
09:00 / 17 shkurt / 2025
Shkup - Instituti për Demokraci "Societas Civilis" - Shkup (IDSCS) dhe Fondacioni "Konrad Adenauer" sot në Shtëpinë e Evropës - Shkup (Europe House-Skopje) do të promovojnë dy punime hulumtuese: "Analiza e opinionit publik për procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian (2014-2024) dhe "Integrimi në BE në vitin 2024: Nga ëndërr evropiane deri në realitet të Maqedonisë". Analizat janë përgatitur në bazë të sondazhit të opinionit publik për procesin e integrimit evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i kryer në periudhën tetor - dhjetor 2024.
Shkup - Në Kuvend sot seancë do të ketë Komisioni për Çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit. Në rend të ditës së seancës ka një pikë - shqyrtimi i çështjeve në lidhje me zbatimin e Rregullores së Kuvendit gjatë punës së Komisionit të përhershëm anketues për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të qytetarëve për seancën mbikëqyrëse të caktuar për 25 shkurt të vitit 2025, dhe dhënia e mendimit për zgjidhjen e çështjeve kontestuese.
Shkup - Mendimet janë të ndara për vendosjen e javës katërditore të punës në vend. Biznesi beson se ne nuk jemi gati për shkak të nivelit ende të ulët të produktivitetit dhe sindikatat mbeten të përkushtuara ndaj kërkesës për uljen e orëve të punës. Sipas psikologes Mirjana Jovanovska Stojanovska, një javë katërditore do të jetë një goditje për ekonominë, veçanërisht në vendet më të varfra dhe të pazhvilluara, por duhet të futet për mirëqenien e punëtorëve dhe për të ruajtur shëndetin e tyre mendor dhe fizik. “Është ende herët për hapa të tillë sepse ka reforma të tjera prioritare që duhet të bëhen në periudhën e ardhshme. Për të zbatuar një javë pune katër ditore, duhet të maksimizoni efikasitetin tuaj për të kapërcyer ditën e pestë pa asnjë pasojë në arritjen e rezultateve. Me një produktivitet kaq të ulët si në Maqedoni, vendosja e javës katërditore të punës do të jetë katastrofike”, thotë për MIA-n, kryetari i Lidhjes së Odave Ekonomike, Trajan Angeloski.
Shkup - Shfrytëzuesit e një pjese të rrugëve "Vojvoda Vasil Çakalarov" dhe "Osllo" në komunën e Karposhit sot prej orës 9 deri në orën 12 nuk do të kenë energji elektrike. Ashtu siç kumtoi QMK pas njoftimit të marrë nga SHA EVN Maqedoni, prej orës 11 deri në orën 14 pa rrymë do të jenë edhe shfrytëzuesit e një pjese të rrugës "Aleksandar Urdarevski", afër udhëkryqit me qarkoren, në komunën e Butelit.
Shkup – Ministria e Ekonomisë dhe Punës këtë javë pritet të deklarohet për propozimin e dhënë nga ana e Odës së re të Tregtarëve për lirimin e 100 deri 200 produkteve ushqimore, mjete për higjienë dhe ushqim të fëmijëve pasi premten ishte realizuar takim në Ministri. Siç deklaroi të premten, Danica Bllazhevska nga marketet Reptil, përfaqësuesit e tregtarëve dhe distributorëve kërkuan që të ketë ulje reale të çmimeve të 100 deri 200 produkteve. Vlerësojnë se është më mirë që bashkë me prodhuesit dhe furnizuesit të bëjnë ulje reale të çmimeve të 100 deri 200 produkteve të cilat janë më të nevojshme për jetën e përditshme që do të jetë e dukshme për qytetarët.
Shkup – Moti sot do të jetë i ndryshueshëm me vranësira me reshje të kohëpaskohshme, në male dhe në disa vende më të larta të borës, ndërsa në vendet më të ulëta të shiut, të cilat përkohësisht do të kalojnë në borë. “Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare, përgjatë Vardarit erë e kohëpaskohshme e fuqishme nga drejtimi verior. Borë të dobët do të ketë diku në rajonet malore. Temperatura minimale do të jetë në interval prej -1 deri 5 gradë, ndërsa ajo maksimale prej 3 deri 9 gradë”, njoftoi Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike.
