• петок, 02 јануари 2026

Të papunët, studentët, nxënësit dhe pensionistët do të mund të punësohen pa humbur të drejtat e tyre të fituara tashmë

Të papunët, studentët, nxënësit dhe pensionistët do të mund të punësohen pa humbur të drejtat e tyre të fituara tashmë

Shkup, 2 janar 2026 (MIA) - Formalizimi i 17.400 vendeve të punës pritet me Ligjin për punësimin e personave, i cili hyri në fuqi dje, dhe i cili mundëson punësimin e punonjësve, të papunëve, studentëve, nxënësve dhe pensionistëve, pa humbur të drejtat e tyre tashmë të fituara. Zgjidhja e re ligjore paralajmërohet si një reformë themelore në mënyrën e punësimit të rastësishëm dhe sezonal të punëtorëve dhe luftën kundër ekonomisë gri.

"Në fazën e parë, siç informoi ministri, janë përfshirë veprimtaritë ku ekonomia gri është më e theksuar – bujqësia, pylltaria, peshkimi, objektet akomoduese, veprimtaritë e shërbimit të ushqimit dhe veprimtaritë në amvisëri. Sipas analizave të kryera, zbatimi i ligjit pritet të formalizojë deri në 12,000 punëtorë sezonalë në bujqësi dhe rreth 5,400 punëtorë të padeklaruar në turizëm, hotelieri dhe shërbime", tha sot në një konferencë për shtyp ministri i Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishi.

Pavarësisht masave nga Plani operativ i punësimit, ministri theksoi se njerëzit mbeten jashtë rrjedhave formale, prandaj u miratua Ligji për punësimin e personave si një reformë themelore në mënyrën e punësimit të përkohshëm dhe sezonal të punëtorëve.

"Me këtë ligj, vendoset model më fleksibël dhe të thjeshtuar për punësimin legal të fuqisë punëtore, me kornizë të qartë juridike dhe procedura elektronike për lajmërim, çlajmërim dhe arkëtim të kontributeve. Durmishi theksoi se Ligji mundëson angazhimin me punë e të punësuarve, të papunëve, studentëve, nxënësve dhe pensionistëve, pa humbur me këtë rast të drejtat e tyre tashmë të përvetësuara. Përfituesit e ndihmës minimale të garantuar nuk i humbasin të drejtat e tyre sociale dhe të fëmijëve, të papunët nuk fshihen nga evidencat dhe nuk i humbasin përfitimet e tyre në para, pensionistët nuk e humbasin të drejtën e pensionit, ndërsa studentët dhe nxënësit i ruajnë të drejtat e tyre nga sistemi arsimor", tha Durmishi.

Ai theksoi se reforma sjell përfitime edhe për punëtorët edhe për punëdhënësit. Punëdhënësit fitojnë fleksibilitet dhe procedura administrative të thjeshtuara, ndërsa punëtorët marrin pagesë me orë, kontribute për pension dhe sigurim invaliditeti, kontribute shtesë për sigurimin shëndetësor të detyrueshëm në rast të lëndimit në punë ose sëmundjes profesionale, si dhe mbrojtje të qartë ligjore të të drejtave të tyre. Në këtë mënyrë, thotë Durmishi, ata krijojnë kushte më të drejta dhe më transparente në tregun e punës.

Sipas Durmishit, formalizimi i ekonomisë gri është një nga përcaktimet më të larta strategjike të Qeverisë dhe segment kyç i agjendës reformuese, meqë ndikon drejtpërdrejt në rritjen ekonomike, stabilitetin e financave publike dhe mbrojtjen e punëtorëve.

Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës, në vitin 2024 në vend tregojnë rreth 694.000 të punësuar, nga të cilët përafërsisht 85.000 kanë qenë të angazhuar në mënyrë informale, gjë që, siç theksoi ai, paraqet sfidë serioze që kërkon zgjidhje sistemore, e jo ad-hok.

Ministri i Ekonomisë tha në konferencën për shtyp se Ligji për mbështetjen financiare për investimet, i cili ka qenë gjithashtu në fuqi që nga 1 janari i këtij viti, është një instrument i fortë për stimulimin e rritjes ekonomike, rritjen e konkurrueshmërisë dhe krijimin e vendeve të reja të punës cilësore. Me këtë ligj, shteti ofron mbështetje financiare për kompanitë që investojnë, arrijnë rritje të të ardhurave dhe ruajnë stabilitetin e punësimit.

"Mbështetja është e drejtuar drejt punësimeve të reja me paga më të larta, me ç'rast kompanitë mund të marrin deri në 20 përqind të pagës neto të paguar, përkatësisht deri në 4.400 euro në vit për person, si dhe mbështetje të konsiderueshme për kërkim dhe zhvillim, deri në 50 përqind të kostove të pranueshme dhe një shumë maksimale prej 1 milion eurosh. Në këtë mënyrë, ne inkurajojmë transformimin e ekonomisë drejt produktivitetit më të madh dhe vlerës së shtuar", informoi Ministri Durmishi.

Kombinimi i këtyre dy ligjeve, nënkupton njëkohësisht luftimin e ekonomisë gri dhe mbështetjen aktive të ekonomisë formale. Ky është një sinjal i qartë se shteti po krijon një klimë biznesi të qëndrueshme, të parashikueshme dhe të drejtë, me më shumë vende pune formale, siguri më të madhe për punëtorët dhe mbështetje të fortë për kompanitë që investojnë dhe kontribuojnë në rritjen e ekonomisë së Maqedonisë", tha ministri i Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishi. sa/

foto: MIA 

Остани поврзан