• вторник, 13 јануари 2026
MIA Flesh

15:00/30 prill/2025

Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski ditëve në vazhdim do të jetë për vizitë pune në Japoni. Në kuadër të vizitës, siç kumton ministria, Mucunski do të marrë pjesë dhe do të ketë fjalim në shënimin ceremonial të Ditës kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Osaka EKSPO 2025, ku vendi po merr pjesë me pavijonin e vet, duke promovuar potencialin kulturor, turistik dhe ekonomik të kësaj ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare e cila zhvillohet nga 13 prill deri më 13 tetor të vitit 2025 në Osaka.

Shkup – Kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Tatjana Dimitrovska, u prononcua me rastin e informacioneve për komunikimin e saj me një person të akuzuar në rastin “Aditiv”, duke theksuar se bisedimet nuk kanë pasur kurrfarë lidhje me lëndën. Ajo sqaroi se bëhej fjalë për komunikim miqësor, i cili është zhvilluar para fillimit të procedurës zyrtare dhe para shqiptimit të masës paraburgim për të akuzuarin. Sipas Dimovskës, përmbajtjet e ndara ishin me karakter publik dhe nuk kanë pasur pikë kontakti me çfarëdo lloj veprimesh korruptuese. 

Shkup - Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, mori pjesë në mbledhjen e gjashtëmbëdhjetë plenare të Grupit Punues Sektorial në fushat e arsimit, punësimit dhe politikës sociale në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, njoftuan nga Kabineti i tij. Në fjalën e tij para të pranishmëve nga institucionet, sektori ndërkombëtar dhe civil, ministri Limani iu referua angazhimeve dhe politikave të Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, e cila synon krijimin e politikave dhe masave specifike për rigjallërimin demografik të vendit përmes mbështetjes për familjet, investimeve në arsimin parashkollor dhe përmirësimit të kushteve të jetesës.

Shkup - Ministri i Vetëqeverisjes Lokale Zlatko Perinski dhe zëvendësi i tij Erxhan Selimi sot vizituan Komunën e Shuto Orizarës, ku zhvilluan një takim me kryetarin e komunës Kurto Dudush dhe anëtarët e Këshillit Komunal. Siç kumtoi Ministria e Vetëqeverisjes lokale, gjatë vizitës, e cila u realizua në kuadër të nismës "Aty ku zemra është në shtëpi", u diskutuan për çështje kyçe që lidhen me zhvillimin lokal, me fokus të veçantë në infrastrukturë dhe mjedis jetësor. Të pranishmit unanimisht arritën në përfundimin se kanalizimi atmosferik është një nga problemet më urgjente me të cilat përballet komuna dhe, për ta tejkaluar këtë problem, Komuna me mbështetjen e qeverisë, po ndërmerr tashmë masa specifike.

Shkup - Nga sot fillon procedura për përcaktimin e kandidatëve të LSDM-së për këshilltarë dhe kryetarë komunash në zgjedhjet e ardhshme lokale, vendosi Bordi Qendror i LSDM-së në seancën e mbrëmshme. Në atë drejtim, Bordi Qendror, siç citohet në kumtesën partiake, miratoi rreguilloren dhe librin e afateve për procedurën, mënyrën dhe kriteret për përcaktimin e kandidatëve të LSDM-së.

Shkup - Gjykata Kushtetuese sot e shfuqizoi Vendimin për dhënien e miratimit për themelimin e Shkollës së Mesme Private "Medreseja Isa Beu" - fshati Kondovë të Shkupit, i cili u miratua nga Qeveria më 26 mars të vitit 2024. Gjykata vlerësoi se Vendimi i Qeverisë ishte i paligjshëm dhe jokushtetues, sepse Qeveria kishte dhënë pëlqimin e saj, përkatësisht i kishte lejuar Bashkësisë Fetare Islame BFI të jetë themeluese e një shkolle të mesme - gjimnaz. 

Shkup - Kryetari i Shoqatës së gjyqtarëve, Ivan Xholev, potencoi se gjyqësori nuk mund të jetë efikas pa mbështetje dhe resurse adekuate. Në deklaratën për mediat në konferencë të hapur "Përforcimi i pavarësisë gjyqësore dhe përgjegjësisë përmes efikasitetit më të madh të procedurave", ai potencoi se mungesa e stafit dhe financat janë pengesat kryesore për përmirësimin e situatës në sistemin e drejtësisë.

