
12:00/ 20 janar/ 2025
Shkup – Prania e kryeministrit Hristijan Mickoski, si një nga politikanët e rrallë nga rajoni i cili do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të ri amerikan, Donald Tramp është sukses për diplomacinë tonë dhe mundësi që drejtpërdrejtë të paraqesë qëndrimet e vendit tonë në lidhje me zbatimin e prolonguar të ndryshimeve kushtetuese për të zhbllokuar rrugën drejt BE-së, thonë në analizën e tyre për MIA-n, ambasadorët Gjorgji Filipov dhe Vasko Naumovski. "Pjesëmarrja në inaugurim është një mundësi e shkëlqyer nëse është dakorduar bisedë ose nëse krijohet moment për bisedë mes kryeministrit dhe presidentit. Vetë thirrja është një sukses i diplomacisë sonë apo të SHBA-së. Ai mund të theksoj se ka një mesazh që presidenti Tramp do ta përçojë personalisht, ndërsa kryeministri ynë ka rastin që liderit të vendit, partnerit tonë më të madh strategjik t’ia përcjell qëndrimin e Maqedonisë për shtyrjen e angazhimit të ndërmarrë më parë para BE-së dhe propozimin se si mund të realizohet në një mënyrë "win-win" e dobishme për vendet fqinje dhe anëtaret e NATO-s", ka thënë Filipov.
Shkup – Gjykata Themelore Penale Shkup e refuzoi si të pabazë kërkesën për përjashtimin e gjykatësit Ivica Stefanovski, të parashtruar nga i akuzuari i parë Lupço Palevski Pallço. Palevski, në seancën e kaluar kërkoi përjashtimin e gjykatësit Ivica Stefanovski, sepse, siç tha, bëhet fjalë për konspiracion ndërmjet gjykatës, policisë dhe Prokurorisë. Sipas Palevskit, është e palejuar që gjykatësi të mos interesohet për gjetjen e armës me të cilën janë kryer të dyja vrasjet, ndërsa gëzhoja e gjetur në afërsi të Velesit të mos dorëzohet si dëshmi. Rasti gjendet në procedurën e dëshmive dhe duhet të vazhdojë me paraqitjen e dëshmive materiale nga Prokuroria. Gjykatësi në fillim të seancës informoi se ka marrë njoftim nga MPB se dëshmitari Goce Trajkovski nuk është i kapshëm për organet e rendit.
Shkup - Gjykata Themelore Penale në Shkup e pranoi propozimin e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh për Rade Trajkovskin, i njohur me nofkën Shtekli, si dhe për nëntë persona të tjerë nga grupi kriminal që dyshohet për shitje droge. Paraburgimi, siç kumtoi Gjykata Themelore Penale në Shkup, fillon të zbatohet nga momenti i gjetjes së tyre, përkatësisht privimit nga liria.
Shkup - Turistët turq që ndodheshin përballë restorantit “Kanioni i Matkës” mbrëmë janë transferuar të sigurt përmes liqenit. Qendra për menaxhim me kriza sot informoi se dje në numrin 112 është raportuar se nuk mund të lëvizin në errësirë dhe se kanë nevojë për ndihmë për të kaluar në anën tjetër ku ndodhet lokali dhe shtegu i këmbësorëve. "Për këtë nevojitej një mjet lundrues (varkë, maune). QMK rajonale Shkup, në koordinim me institucionet nga Sistemi për menaxhim, njoftoi se për këtë menjëherë është njoftuar Stacioni Policor i Sarajit dhe Komuna e Sarajit dhe sipas reagimeve, për rreth një orë shtetasit e huaj janë nxjerrë nga vendi ku ndodheshin dhe më pas u transferuan në mënyrë të sigurt përtej liqenit, përkatësisht akumulimi "Matkë", informoi QMK.
