• четврток, 25 декември 2025
MIA Flesh

15:00/ 19 dhjetor/ 2025

Shkup - Transformimi digjital nuk është vetëm vendosje e teknologjive të reja, ai është proces sistematik i cili nënkupton ndryshim të thellë në mënyrën në të cilën funksionon shteti - në kulturën e institucioneve dhe në raport drejt qytetarëve dhe bizneseve. Ajo do të thotë shërbime më të thjeshta dhe më të shpejta, më pak burokraci, më shumë llogaridhënie dhe pjesëmarrje më të madhe të qytetarëve në krijimin e politikave publike, porositi kryeministri Hristian Mickoski, në hapjen e konferencën për promovim të Strategjisë nacionale për zhvillim të TIK - SMART/MK 2030, dokument i harmonizuar me Dekadën digjitale evropiane dhe Agjendën për zhvillim.  Strategjia nacionale për zhvillim të TIK - SMART/MK 2030, thksoi Mickoski, është vizion, por edhe plan të qartë, ajo është përgjigje ndaj sfidave reale me të cilat përballet shoqëria jonë dhe udhërrëfyes për atë se çfarë shteti dëshirojmë të jemi në dekadën e ardhshme.

Shkup - Shkalla më e lartë e vendeve të lira të punës në BE vitin e kaluar është regjistruar tek menaxherët e shitjes, marketing dhe zhvillim me 8,4%. Kjo do të thotë se ky profesion kishte kërkesën më të lartë të paplotësuar për punë, duke treguar vështirësi të mundshme gjatë rekrutimit të stafit. Këto shifra janë përpiluar pjesërisht me shfrytëzimin e një burimi të ri të dhënash për shpallje onlajn për punë (OJA) dhe prandaj janë publikuar si statistikë eksperimentale e Eurostat. Profesionet tjera me shkallë më të lartë të vendeve të lira të punës ishin punëtorët në prodhimtari dhe punëtorë tjerë ndihmës në zyra (7,3% secili), punëtorë tjerë në shitje (6,1%) dhe bashkëpunëtorë artistik, kulturor dhe të kuzhinës (6,0%).

Shkup- Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) sot finalizoi Listën Zgjedhore për zgjedhjet e përsëritura për kryetar komune në komunat Gostivar, Mavrovë Rostushë, Vrapçishtë dhe Qendër Zhupë. Zgjedhjet do të mbahen menjëherë pas festave të Vitit të Ri dhe Krishtlindjeve më 11 janar 2026. Në Gostivar, në Listën Zgjedhore janë të regjistruar 82.870 qytetarë me të drejtë vote, 78.185 votues janë banorë të përhershëm të komunës, 4.604 votues janë të regjistruar në Listën e posaçme zgjedhore për personat që jetojnë jashtë vendit, ndërsa 81 persona janë në burg ose në paraburgim. Në Listën Zgjedhore për Mavrovë Rostushë janë regjistruar 10.575, nga të cilët në Listën e Posaçme Zgjedhore për banorë në Komunë 9.622, në vendet e huaja 951, ndërsa në burg ose në paraburgim janë dy.

Shkup - Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski sot mori pjesë në shënimin e gjashtë vjetorit të themelimit të Policisë Intervenuese pranë SPB Shkup. "Së bashku me anëtarët e Njësisë së Policisë Intervenuese të SPB Shkup, shënuam gjashtë vjet nga themelimi i saj - gjashtë vjet guxim, profesionalizëm dhe shërbim të përkushtuar në mbrojtjen e qytetarëve dhe rendit publik. Policia intervenuese është ndër shtyllat kryesore të sigurisë së kryeqytetit. Gjatë vitit të kaluar, ata kryen pothuajse 30,000 intervenime, dhe rezultatet janë të qarta dhe të matshme, ndër të tjera, numri i grabitjeve është ulur ndjeshëm. Këto nuk janë shifra në letër, por siguri konkrete e qytetarëve", shkroi ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski në Fejsbuk.

Shkup - Në kuadër të Strategjisë kombëtare për zhvillim të TIK - SMART/2030, sot u prezantuan dy mjete të reja digjitale që do të përshpejtojnë komunikimin mes shtetit dhe qytetarëve: Posta elektronike dhe terminalet e shërbimeve digjitale. Këto zgjidhje janë pjesë e strategjisë për një shtet modern, transparent dhe efikas digjital, i cili bazohet në katër shtylla kryesore - infrastrukturë, aftësi digjitale, e-qeverisje dhe inovacion.  Në konferencën e sotme, "Transformimi i të ardhmes. Strategjia digjitale për shoqëri moderne", ministri për Transformim Digjital, Stefan Andonovski, theksoi thelbin e Strategjisë kombëtare për zhvillim të TIK-ut - SMART/MK 2030, logjikën e saj dhe zbatimin konkret, duke nënvizuar se ajo bazohet në katër shtylla të harmonizara me Epokën digjitale evropiane.

Shkup - Të punësuarit në lavanderinë e Qendrës klinike nuk janë pjesë e sistemit shëndetësor, por janë të punësuar në një kompani private, ndërsa ligjërisht nuk guxojmë të përzihemi në sektorin privat, deklaroi sot ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve rreth informatave se të punësuarit nuk kanë marrë rroga, ndërsa çarçafët dhe i tërë materiali lahet në një kompani tjetër private. Aliu tha se bëhet fjalë për partneritet të keq të vendosur publiko-privat dhe se janë nga fundi procedurat sipas të cilave e tërë infrastruktura me kapacitet njerëzor do të jenë pjesë e sistemit shëndetësor.

Shkup - Komisioni i ekspertëve për rastin me foshnjën e vdekur në Klinikën e Gjinekologjisë në Shkup është formuar dhe do të pritet raporti i tij, si dhe raporti i autopsisë për të dalë me informatat përfundimtare. Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu në konferencën për shtyp kërkoi të mos sensacionalizohet nga rasti dhe të priten rezultatet e të gjitha institucioneve relevante. "Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor përfundoi me procedurat, kishte edhe konferencë për shtyp. Atje nuk janë shënuar procedura administrative të cilat nuk janë implementuar. Gjithashtu Komisioni është formuar, mendoj se sot janë në terren ,nëse jo sot të hënën. T'i presim rezultatet edhe të autopsisë për t'i mbledhur të gjitha rezultatet dhe do të ketë informacion", tha Aliu.

Shkup - Strategjia për arsmin 2026-2030 do të mbetet në Regjistrin kombëtar të rregulloreve (ENER) deri më 31 dhjetor për të mbledhur rekomandime dhe sugjerime tjera, ndërsa pas festave, në janar, do të miratohen. Pas publikimit të versionit përfundimtar të Strategjisë, ministrja do ta nënshkruajë, njoftoi sot ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.  Që kur është vendosur në ENER, tha ajo, deri në këtë moment kanë mbërritur shumë pak rekomandime, të cilat nuk janë thelbësore, dhe pjesa më e madhe e tyre do të përfshihen në dokument.

Shkup - Javën e ardhshme duhet të mbahet takimi i parë me ekspertët e huaj të cilët do të angazhohen për rastin me operacionet e pajustifikuara mjekësore të zemrës të zbuluara nga kardiologu intervenues Sashko Kedev. "Procedurat nga ana jonë kaluan, Janë dërguar tek ata. Aktualisht po përkthehen të gjitha materialet në gjuhën angleze. Materiali është i vëllimshëm dhe vlerësoj se takimi i parë që do të jetë onlajn do të mbahet javën e ardhshme. Nuk dëshiroj të saktësoj ditën sepse duhet të koordinohen gjithsej 20 njerëz", deklaroi sot ministri i Shëndetësisë Azir Aliu, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve në konferencën për shtyp në Ministrinë e Shëndetësisë.

Shkup - Klinika e Gjinekologjisë ku ndërroi jetë foshnja, sot përmes një njoftimi deri te mediat informoi se obduksioni ka treguar se nuk kishte lëndime fizike në asnjë nga organet dhe se shkaku i vdekjes ishte insuficienca respiratore dhe sindroma e stresit respirator, gjegjësisht papjekuria e mushkërive.  "Pas marrjes së rezultatit nga ana e Klinikës, familja u thirr rregullisht për t’u informuar personalisht për të gjitha detajet e gjetjeve. Për zhvillime të mëtejshme të rastit, Ministria e Shëndetësisë formoi një komision ekspertësh me qëllim zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e ndonjë parregullsie në trajtimin e foshnjes. Sipas përfundimit, Klinika do të veprojë sipas të gjitha procedurave ligjore të parashikuara për nisjen eventuale të një procedure disiplinore brenda afatit të lejuar kohor. Si institucion, shprehim keqardhje të thellë dhe njëkohësisht bashkëndjejmë me dhimbjen dhe humbjen e familjes. Punonjësit e KGJO-së çdo ditë luftojnë për jetët e shumë fëmijëve, por për fat të keq ndodhin edhe humbje, të cilat i përjetojmë jo vetëm si humbje profesionale, por edhe si humbje emocionale", thuhet në informacionin nga KGJO. 

Shkup - Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, së bashku me kryetaren e Odës së mjekëve, Kalina Grivçeva Stardellova, dekanin e Fakultetit të Mjekësisë në Shkup, Svetozar Antoviq, si dhe përfaqësuesit e fakulteteve të mjekësisë në Tetovë dhe Shtip prezantuan programet e reja të specializimeve, të cilat sjellin një ndryshim thelbësor në qasjen ndaj formimit të kuadrit mjekësor. "Politikat, masat dhe propozimet që i iniciojmë si Ministri e Shëndetësisë, i diskutojmë gjithmonë me kujdes me komunitetin profesional, dhe përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe partneriteti, ndërtojmë së bashku politika dhe praktika të reja në përputhje me nevojat e qytetarëve dhe të sistemit shëndetësor. Në press-konferencën e sotme po paralajmërojmë një nga ndryshimet më thelbësore në sistemin shëndetësor. Janë përcaktuar programe të reja specializimi, me të cilat ndryshon rrënjësisht mënyra se si përgatisim kuadrin mjekësor që do të jetë bartës i sistemit në vitet në vijim”, tha Aliu.

Manastir - Ministri i Punëve të jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski dhe ambassadori austriak në vend, Martin Pamer, në Manastir e hapën Konsullatën e re të nderit dhe e promovuan afaristin nga Manastiri, Igor Bozhinovski si Konsull nderi i Republikës së Austrisë. Në solemnitetin në Manastir, ministri Mucunski u falënderua për angazhimin e ambasadorit austriak për hapjen e konsullatës së nderit në Manastir, por edhe kotnributin për relacionet e shkëlqyeshme mes dy shteteve.

 Tetovë – Renditja e lartë, transparenca dhe punësimet e studentëve të diplomuar janë tre treguesit për performancat të cilat gjatë vitit të kaluar i realizoi Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL). Kjo ishte theksuar në brifingun e sotëm të rregullt të administratës së rektoratit dhe rektorit prof. dr.Sadudin Ibrahimi me gazetarët gjatë vitit të kaluar.  “Së pari, Renditja Ndërkombëtare QS, gjegjësisht Renditja 2025, tregon se Universiteti i Evropës Juglindore renditet i 126-ti në Evropën Juglindore, i treti në Maqedoninë e Veriut dhe i pari midis universiteteve me mësimdhënie në gjuhën shqipe. Kjo tregon suksesin e Universitetit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Së dyti, Universiteti i Evropës Juglindore është universiteti më transparent në Maqedoninë e Veriut. Sipas hulumtimit të fundit nga FEÇ 2025, ky rezultat konfirmon përkushtimin ndaj përgjegjësisë, qeverisjes së mirë, komunikimit të hapur që forcon besimin e studentëve, stafit dhe publikut. Së treti, sipas raportit të punësimit, rreth 60 për qind e studentëve punësohen në vitin e parë pas diplomimit, ndërsa disa fakultete si Fakulteti i Teknologjisë arrijnë në 80 për qind. Kjo tregon se arsimi që ofrojmë është i lidhur ngushtë me tregun e punës dhe e përgatit studentin për një karrierë të suksesshme”, theksoi rektori prof. dr. Sadudin Ibraimi.

Moskë - Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin sot deklaroi se Kievi nuk ka treguar gatishmëri për lëshime territoriale dhe paqe.  "Rusia deri tani nuk ka parë gatishmëri nga Kievi për ta shqyrtuar çështjen territoriale. Kievi refuzon që me paqe të përfundojë konflikti. Rusia është e gatshme dhe dëshiron që konflikti në Ukrainë të përfundojë në mënyrë paqësore", tha Putini në fillim të konferencës së tij vjetore për shtyp, ku pyetje bëjnë gazetarët dhe qytetarët. Ai theksoi se në vitin 2022, kur gjithçka arriti një "pikë kthese", kur "regjimi i Kievit nisi luftë në Donbas", Rusia theksoi se do të detyrohet të njohë LNR dhe DNR, raportoi Sputnik. "Gjithçka filloi me një grusht shteti në Ukrainë", tha Putini, duke iu përgjigjur pyetjes se si do të arrihen qëllimet – përmes luftës apo paqes.

Moskë - Presidenti rus, Vlladimir Putin sot e mbajti konferencën vjetore për shtyp, të cilën e organizon mbi 20 vite. Gjatë konferencës së sotme për shtyp ai iu përgjigj pyetjeve të qytetarëve rusë, disa të zgjedhur paraprakisht, ndërsa disa drejtpëdrejtë. Temat janë nga ekonomia dhe politika sociale deri te lufta e Rusisë në Ukrainë dhe marrëdhëniet me Perëndimin. Në murin prapa Putinit ishte një hartë e Rusisë në të cilën shihet se në kufijtë e vendit nuk është vetëm Krimea, por edhe katër rajonet lindore ukrainase që Rusia i aneksoi ilegalisht në vitin 2022 - Donjeck, Llugansk, Zaporozhje dhe Herson.

Varshavë - Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, sot deklaroi se i gëzohet kthimit në Poloni si pjesë e një vizite zyrtare, duke falënderuar presidentin e vendit Karol Navrocki për bisedën dhe duke shfyqur shpresën se vizita do të hapë një fazë të re, më thelbësore në marrëdhëniet midis dy vendeve.  Zelenski në një publikim në X deklaroi se marrëdhëniet midis Ukrainës dhe Polonisë shkojnë përtej lidhjeve fqinjësore dhe përfaqësojnë bashkëpunim midis dy shtyllave evropiane, pa të cilat nuk do të ketë liri apo siguri të sigurt në atë pjesë të Evropës. 

Uashington- Presidenti i SHBA-së, Donalld Tramp, deklaroi se e lë të hapur mundësinë për luftë me venezuelën, sipas intervistës për En-Bi-Si Njus të publikuar sot. "Nuk e përjashtoj atë, jo", deklaroi ai në intervistën telefonike. Tramp, gjithashtu, tha se do të ketë konfiskime shtesë të tankerëve të naftës në afërsi të ujërave venezuelase.

Nju Delhi - Pesë fëmijë me talasemi në shtetin indian Madija Pradesh janë infektuar me virusin HIV  pas marrjes së transfuzionit të gjakut, njoftuan autoritetet lokale, raportoi sot Bi-Bi-Si. Pacientët me talasemi, një çrregullim gjenetik i trashëguar i gjakut, kanë nevojë për transfuzione të rregullta për të shmangur aneminë e rëndë. Rastet më të reja të infeksionit me HIV shkaktuan brengë në lidhje me mënyrën që jepen transfuzionet, ndërsa autoritetet formuan komision për hetimin e incidentit. Rastet vijojnë pas infeksioneve të ngjashme në shtetin lindor Xharkand në tetor, ku pesë fëmijë nën tetë vjeç u infektuan me virusin pasi morën transfuzione në gjak në spitalin shtetëror, përkujton Bi-Bi-Si.

Gaza - Funksionari i lartë i Hamasit, Basem Naim, deklaroi se bisedimet në Majami për fazën e ardhshme të armëpushimit në Gazë duhet t'i japin fund asaj që ai e quajti "shkelje të marrëveshjes së armëpushimit nga ana e Izraelit".  Naim tha se Hamasi pret që bisedimet të rezultojnë në angazhimin e Izraelit për të respektuar marrëveshjen e arritur në Sharm el-Sheik, si dhe të rris protokollin e ndihmës humanitare në Gazë, njoftoi "Tajms of Izrael".  Ai shtoi se bisedimet duhet të përfshijnë edhe zbatimin e pjesëve të mbetura të planit të presidentit amerikan, Donald Tramp, që synojnë stabilitetin afatgjatë, rikonstruimin e Gazës dhe procesin politik që do t'u lejonte palestinezëve të vetëqeveriseshin dhe të krijonin një shtet sovran. 

Остани поврзан