Mickoski për zgjedhjen e Avokatit të Popullit: Nëse duam të ecim përpara, nuk shoh asnjë arsye pse vendimi të mos votohet
- Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëronnë periudhën e ardhshme takime me deputetët dhe grupet parlamentare me qëllim që të zgjidhet çështja me zgjedhjen e Avokatit të Popullit, për të cilën kërkohet shumica e Badenterit.
Shkup, 1 janar 2026 (MIA) - Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëronnë periudhën e ardhshme takime me deputetët dhe grupet parlamentare me qëllim që të zgjidhet çështja me zgjedhjen e Avokatit të Popullit, për të cilën kërkohet shumica e Badenterit.
"Do të bisedojmë me disa deputetë dhe grupe parlamentare për të kapërcyer këtë problem. Vlerësojmë se duhet të kapërcehet sepse është pjesë e Raportit që po përgatit Komisioni Evropian për përparimin e Maqedonisë si shtet. Dhe nëse të gjithë duam të ecim përpara, nëse të gjithë kemi dëshirë ta shohim vendin si pjesë të barabartë brenda Bashkimit Evropian, atëherë nuk shoh asnjë arsye pse një zgjidhje e tillë të mos mbështetet dhe e gjithë kjo të mos përfundojë", deklaroi sot Mickoski gjatë një vizite në Kavadar.
Pas daljes në pension të Avokatit të Popullit të deritanishëm Naser Ziberi, Komisioni Parlamentar për Zgjedhjet dhe Emërimet propozoi Faton Selamin si Avokat të Popullit, por ai nuk mundi të votohet sepse nuk kishte mjaftueshëm deputetë për të votuar sipas Badinterit, pra mungonin votat nga Fronti Evropian i udhëhequr nga BDI.
Edhe kryetari i Kuvendit Afrim Gashi në një nga takimet me gazetarët në dhjetor u bëri apel deputetëve të gjendet vullnet politik dhe të zgjidhet Avokati i Popullit.
"E dini që duhet të votohet me shumicë dhe me shumicë Badenter (20 deputetë nga komunitetet). Po e shfrytëzoj këtë mundësi përmes jush mediave për t'u bërë thirrje të gjitha partive politike që ta zhbllokojnë këtë proces, të gjejnë një zgjidhje, që aktorët politikë të ulen dhe të gjejnë një zgjidhje. Mbi të gjitha, le të jemi të ndërgjegjshëm ndaj një institucioni shumë të rëndësishëm siç është Avokati i Popullit. Do të doja që kjo të ndodhte sa më shpejt të ishte e mundur dhe do ta thërrisja menjëherë seancën. Pika është në rend të ditës, do ta votojmë që të funksionojë edhe në lidhje me zgjedhjet e përsëritura që janë më 11 janar", tha Gashi.
Foto: MIA