Paris - Liderët e disa vendeve evropiane sot mblidhen në Paris për të rënë dakord për një qëndrim të përbashkët për Ukrainën para administratës së presidentit amerikan Donald Tramp. Takimi mbahet në një kohë kur administrata e Trampit po kritikon ashpër BE-në dhe synon të negociojë drejtpërdrejt me Rusinë për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë. Presidenti francez Emanuel Makron do të jetë nikoqir i përfaqësuesve nga vendet kryesore evropiane, konfirmoi ministri francez i Punëve të Jashtme, Zhan-Noel Baro.
Bruksel - Zëvendëssekretarja e përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska sot do të vizitojë Poloninë, ku do të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Qendrës së përbashkët për analizë, trajnim dhe edukim (JATEC). Qendra është struktura e parë e përbashkët civilo-ushtarake e NATO-s dhe Ukrainës, vendimi për krijimin e të cilës u mor në mbledhjen e Këshillit të Atlantikut të Veriut më 16 dhjetor të vitit të kaluar. JATEC synon të luajë një rol transformues në forcimin e sigurisë kolektive dhe të përfaqësojë një nga shtyllat e rëndësishme të bashkimit midis NATO-s dhe Ukrainës. Ai duhet të sigurojë ndërveprim ndërmjet forcave të Ukrainës dhe NATO-s dhe të kontribuojë në forcimin e parandalimit dhe mbrojtjes, parandalimin dhe menaxhimin e krizave, si dhe sigurinë e përbashkët, bazuar në mësimet e nxjerra nga pushtimi rus i Ukrainës.
Bruksel - Kërcënimet hibride, korniza e re buxhetore shumëvjeçare dhe forcimi i gatishmërisë do të jenë temat kryesore të diskutimit në takimin e sotëm jozyrtar të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së (GAK) në Varshavë. Sipas paralajmërimit të presidencës polake të Këshillit të BE-së, takimi i ministrave apo sekretarëve të shtetit për çështjet evropiane të vendeve të Unionit do të fillojë me një shkëmbim mendimesh për kërcënimet hibride me të cilat përballen anëtarët, por dhe vendet kandidate për anëtarësim në bllok. Për këtë arsye, në këtë diskutim me ftesë të Presidencës polake do të marrin pjesë përfaqësues nga vendet kandidate dhe kandidat potencial për anëtarësim në BE.
Moskë - Negociatat për përfundimin e luftës në Ukrainë do të fillojnë më 18 shkurt në Riad, me pjesëmarrjen e një delegacioni zyrtar rus, publikoi mbrëmë gazeta ruse "Komersant". Gazeta nuk publikoi se cilët do të jenë anëtarët e delegacionit rus në negociatat në Arabinë Saudite, duke thënë se në Telegram janë paraqitur informacione për përgatitje të ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergej Lavrov për vizitë në Arabinë Saudite.
Nju-Jork - Sekretari amerikan i shtetit Marko Rubio mbrëmë deklaroi se edhe Ukraina edhe Evropa duhet të përfshihen në negociatat për t'i dhënë fund luftës me Rusinë, pas frikës se SHBA-ja dhe Rusia do të zhvillojnë vetëm bisedime dypalëshe. "Përderisa fillojnë negociatat e vërteta, ndërsa ato nuk kanë filluar ende, por kur të fillojnë, Ukraina do të ftohet sepse janë ata që u sulmuan", deklaroi Rubio për televizionin amerikan Si-Bi-Es.
Uashington - Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi se në një kohë shumë të shkurtër ai mund të takohet me presidentin rus Vladimir Putin për të diskutuar për Ukrainën. Ai shtoi se po punon shumë për të arritur paqen në Ukrainë dhe beson se edhe Putini edhe presidenti ukrainas Volodomir Zelenski duan që luftimet të ndalen. Në pyetjen e gazetyrëve për datën e mundshme të një takimi me Putinin, ndoshta në Arabinë Saudite, Trampi u përgjigj: "Nuk ka një datë konkrete, por ajo mund të ndodhë shumë shpejt". Trampi, gjithashtu zbuloi se Stiven Uitkof, i cili është dhe një nga këshilltarët e tij kryesorë për çështjet ndërkombëtare, pati një takim treorësh me Putinin, por nuk specifikoi datën në të cilën u zhvillua ai.