
12:00/10 shkurt/2025
Shkup - Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, sot ka uruar qytetarët e Kosovës për zgjedhjet parlamentare dhe Albin Kurtin për fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje. "Zgjedhjet në Kosovë dëshmojnë për pjekurinë e popullit të Kosovës, ndërsa procesi zgjedhor dëshmon angazhimin serioz të institucioneve për transparencë dhe demokraci. Urime të sinqerta mikut tim, Albin Kurtit, për fitoren dinjitoze të Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare në Kosovë! Ky rezultat përfaqëson besimin e qytetarëve në vizionin e tij për zhvillimin dhe sigurinë e Kosovës, si dhe vlerësimin për mandatin e tij të suksesshëm në krye të qeverisë", thuhte në urim.
Shkup - Stacioni kompresor për klinikat kirurgjike në kompleksin e klinikave Nëna Terezë, sot zyrtarisht u lëshua në përdorim. Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari shprehi kënaqësi që përveç investimeve të vazhdueshme në renovime dhe pajisje në shëndetësi, janë zgjidhur edhe probleme të trashëguara shumëvjeçare si ky me stacionin. Ai theksoi se për fat, funksionon edhe pajisja e vjetër e kompresorit, me çka, siç theksoi, do të evitoheshin probleme si të kaluarat. Në deklaratë për mediumet, ai i numëroi sallat që e prëdorin këtë stacion, duke cekur se të gjithë që do të dëshirojnë, do të mund të kyçen.
Shkup - Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari dhe lider i Aleancës për Shqiptarët i ka vlerësuar si të mira rezultatet që mori Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit aktual Albin Kurti në zgjedhjet parlamentare në Kosovë dhe shprehu pritshmërinë që ai të drejtojë qeverinë e ardhshme në mënyrë të pavarur ose në koalicion me një nga partitë që hyjnë në Parlament. "Rezultatet të mira, rreth 42-43 për qind, plus duhet të numërohen votat e dasporës. Pritshmëritë e tyre janë rreth 45 për qind, dhe shpresoj që do të formojnë një qeveri të pavarur. Edhe nëse nuk e bëjnë, mendoj se me koalicion me siguri z. Albin Kurti (do ta udhëheqë qeverinë), sepse ka besimin më të madh se të gjithë. Partia e dytë dhe e tretë së bashku kanë më pak vota se z.Kurti. Kosovës i nevojitet z.Kurti të vazhdojë edhe katër vite qeverisje", tha Taravari në pyetjen e gazetarëve për rezultatet e zgjedhjeve në Kosovë pas lëshimit të përdorimit të stacionit të ri të kompresorit për klinikat kirurgjike.
Shkup - Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë i njofton banorët e komunës së Vrapçishtit se pas një kontrolli inspektues në IPKKF “Pranvera” në Vrapçisht, është konstatuar se komuna e Vrapçishtit, pasi i janë hequr kompetencat kryetarit të komunës për pjesën e emërimit të ushtruesit të detyrës drejtor të institucionit dhe caktimin e ushtruesit të detyrës drejtor të institucionit nga Ministria, e ka marrë automjetin e institucionit parashkollor (në pronësi të komunës), edhe pse në qershor të vitit 2021 i është dhënë institucionit parashkollor në përdorim për një kohë të pacaktuar. "Deri më 31.01.2025, kur është bërë ndërrimi ligjor i ushtruesit të detyrës drejtor të institucionit, institucioni parashkollor e ka shfrytëzuar automjetin për të shpërndarë ushqime për 40 fëmijët e përkujdesur në objektin në fshatin Dobridoll", qëndron në kumtesë.
Shkup - Gjatë javës së kaluar, autorë të panjohur kanë djegur dy enë të destinuara për hedhjen e mbetjes komunale në vendbanimin Serovë të Shkupit, në komunën Çair. Kontejnerët ishin vendosur në rrugën Serovë, ndërsa të njëjtit janë me vëllim prej 1.1 metër kub, informon NP Higjiena Komunale - Shkup. Mikrolokacioni menjëherë është pastruar plotësisht nga ekipet e NP Higjiena Komunale - Shkup, pas së cilës u vendosën edhe enë të reja për hedhjen e mbetjes.