Shkup - Më shumë se 200 komuna kanë lidhur marrëveshjet me të cilat duhet të marrin mjete financiare për realizimin e projekteve infrastrukturore, ndërsa vetëm dy do të duhet të shpallen përsëri për shkak të problemeve teknike, deklaroi sot ministri për Vetëqeverisje Lokale, Zllatko Perinski. "Jemi të kënaqur me punën e pushtetit lokal, sepse më shumë se 200 nga gjithsej 288 projekte që janë kontraktuar për të marrë fonde nga buxheti qendror, tashmë janë nënshkruar kontrata dhe do të hyjnë në fazën e zbatimit. Vetëm dy nga këto 288 kontrata do të duhet të rishpallen për shkak të problemeve teknike me furnizimin publik. Presim që me përmirësimin e kushteve atmosferike, ndërtim dhe zgjerim ekonomik në tërë territorin”, ka thënë Perinski në një deklaratë për media në Shtip para takimit të dytë konsultativ për Propozim-amandamentet e Ligjit për vetëqeverisje lokale.
Shkup - Shkupi sot në mëngjes është renditur i 26-ti në listën e qyteteve më të ndotura në botë. Sipas platformës së matjes së cilësisë së ajrit "Aj-ju-er" (IQAir), me një indeks prej 137 për sa i përket pranisë së grimcave të dëmshme, kryeqyteti ndodhet në zonën portokalli, duke e kategorizuar ajrin si të dëmshëm për personat me shëndet të ndjeshëm dhe sëmundje kronike. Në vend të parë është Sarajeva me ajër shumë të pashëndetshëm dhe me indeks prej 296 për sa i përket pranisë së grimcave të dëmshme. Ndër 10 të parat në Evropë, në vendin e dytë është Krakovi në Poloni, me një indeks prej 198 njësive, ndërsa në vendin e tretë Hanoi (196) në Vietnam.
Shkup - Autoritetet presin rritje të rasteve me grip, ndërsa kulmi pritet në mes të shkurtit. Fillimi i gjysmëvjetorit të dytë për nxënësit dhe shoqërimi i personave në ambiente të mbyllura për shkak të temperaturave të ulëta janë disa nga faktorët që kanë ndikuar në rritjen e rasteve gjatë kësaj periudhe. "Çdo vit rritet numri i të infektuarve me grip deri në mes të shkurtit, kur pritet kulmi. Kështu është prej vitesh. Kulmi është në gjysmën e dytë të shkurtit. Shifrat do të vazhdojnë të rriten, por në krahasim me vitet e kaluara nuk ka asnjë ndryshim në krahasim me atë se si është tani. Madje nëse e krahasojmë me vitin e kaluar, këtë vit situata me personat e prekur nga gripi është disi më e mirë. Fakti që do të rritet numri i të infektuarve nuk varet vetëm nga shkollat, e tillë është dinamika e rritjes së numrit të të sëmurëve me grip, sqaroi për MIA-n, zëdhënësi i Komisionit për Sëmundje Infektive, Zllate Mehmedoviq.
Shkup – Qendra për Menaxhim me Kriza informon se rruga mes Pantelemonit në Nerez të Epërm dhe Vodno të Mesme nuk është e sigurt për lëvizje të automjeteve motorike dhe bëjnë thirrje që të mos shfrytëzohet për shkak të ngricave. Në këtë shtrirje, siç thonë nga QMK, dje ishin bllokuar disa vetura dhe sot duhet të dërgohet makinë për intervenim.
Beograd– Tetë persona humbën jetën në zjarrin i cili sot në mëngjes rreth orës 4 e 10 minuta shpërtheu në Shtëpinë e të moshuarve në komunën Baraevë të Beogradit, njoftoi u.d. drejtori i Sektorit për Situata të Jashtëzakonshme, Luka Çaushiq. Ai tha se rezultatet e para tregojnë se zjarrin e ka shkaktuar një nga banorët e shtëpisë, bëjnë të ditur mediat serbe. “Zjarrfikësit shpëtuan 13 persona nga zjarri, prej të cilëve shtatë ishin marrë nga Ndihma Urgjente Mjekësore, përderisa personave të tjerë u ishte mundësuar akomodim alternativ”, theksoi Çaushiq.
