Mickoski: Po avancojnë projektet hekurudhore, pres që tenderi për Segmentin 3 të shpallet këtë vit
- - Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, lidhur me rrjedhën e modernizimit të hekurudhave, deklaroi se projektet në infrastrukturën hekurudhore shënojnë përparim të dukshëm, me fokus në Korridoret 8 dhe 10, modernizimin e linjave ekzistuese dhe zhvillimin e linjave të reja hekurudhore më të shpejta.
Shkup, 2 janar 2026 (MIA)- Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, lidhur me rrjedhën e modernizimit të hekurudhave, deklaroi se projektet në infrastrukturën hekurudhore shënojnë përparim të dukshëm, me fokus në Korridoret 8 dhe 10, modernizimin e linjave ekzistuese dhe zhvillimin e linjave të reja hekurudhore më të shpejta.
“Sa i përket projekteve në hekurudhë, mund të them se jam jashtëzakonisht i kënaqur me mënyrën se si po përparojnë. Do t’ju rikujtoj se, pas atij ngërçi që ekzistonte me segmentin tre të Korridorit 8 dhe linjën hekurudhore që lidh konkretisht Kumanovën me Kriva Pallankën dhe pikën kufitare me fqinjin tonë lindor, Bullgarinë dhe ato do të thoja mospërputhje fillestare u tejkaluan. Nënshkruam marrëveshje me fqinjin tonë lindor, Brukseli doli me mbështetje për ndërtimin e këtij tuneli që duhet t’i lidhë dy linjat hekurudhore, përkatësisht linjën nga fqinji ynë lindor dhe linjën tonë dhe pres që këtë vit, gradualisht por me siguri, të shpallet tenderi për ndërtimin e të ashtuquajturit seksioni tre. Sepse pjesën e parë, nga Kumanova deri në Belakovcë, e kemi vënë në funksion, të dytën, që po ndërtohet nga Belakovca deri në Kriva Pallankë dhe e treta, nga Kriva Pallanka deri në hyrje të atij tuneli. Ky është një projekt që po e zhvillojmë përpara. Në takimin tim të fundit në Bruksel, si në pjesën punuese ashtu edhe në atë joformale, kërkova mjete për modernizimin e linjës hekurudhore që është gjithashtu pjesë e Korridorit 8 e cila lidh Shkupin me Kërçovën, në aspektin e ndërrimit të shinave dhe elektrifikimin e së njëjtës”, tha Mickoski.
Kryeministri theksoi se po zhvillohet edhe projekti për hekurudhën e shpejtë në Korridorin 10, e cila duhet të lidhë Tabanocën me Bogorodicën. Aty trenat e udhëtarëve do të qarkullojnë me shpejtësi deri në 200 km/orë, ndërsa trenat e mallrave deri në 120 km/orë. Ai nuk e përjashtoi as vlerën dhe përfitimet e projektit “treni urban”.
“Njëkohësisht e zhvillojmë edhe projektin për hekurudhën e shpejtë në Korridorin 10 e cila duhet të lidhë Tabanocën dhe Bogorodicën. Aty trenat e udhëtarëve do të qarkullojnë me shpejtësi deri në 200 km/orë, ndërsa ata të mallrave deri në 120 km/orë. Do të jetë me dy binarë. Kjo është pjesë e projektit me Mbretërinë e Bashkuar. Tashmë po përpunohen studimet e fizibilitetit dhe studimi për ndikimin socio-ekonomik në mjedisin, si dhe, do të thoja, ndikimin mbi parametrat ekologjike. Pres që kjo të përfundojë deri në fund të verës dhe që nga vjeshta të fillojmë gradualisht, por me siguri, të flasim për vendosjen e gurthemelit", ka thënë ai.
Ndërkohë, shton, kemi pasur një thirrje për përzgjedhjen e financuesit. Kemi një ofertë jo detyruese, e cila është afërsisht e përcaktuar.
"Duhet së pari të fillojmë bisedimet dhe negociatat për detajet, por na duhen parametrat nga këto studime fizibiliteti për të cilat fola më herët. Prandaj pres që edhe ky projekt të vihet në lëvizje. Njëkohësisht po përparon edhe i ashtuquajturi ‘treni urban’, projekt me vlerë, në fazën e parë, prej gjashtë milionë eurosh, rreth 360 milionë denarë, me të cilët nga krahu lindor i kryeqytetit, me lokomotivë elektrike, përkatësisht me tren elektrik, do të arrihet deri në qendrën e qytetit. Para pak ditësh nënshkruam marrëveshje për blerjen e pesë lokomotivave elektrike, në vlerë prej 21 milionë eurosh”, shpjegoi kryeministri.