
09:00/3 shkurt/2025
Shkup - Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, sot dhe nesër do të qëndrojë në Bruksel për vizitë pune, ku do të zhvillojë sërë takimesh me përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian, Parlamentit Evropian dhe Komitetit Ekonomik dhe Social evropian, informojnë nga Ministria. Në kuadër të vizitës dyditore, është paraparë që Ministri Murtezani të zhvillojë takim me Euro-Komisioneren për Zgjerim, Marta Kos, me të cilën do të diskutojë për progresin e Maqedonisë së Veriut në procesin e aderimit në BE, Agjendën reformuese dhe hapat e ardhshëm në procesin negociues.
Shkup – Me rastin e Ditës Botërore për Luftë kundër Kancerit, Shoqata për Emancipim, Solidaritet dhe Barazi të Grave (ESB) i bën thirrje Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë, urgjentisht ta rrisin mbështetjen për programe parandaluese për detektim të hershëm dhe parandalim të sëmundjeve malinje. “Analizat tregojnë se mbrojtja parandaluese shëndetësore në vend është nuk është prioritet. Mjetet buxhetore për parandalim po ulen, me çka në vitin 2024 ishin vetëm 590 milionë denarë, përderisa për vitin 2025 janë paraparë 651 milionë denarë. Megjithatë, është shqetësuese që gjatë viteve të fundit, me ribalance, këto mjete shpesh shkurtohen”, potencojnë nga Shoqata.
Shkup - Panel-diskutim do të realizohet sot në Shkup me rastin e Ditës botërore të luftës kundër kancerit. Me titull "Të bashkuar në unitet" - Riformësimi i së ardhmes për kujdesin ndaj kancerit në vendin tonë - sfidat dhe mundësitë", e në organizim të Shoqatës kushtuar pacientëve me kancer dhe kujdestarëve të tyre "Hema-onko", panel diskutimi do të mbahet në amfiteatrin e Universitetit "Shkup".
Shkup – Tërmet me Magnitudë lokale të Rihterit ML3.0 dhe intensitet prej III ballë sipas Shkallës Makroseizmike Lokale është regjistruar herët në mëngjes në orën 1 e 50 minuta. Epiqendra e tërmetit është nga rajoni i Dibrës, 80 kilometra në jugperëndim të Shkupit. Observatoriumi sizmologjik në kuadër të Fakultetit Natyror- Matematikor në Shkup njoftoi se tërmeti ishte ndjerë në Dibër dhe rrethinë.
Shkup – Dukshmëri të ulur prej 70 deri 100 metra për shkak të paraqitjes së mjegullës ka në aksin rrugor fshati Gajre – Kodra e Diellit dhe Mavrovë, njoftoi LAMM. Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet në kushte dimërore, nëpër rrugë kryesisht të thata. Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është mesatar. Në vendkalimet kufitare nga ana e Maqedonisë së Veriut nuk ka pritje më të gjata për hyrje dhe dalje nga shteti.
Shkup - Moti sot do të jetë me vranësira të ndryshueshme, në orët e mëngjesit dhe pasdite në pjesët juglindore të vendit do të ketë reshje të dobëta të shiut që do të kalojnë në borë të dobët. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i veriut. Temperatura minimale do të jetë në interval prej -5 deri 2, ndërsa ajo maksimale prej 3 deri 10 gradë.
Bruksel - Partneriteti transatlantik mbetet lidhja jonë më e qëndrueshme dhe kjo është me rëndësi fundamentale për promovimin e paqes, sigurisë dhe prosperitetit, prandaj është krahas të gjithave, kemi biseduar për mënyrat për bashkëpunimin pragmatik me SHBA-në, theksoi mbrëmë vonë kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen pas përfundimit joformal të Samitit të Bashkimit Evropian në Bruksel. "qartë se ka sfida të reja dhe pasiguri në rritje, kështu që Bashkimi Evropian është i gatshëm për dialog të fortë, por konstruktiv me SHBA-në", deklaroi Fon der Lajen.