Uashington – Donald Trampi sot do të japë betimin si presidenti i 47-të i SHBA-së. Kushtetuta e SHBA-së parasheh që mandati i çdo presidenti të ri të fillojë më 20 janar saktë në mesditë, sipas kohës lokale në Uashington (orën 18 sipas kohës së Evropës). Inaugurimi zakonisht mbahet në vend të hapur në pjesën perëndimore të ndërtesës së Kapitollit, megjithatë, temperaturat në kryeqytetin e SHBA-së për momentin po bien deri 12 gradë nën zero, për çka inaugurimi i Donald Trampit do të mbahet në ndërtesën në Kapitoll. Për sigurimin e ceremonisë ishin angazhuar rreth 25.000 njerëz. Shtëpia e Bardhë, Kapitolli dhe disa pjesë të avenysë Pensilvania tashmë janë me rrethoja të sigurisë të larta 2,40 metra.
Nju Jork - Kriptovaluta e shpallur nga Donald Trampi në fund të javës së kaluar, sot ka rritur çmimin e saj për 73 për qind në 46,06 dollarë dhe kapitalizim të tregut mbi 9 miliardë dollarë. I njohur me thurjen si $TRUMP, ajo arriti një kapitalizim të tregut prej 9.2 miliardë dollarë. Trampi paralajmëroi lëshimin e një kriptomonedhe të re, simboli i së cilës mban imazhin nga koha e atentatit të dështuar ndaj tij në korrik të vitit të kaluar. Madje edhe "lojtarët" e tregut të kriptomonedhave u befasuan nga lansimi i tokenit, bëjnë të ditur mediat amerikane.
Nju Jork - Bitkoini arriti vlerë rekord prej mbi 109.000 dollarë sot përderisa Donald Tramp, i cili ka sinjalizuar planet për të çrregulluar sektorin e kriptomonedhave, përgatitet të betohet si president amerikan. Vlera e Bitkoinit është rritur në nivelin më të lartë historik prej 109.241 dollarësh para ceremonisë së inaugurimit të Trampit.
Madrid – Florentino Perez është rizgjedhur president i Real Madridit deri në vitin 2029, informon zyrtarisht klubi. Biznesmeni 77-vjeçar ka qenë kandidati i vetëm për këtë post. Në një komunikatë nga kampionët aktual të Spanjës dhe Evropës thuhet: “Me vetëm një kandidaturë të shpallur nga Bordi zgjedhor dhe në pajtueshmëri me nenin 40, seksioni F, pika 2 e statutit aktual të klubit, Florentino Perez është shpallur president i Real Madridit”. Perez do të fillojë mandatin e tij të pestë radhazi në krye të gjigantit të La Ligës dhe i shtati në total. Ai ka qenë president nga periudha e vitit 2000 deri në vitin 2006, ndërsa në vitin 2009 filloi mandatin e tij të dytë.
Santos - Ylli brazilian Nejmar e ka përfunduar aventurën e tij në Arabinë Saudite. Prej tij pritej shumë, por ai nuk arriti të dëshmojë potencialin e tij në Al-Hilal dhe paralelisht kësaj probleme i shkaktuan edhe dëmtimet e shumta. Nejmari largohet nga vendi arab për t'u kthyer në Brazil. Sipas informacioneve të fundit është arritur marrëveshje dhe Nejmari do të kthehet në Santos në formë huazimi për 6 muajt e ardhshëm. Mirëkuptimi tashmë është fakt dhe do të zyrtarizohet në ditët në vijim. Të dielën, presidenti i Santosit, Marselo Tesheira dhe drejtori Pedro Martins u takuan me përfaqësuesit e Nejmari dhe negociuan për pagën e lojtarit.