Shkup – Një zjarr ka shpërthyer sot në një barakë të braktisur në rrugën “Kosta Novakoviq”, përballë "Kolegjit amerikan" në komunën e Aerodromit. Zjarri është vënë nën kontroll, informuan për MIA-n nga Brigada kundër zjarreve të Qytetit të Shkupit. Në shuarjen e zjarrit marrin pjesë tre makina kundër zjarreve me dhjetë zjarrfikës.
Shkup - Këtë mëngjes është më ftohët në Berovë, - 11 gradë, ndërsa më shumë borë ka në Kodrën e Diellit, 31 centimetra, informoi DPHM. Nga ora 8:30 janë matur edhe -8 gradë në Kriva Pallankë dhe Hanet e Mavrovës, -7 është në Kodrën e Diellit dhe në Manastir, -6 në Krushevë, Shkup-Petrovec, Shtipi, Veles dhe Prilep, -4 në Kavadar, Vinicë dhe Shkup-Zajçev Rid, -3 në Ohër dhe Pretor, si dhe -2 në Gjevgjeli dhe Strumicë. Borë ka dhe në Hanet e Mavrovës, 13 centrimetra.
Prishtinë - Sipas të dhënave më të reja të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, bazuar në 88 për qind të votave të numëruar, në zgjedhjet e djeshme parlamentare udhëheq Vetëvendosja me 41,29 për qind të votave. Në vendin e dytë është Partia Demokratike e Kosovës me 21,83 për qind, ndërsa në vendin e tretë Lidhja Demokratike e Kosovës me 17,74 për qind të votave. Në vendin e katërt ndodhet Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7,68 për qind të votave.
Prishtinë - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Paris me ftesë të Presidentit të Republikës së Francës, Emanuel Makron. Gjatë qëndrimit në Francë, Osmani do të marrë pjesë në Samitin për Inteligjencën Artificiale, përkrah presidentit Makron, zëvendëspresidentit të SHBA-së, Xhej Di Vens, kryeministrit të Indisë, Narendra Modi, si dhe liderëve të tjerë botërorë. Në kuadër të vizitës, presidentja e Kosovës do të jetë e pranishme në darkën zyrtare në Pallatin Elise, në pritjen zyrtare të organizuar nga delegacioni amerikan, si dhe në seancën plenare të bashkëkryesuar nga Makron dhe Modi.
Prizren - Ministri në largim i Zhvillimit Rajonal i Partisë Demokratike të Turqve, Fikrim Damka, është arrestuar dje në Prizren. Damka dhe familjari i tij me inicialet F.D., janë arrestuar nën dyshimin për “sulm” dhe “kanosje”, kanë konfirmuar nga Policia e Prizrenit, teksa ende nuk dihen motivet e kësaj ngjarje. "Dje me datë 09.02.2025 rreth orës 18:00 në Prizren është raportuar një rast ‘Kanosje dhe Sulm’ , Policia ka intervistuar të dyshuarit F.D. dhe F.D dhe viktimat si dhe janë mbledhur edhe prova dhe dëshmi tjera”, ka thënë zëdhënësi Shaqir Bytyqi.
Tiranë - Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj po qëndron për vizitë zyrtare në Mal të Zi, me ftesë të presidentit Jakov Millatoviq. Pas pritjes është planifikuar takim i shefave të dy shteteve dhe më pas takim i dy delegacioneve. Begaj ka mbërritur dje në Mal të Zi ku ka vizituar Tuzin, Plavën dhe Gucinë të populluara kryesisht me shqiptarë. "Çështjet kombëtare duhet të dominojnë mbi çdo interes politik për faktin se janë shumë më domethënëse. Ruajeni gjuhën, identitetin dhe kulturën shqiptare për të cilën keni mbështetjen tonë", tha ai në takimin me përfaqësues të subjekteve qytetare dhe politike.
Beograd - Shoqata për mbrojtjen e konsumatorëve në Serbi, "Efektiva" u bëri thirrje qytetarëve prej sot e deri të premten, 14 shkurt, t'i bojkotojnë pesë zinxhirët e mëdhenj tregtarë. Siç theksojnë nga kjo shoqatë, suksesi do të arrihet nëse të ardhurat ulen për një të tretën. Duke folur për rezultatet nga bojkoti i kaluar, Dejan Gavrilloviq nga Efektiva për TVN1 deklaroi se është vërejtur rënie e të ardhurave prej 37 për qind, pas çka u është bërë thirrje tregtarëve, furnitorëve dhe shtetit të bëjnë diçka më konkrete. Meqenëse nuk ka pasur kurfarë reagimi, ndërkaq morën informatë se madje edhe i kanë rritur çmimet, Gavrilloviq tha pason thirrja e ardhshme për bojkot pesëditor.