Shkup - Aksioni për dhurimin e gjakut me rastin e 3 majit - Ditës Botërore të lirisë së mediave, realizohet sot në Shkup, Manastir, Strumicë, Prilep dhe Shtip. Organizator është Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias (SPGPM), në bashkëpunim me Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) me mbështetjen e Kryqit të Kuq të Qytetit të Shkupit. Kryetari i SPGPM-së, Pavle Bellovski në deklaratën në Shkup tha se 3 maji - Dita Botërore e Lirisë së Mediave, së bashku me 1 majin në kuptimin simbolik janë "tre ditë më të rëndësishme për neve, ditë në të cilat të gjitha angazhimet tona janë të unifikuara, e gjitha ajo për çfarë luftojmë - gazetarët e sigurt, të lirë dhe socio-ekonomikisht të sigurt janë një parakusht për gazetari të lirë dhe profesionale, si një nga shtyllat kryesore të demokracisë". 

Shkup - SPB Shkup njofton se nesër, me fillim në orën 11 për shkak të mbajtjes së protestës, Njësiti për siguri në komunikacionin rrugor do të marrë masa për regjim të posaçëm të komunikacionit. "Protesta është planifikuar të fillojë para ndërtesës së LSM-së në rrugën "Mirçe Acev", majtas përgjatë rrugës "Filip i Dytë i Maqedonisë", djathtas përgjatë rrugës "11 Tetori", pastaj drejt rrugës "Dimitrie Çupovski", djathtas përgjatë rrugës "Vasill Gllavinov", drejt përgjatë bulevardit "VMRO", majtas përgjatë bulevardit "Ilinden" deri te Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut", njoftoi MPB-ja. 

Shkup - Për masat e reja qeveritare do të flasim më 2 maj, nesër do të kërkojmë rritjen e pagave tona që të mund t'i lejojmë edhe çmimet e tilla në supermarkete, tha sot kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM), Sllobodan Trendafilov. Trendafillov, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas konferencës për mediat lidhur me protestën e nesërme, theksoi se ngrirja e çmimeve dhe marzhave dha vetëm gjysmë rezultati.  Ai vlerësoi, se tregtarët janë lakmitarë dhe se po krijonin kapital të madh në kurriz të punëtorëve.

Shkup – Është fakt se Korniza Negociuese krijoi një precedent dhe e bilateralizoi procesin, por ne duhet të këmbëngulim në kërkimin e një zgjidhjeje që synon përjashtimin e çështjeve bilaterale historike, të identitetit dhe ato gjuhësore nga negociatat e pranimit në BE, mos arritja e konsensus kombëtar në vitin 2022 ishte një gabim i madh. Nga ana tjetër, do të ishte jashtëzakonisht naive të besohej se ndryshimet e mundshme kushtetuese do të ishin kushti i fundit në rrugën drejt BE-së. Megjithatë, për arsye strategjike, ky vend nuk duhet të lejojë që Mali i Zi, Shqipëria dhe Moldavia të ndahen nga ne dhe të mbushin hapësirën që na përket, si historikisht, gjeografikisht dhe ekonomikisht. Plani i zhvillimit dhe në përputhje me rrethanat, Agjenda e Reformës, është një përpjekje për të mbështetur vendin dhe të gjithë Ballkanin Perëndimor që të vazhdojë në rrugën drejt BE-së, por sigurisht që nuk është një zëvendësim i mjaftueshëm për anëtarësimin e plotë. Kështu deklaruan në një analizë për MIA-n Dragan Tilev, ekspert për politikat evropiane, dhe Aleksandar Kërzhallovski, analist dhe drejtor i Qendrës së Maqedonisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar (QMBN).

Shkup - Prodhimi industrial në mars të këtij viti është zvogëluar për 5,2 për qind krahasuar me muajin mars të vitit të kaluar, ndërsa në tremujorin e parë të këtij viti në krahasim me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar për dy për qind, njoftoi sot Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS). Prodhimi industrial në sektorin Miniera dhe gurorë gjatë muajit  mars të vitit 2025, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit paraprak, shënon rënie nga 1,5 për qind, në sektorin Industria përpunuese shënon rritje nga 4,8 për qind, ndërsa në sektorin Furnizim me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar shënon rritje nga 12,9 për qind. 

Shkup - Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, paralajmëroi se pa autonomi të vërtetë financiare, gjyqësori nuk mund të jetë vërtet i pavarur. Sipas tij, modeli aktual i reformës është joefikas, ndërsa ndryshime thelbësore mund të arrihen vetëm me një qasje të re, ndryshime në ligje dhe fuqizim të stafit. Në deklaratë për media pas hapjes së konferencë  "Përforcimi i pavarësisë gjyqësore dhe përgjegjësisë nëpërmjet efikasitetit më të madh të procedurave", Kambovski reagoi ashpër në atë që, pavarësisht ligjeve të mira, gjyqësori nuk i merr mjetet e parashikuara dhe bllokohet nga procedurat burokratike.

