• недела, 23 февруари 2025

Tramp: Do të ketë "lajme të mira nga Lindja e Mesme"

Tramp: Do të ketë

Uashington, 22 shkurt 2025 (MIA) - Presidenti amerikan, Donald Tramp, mbrëmë ka njoftuar se së shpejti do të ketë "lajme të mira nga Lindja e Mesme", pa dhënë detaje konkrete, transmeton agjencia Anadollu.

"Ne kishim një president të paaftë që na çoi në kaos. E njëjta gjë ndodhi në Lindjen e Mesme", tha Tramp, duke aluduar për paraardhësin e tij Xho Bajden. Më pas ai shtoi: "Do të kemi lajme të mira nga Lindja e Mesme".

Ai gjithashtu vlerësoi se presidentët e Ukrainës dhe të Rusisë, Volodimir Zelenski dhe Vladimir Putin, në fund do të duhet të negociojnë.

"Mendoj se presidenti Putin dhe presidenti Zelenski do të duhet të ulen së bashku, sepse e dini çfarë? Duam të ndalojmë vrasjen e miliona njerëzve", u tha Tramp gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

"Mijëra ushtarë vriten çdo ditë. Teksa flasim, ata po vdesin. Kjo është arsyeja pse unë dua të shoh armëpushim. Dua të arrij një marrëveshje. Mendoj se kemi një shans për të arritur një marrëveshje. Më duhej të isha i sigurt se Rusia e dëshironte atë. Kjo është një luftë që nuk duhet të kishte ndodhur kurrë", shtoi ai.

I pyetur nga gazetarët në lidhje me një marrëveshje të propozuar sipas së cilës SHBA-ja do të merrnin një pjesë të të drejtave të minierave të Ukrainës në këmbim të ndihmës së vazhdueshme ushtarake, Tramp tha: "Mendoj se jemi shumë afër".

"Ata ndihen mirë për këtë dhe kjo është e rëndësishme. Është një punë e madhe, por ata e duan atë dhe kjo na mban në vendin e tyre. Ata janë shumë të lumtur për këtë, por ne i marrim paratë tona. Kjo duhet të ishte nënshkruar shumë më herët", tha Tramp.

Ai gjithashtu mohoi pretendimet e gazetës franceze Le Point se do të vizitonte Moskën në maj. mb/

Foto: EPA

Остани поврзан