Athinë - Në pjesën detare mes ishujve Santorini dhe Amorgos mbrëmë u regjistrua seri e re tërmetesh mbi 4 ballë, prej të cilëve më i fuqishmi ishte 5 ballë sipas Rihterit, përderisa tërmetet vazhduan edhe gjatë natës dhe herët në mëngjes, megjithatë me intensitet më të vogël, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina. Në pajtim me të dhënat zyrtare nga Instituti gjeodinakik të Observatorit nacional në Athinë, në periudhën prej 20:41 deri në orën 22:35 sipas kohës lokale u regjistruan 16 tërmete mes 3,1 dhe 5 ballë, prej të cilave gjysma ishin mbi 4 ballë. Profesori i sizmologjisë në Universitetin Aristotel në Selanik, Kostas Papazahos për televizionin grek ERT sot në mëngjes sqaroi se tërmetet në afërsi të Santorinit mund të zgjasin me javë, e madje edhe muaj dhe nuk është diçka që do të kalojë brenda natës.
Bruksel - Qeveria e re bullgare kumtoi se i ka refuzuar bisedimet me Maqedoninë e Veriut për lehtësimin e kushteve në të cilat Shkupi mund t'i fillojë bisedimet me BE-në, thekson portali "Euroaktiv" në Bruksel. "Para tre viteve, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut kanë arritur marrëveshje, me ndërmjetësim të Francës, për lëshime reciproke për zhbllokimin e procesit të integrimit evropian në Ballkanin Perëndimor. Qeveria e Shkupit është pajtuar të përfshijë pakicën bullgare në Kushtetutën e saj, ndërsa autoritetet në Sofje premtuan se do ta shfuqizojnë veton për fillimin e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut", thuhet në tekstin e publikuar sot. Autori i tekstit tutje theksoi se vitin e kaluar erdhi deri te ndryshimi i qeverisë në Shkup dhe se Qeveria e tij e udhëhequr nga Hristijan Mickoski premtoi se "nuk do të bëjë lëshime ndaj Sofjas".
Bruksel - BE-ja sot ka bërë të ditur se "nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar" për shpenzime shtesë pasi që presidenti amerikan Donald Tramp paralajmëroi se do të vendos dogana prek 25 përqindëve për import të çelikut dhe aluminit. "Nuk do të përgjigjemi ndaj njoftimeve të gjera pa detaje apo sqarime me shkrim. BE nuk sheh asnjë justifikim për vendosjen e doganave mbi eksportet e saj. Ne do të reagojmë për të mbrojtur interesat e bizneseve, punëtorëve dhe konsumatorëve evropianë nga masat e pajustifikuara”, thuhet në kumtesën e Komisionit Evropian. Presidenti amerikan Donald Trump tha dje se do të shpallë sot tarifa të reja prej 25 për qind për të gjitha importet e çelikut dhe aluminit në SHBA.
Gazë - Lideri i Hamasit në Rripin e Gazës, Kalil al Haja deklaroi sot se planet e SHBA-së dhe presidentit amerikan Donald Tramp për Rripin e Gazës janë “të destinuara në mossukses”. "Do t'i shkatërrojmë ashtu siç rrënuam të gjitha projektet e tyre të mëparshme", tha Al-Haja gjatë një ceremonie me rastin e shënimit të 46 vjetorit të revolucionit iranian në Teheran. Trampi konfirmoi të dielën se është i përkushtuar ndaj planit për të blerë Rripin e Gazës, por se mund të lejojë që pjesë të rajonit të shkatërruar nga lufta të rindërtohen nga vende të tjera të Lindjes së Mesme.
Mançester - Trajneri i Mançester Sitit, Pep Guardiola e sheh lojtarin e RB Lajpcigut, Çavi Simons si zëvendësues të mundshëm të Kevin De Brujnes. Sipas "El Nacional", Guardiola është në kërkim të një lojtari që mund të drejtojë procesin e ndryshimit të gjeneratës në mesfushë dhe beson se Simonsi është ideal për këtë rol. Strategu spanjoll është i impresionuar nga sukseset e lojtarit të Bundesligës, si dhe nga teknika dhe sensi i lojës.