Shkup - NQP Shkup njofton se nesër transporti publik do të funksionojë sipas orarit të së dielës për shkak të 1 Majit - Ditës ndërkombëtare të punëtorëve. Teleferiku do të funksionojë me orar normal pune, ndërsa zyra e biletave dhe qendra e personalizimit në Qendrën e transportit do të jenë në detyrë me orar pune nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 14. Nga nesër Teleferiku do të punojë dy orë më shumë, gjegjësisht nga ora 10 deri në orën 20. 

Strasburg - Maqedonia e Veriut vazhdon angazhimin e saj të hershëm për promovimin e përfshirjes dhe barazisë së romëve, veçanërisht përmes miratimit të një sërë strategjish kombëtare dhe planeve tematike të veprimit, por duhet të punojë për të siguruar një mjedis të shëndetshëm dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut për të gjithë qytetarët. Kështu citohet në njoftimin e Zyrës së Komisionerit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës, Majkëll O'Flaertit, në lidhje me vizitën e tij në vend javën e kaluar, e cila u përqendrua në situatën e romëve dhe implikimet e sfidave serioze mjedisore mbi të drejtat e njeriut.

Bruksel - Zyra e prokurorit publik evropian paralajmëroi ngritjen e procedurës kundër Gjykatës evropiane të revizorëve me akuzë për bllokimin dhe pengimin e hetimit penal kundër ish kryetarit të saj Klaus Hajner Lene. Prokuroria publike evropiane ka ngritur hetim kundër Lenes, i cili ishte kryetar i Gjykatës revizore nga viti 2016 deri vitin 2022, për shkak të dyshimit për vepër të kryer penale "mashtrim". Sipas Prokurorisë, Lenes i janë paguar mbi 300.000 euro kompensime në emër të harxhimeve për banim në Luksemburg, ku gjendet selia e Gjykatës së revizorëve, edhe pse ai as që ka jetuar në këtë qytet.

Bruksel - Mundësitë e Veriut të largët për përgjigje bërthamore dhe implikimet e kërcënimet dhe sfidat bërthamore në gjithë rajonin euroatlantik dhe indo-paqësor janë temat kryesore të Simpoziumit sivjetëm për politikë bërthamore të NATO-s që mbahet në Helsinki. “Simpoziumi i këtij viti mbahet në një moment kritik për përgjigjen bërthamore të NATO-s”, deklaroi Drejtori për politikë bërthamore i Aleancës, Xhim Stouks. 

Kiev/Moskë - Të paktën një person është vrarë, ndërsa 46 u plagosën në sulmin e mbrëmshëm rusë me dron në qytetet ukrainase Harkov dhe Dnjepër, kumtuan autoritetet lokale. "Të paktën 45 persona janë plagosur në sulmin e mbrëmshëm, mes të cilëve dy fëmijë dhe një grua shtatzënë", deklaroi guvernatori rajonal Oleg Sinegubov. Sulmi ka ndodhur pasi që SHBA-ja, të cilat po përpiqen të ndërmjetësojnë një marrëveshje paqësore midis Rusisë dhe Ukrainës, kumtuan se do të tërhiqen nga roli i saj si ndërmjetës në bisedime përderisa Moska dhe Kievi të japin propozime konkrete për këtë çështje.

Moskë - Dronët e Shërbimit të sigurisë së Ukrainës (SHSU) gjatë natës sulmuan një fabrikë që prodhonte pajisje municioni dhe komponentë për marinën dhe aviacionin ushtarak në Murom, në një rajon të Rusisë, njoftoi Ukrinform. Një burim nga forcat e rendit deklaroi për Ukrinform se gjatë natës në fabrikë janë dëgjuar pesë shpërthime. Sipas raportit paraprak janë goditur dy ndërtesa dhe ka shpërthyer zjarr.

Gazë - Në 24 orët e fundit 39 palestinezë janë vrarë gjatë sulmeve izraelite ndaj Gazës, prej të cilëve 14 persona kanë humbur jetën në pjesën qendrore të enklavës, kumtuan burimet mjekësore. Ministria e Shëndetësisë në Gazë e cila është nën kontroll të Hamasit, në raportin e tij ditor konfirmoi se në të njëjtën periudhë janë lënduar 109 persona, njofton Al Xhezira. Nga fillimi i konfliktit, më 7 tetor të vitit 2023, numri i viktimave në Gazë është rritur në 52.400, derisa 118.014 persona janë lënduar, sipas të dhënave të Ministrisë.

Остани поврзан