj do ta vazhdojë rrugën e tij evropiane dhe nuk do të ketë ringjallje të nacionalizmit dhe problemeve nga e kaluara", theksoi ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, në intervistën për radion "Skaj". fc/

 

QËNDRONI TË LIDHUR