Gazë - Pas armëpushimit në Gazë, autoritetet palestineze kërkojnë miliarda dollarë ndihmë humanitare, pasi urgjentish u nevojiten makina për pastrimin e rrënojave, tenda dhe kampe për vendosjen e qindra mijëra banorëve të zhvendosur pas sulmeve izraelite. Një përfaqësues i Administratës palestineze deklaroi se për nevoja urgjente nevojiten 6,5 miliardë dollarë për strehim të përkohshëm për mbi dy milionë njerëz në Gazë, para se të nisë procesi i rindërtimit afatgjatë i enklavës.
Otavë - SHBA-ja do të shtyjë zbatimin e doganave të reja për produktet kanadeze për të paktën 30 ditë, kumtoi sot kryeministri kanadez Xhastin Trudo pas një bisede telefonike me presidentin amerikan Donald Tramp. "Zbatimi i doganave të propozuara do të shtyhet për të paktën një muaj derisa punojmë së bashku për situatën", deklaroi Trudo.
Pekin - Kina do të vendosë dogana prej 15 për qind për importin e gazit të lëngshëm natyror (LNG) dhe qymyrit nga SHBA-ja si përgjigje ndaj doganave amerikane, kumtoi sot Ministria kineze e Financave. Në mënyrë shtesë, do të zbatohen 10 për qind dogana për naftë dhe makineritë bujqësore të importuara nga SHBA-ja. Këto masa hyjnë në fuqi më 10 shkurt, njoftoi DPA. Pekini po ashtu paralajmëroi hetim antimonopol kundër gjigantit amerikan të teknologjisë Gugëll.
Uashington - Rreth një mijë njerëz u tubuam mbrëmë para selisë së Agjencisë amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në një protestë të zëshme pasi presidenti Donald Tramp dhe miliarderi Ilon Mask nga Departamenti për Qeverisje Efektive (DOGE) ndaluan hyrje të punonjësve në selinë e agjencisë. Protestës i janë bashkangjitur edhe disa anëtarë të Kongresit, si senatorët nga Merilend, Kris Van Hollen dhe Xhejmi Raskin, të cilët ndanë informacione për atë se çka po ndodh me USAID-in. Ata deklaruan se hyrja në seli ishte e mbyllur dhe e rrethuar me shirit të verdhë dhe se serverët e kompjuterëve ishin konfiskuar, ueb faqja e USAID-it është shkyçur, ndërsa pagesat për disa kontraktorë janë ndërprerë.
Uashington – Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp nënshkroi dekret me të cilin e angazhoi Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Tregtisë që në 90 ditët e ardhshme të përgatisin plan për krijimin e fondit sovran për mirëqenie të SHBA-së.“Politika e Shteteve të Bashkuara është që të maksimizohet menaxhimi me pasurinë kombëtare vetëm në favor të qytetarëve amerikanë. Në atë drejtim, me interes të popullit amerikan është që qeveria federale të vendosë fond sovran me qëllim që ta nxisë qëndrueshmërinë fiskale, ta ulë barrën tatimore ndaj familjeve amerikane dhe bizneseve të vogla, të sigurojë siguri ekonomike për gjeneratat e ardhshme dhe ta avancojë lidershipin ekonomik dhe strategjik të Shteteve të Bashkuara në nivel ndërkombëtar”, thuhet në kumtesën e mbrëmshme nga Shtëpia e Bardhë.
Uashington – Kriza në Lindjen e Mesme do të jetë temë kryesore e bisedës në takimin e sotëm, kur kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu do të bëhet lideri i parë i huaj i cili do të takohet me presidentin amerikan Donald Tramp pas kthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë. Netanjahu mbërriti në Uashington të dielën për shkak të kësaj vizite, përkujton DPA. “Ky është takim me rëndësi i cili e fuqizon aleancën e thellë mes Izraelit dhe SHBA-së dhe do ta përmirësojë bashkëpunimin tonë”, shkroi ambasadori izraelit në KB, Dani Danon, në platformën Iks.
Uashington - Kandidati për ministër të Tregtisë së SHBA-së, Hauard Latnik, i nominuar nga presidenti Donald Tramp, ka paralajmëruar se do të rishikojë kufizimet e eksportit të armëve të lehta, të vendosura nga administrata e Xho Bajdenit në vitin 2024. Kufizimet e eksportit të armëve të zjarrit janë orientuar drejt kufizimeve të grupeve të huaja kriminele, të cilët furnizojnë armë amerikane.