• e diel, 22 dhjetor 2024

Refuzohet ankesa e “Frontit evropian” për vendvotimin 1202 në Krushevë, Administrativja duhet të vendosë edhe për 4 nga 7 ankesat

Refuzohet ankesa e “Frontit evropian” për vendvotimin 1202 në Krushevë, Administrativja duhet të vendosë edhe për 4 nga 7 ankesat

Shkup, 17 maj 2024 (MIA) - Gjykata administrative sot hodhi poshtë si të pabazë ankesën e koalicionit "Fronti evropian" ndaj vendimit të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) për pranimin e ankesës së koalicionit "Maqedonia juaj" për vendvotimin 1202 në Krushevë në zgjedhjet parlamentare 2024.

Kjo është ankesa e tretë e refuzuar, pas dy vendimeve të mëparshme të Administratives ku janë refuzuar si të pabaza ankesat për vendvotimin 1194 në Komunën e Krushevës dhe vendvotimin 1470 në Dollnen.

Në rrjedhë janë seancat publike për vendvotimin 2101 në Zhelinë dhe 1844 në Strugë.

Në orën 20:30 duhet të fillojë seanca publike për ankesën për vendvotimin 1272 në Ohër, ndërsa në orën 22:30 për vendvotimin 1470/1 në Dollnen.

Koalicioni “Fronti evropian” ka ngritur shtatë ankesa kundër vendimeve të KSHZ-së për zgjedhjet parlamentare të vitit 2024. Për të gjitha u formuan lëndë dhe u caktuan seanca publike gjatë ditës së sotme.

KSHZ-ja në seancën e 104-të ka shqyrtuar ankesat e partive politike pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 8 majit. Nga gjithsej 27 ankesa të paraqitura - nëntë nga koalicioni "VLEN" tetë nga VMRO-DPMNE-ja, pesë nga LSDM-ja dhe katër nga E Majta, janë pranuar shtatë dhe atë gjashtë në Njësinë e pestë zgjedhore dhe një në njësinë e gjashtë zgjedhore.

Në Njësinë zgjedhore 5 janë pranuar ankesat për vendvotimin 1272 në Ohër, 1194 dhe 1202 në Krushevë, 1844 në Strugë, 1470 dhe 1470/1 në Dollnen. Në vendvotimin në Njësinë 6 është pranuar një ankesë për vendvotimin 2101 në Zhelinë.

Sipas rezultateve të para zyrtare për zgjedhjet parlamentare të shpallura nga KSHZ-ja, koalicioni "Maqedonia juaj" udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja ka fituar 58 mandate të deputetëve, ndjekur nga koalicioni "Fronti Evropian" i udhëhequr nga BDI me 19 mandate të deputetëve, koalicioni për "Ardhmëri evropiane" të udhëhequr nga LSDM me 18, koalicioni "VLEN" me 13, ndërsa Lëvizja ZNAM dhe "E Majta" nga gjashtë mandate të deputetëve. 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR