Nuk ka më nevojë të shkohet në Drejtorinë doganore për vërtetime për borxh doganor, Regjistri qendror me një klikim i merr këto të dhëna në mënyrë elektronike
- Vërtetimet në letër për borxh doganor (pagesat doganore) të cilat nevojiten për regjistrim dhe ndryshim të subjektit juridik, bëhen e kaluar. Regjistri qendror me vetëm një klikim, elektronik, i merr këto të dhëna nga Drejtoria e doganave, që për ndërmarrjet dhe qytetarët do të thotë kursim të kohës dhe resurseve. Në të njëjtën kohë, mundësohet siguria, integriteti dhe saktësia e të dhënave të siguruara, me çka veprohet edhe në drejtim të pengimit të mashtrimeve të mundshme.
Shkup, 12 dhjetor 2025 (MIA) - Vërtetimet në letër për borxh doganor (pagesat doganore) të cilat nevojiten për regjistrim dhe ndryshim të subjektit juridik, bëhen e kaluar. Regjistri qendror me vetëm një klikim, elektronik, i merr këto të dhëna nga Drejtoria e doganave, që për ndërmarrjet dhe qytetarët do të thotë kursim të kohës dhe resurseve. Në të njëjtën kohë, mundësohet siguria, integriteti dhe saktësia e të dhënave të siguruara, me çka veprohet edhe në drejtim të pengimit të mashtrimeve të mundshme.
Këtë e kumtuan sot drejtorët e Drejtorisë doganore dhe Regjistrit qendror, Boban Nikollovski dhe Anita Stamnova, të cilët në konferencë për shtyp informuan për lidhjen elektronike të dy institucioneve.
Siç tha Nikollovski, deri tani, çdo vit lëshoheshin 7.000 deri në 9.000 vërtetime në letër për borxhin doganor, që do të thoshte pesë deri në dhjetë ditë përpunimi të çdo kërkese dhe një ngarkesë administrative për kompanitë dhe qytetarët në të gjithë vendin.
"Nuk ka më nevojë të shkohet në Doganë për vërtetime për borxhin doganor, Regjistri qendror i shikon ato në mënyrë elektronike me një klikim. Tani qytetarët nuk do të duhet të vijnë më personalisht në Drejtorinë qendrore në Shkup ose të punësojnë avokatë që do të kryejnë këto shërbime në emër dhe llogari të tyre. Me këtë hap, ne demonstrojmë qartë angazhimin tonë për të krijuar kushte më të mira për të bërë biznes, duke zvogëluar procedurat burokratike dhe duke rritur efikasitetin e administratës, si një nga premtimet kryesore para komunitetit të biznesit. Biznesi nuk ka kohë për të pritur, e ne si institucione jemi të detyruar dhe qartë demonstrojmë përpjekjet tona drejt krijimit të një shoqërie të qëndrueshme në të cilën rritja ekonomike do të nxitet nga rritja e efikasitetit dhe besimit në sistem", theksoi drejtori.
Sipas Stamnovës, nëse më parë duheshin disa ditë për të marrë vërtetimet e nevojshme nga Dogana, si dhe për të udhëtuar nga qytete të tjera për në Shkup, tani, nëpërmjet lidhjes elektronike, vërtetimet do të merren për disa minuta.

"Kjo është faza e parë nga mbindërtimi i sistemit me një sportel. Faza e dytë është mbindërtimi në aspektin e dokumenteve të marra nga DAP - konfirmimi i taksave dhe kontributeve të paguara. Pastaj do të vijojë lidhja me Regjistrin qendror të popullsisë për shkarkimin automatik të të dhënave të qytetarëve dhe subjekteve afariste mbi detyrimet e paguara doganore. Kjo do të thotë kursim kohe për qytetarët, kursim të mjeteve financiare, kryesisht në harxhimet për udhëtim, por edhe ulje të punës administrative", nënvizoi Stamnova.
Regjistri qendror dhe Drejtoria doganore, shtoi ajo, mbeten të përkushtuara për transformimin e shërbimeve me fokus te përdoruesit dhe nevojat e tyre, duke përdorur teknologji bashkëkohore digjitale për të mundësuar shërbime më të thjeshta dhe më efikase.
"Ne vazhdojmë të zhvillojmë shërbimet tona dhe i inkurajojmë të gjithë palët e interesuara në ofrimin e shërbimeve publike për bizneset dhe qytetarët për bashkëpunim të ndërsjellë, me qëllim zbatimin e shërbimeve më efikase elektronike, respektivisht ndërtimin e një sistemi funksional të shërbimeve publike si bazë për rivendosjen e besimit në institucionet shtetërore", tha drejtoresha. bsh/
Foto: MIA