
18:00/10 shkurt/2025
Shkup – Në mbledhje qeveritare nesër pritet të shqyrtohet çështja për çmimet e larta të produkteve ushqimore dhe nëse shteti do të marrë hapa për kontrollin e tyre, pas bojkotit të qytetarëve për blerje në markete gjatë dy javëve të kaluara. Në mbledhjen e nesërme të qeverisë, siç deklaroi javën e kaluar kryeministri Hristian Mickoski, Inspektorati Shtetëror i Tregut dhe Ministria e Ekonomisë duhet të dërgojnë raport dhe se janë të mundshme masa lidhur me kontrollin e çmimeve.
Shkup - Konfirmimi i bashkëpunimit të vazhdueshëm bilateral dhe diskutimi për mundësitë për avancim të mëtutjeshëm të iniciativave të përbashkëta, ishte qëllimi i takimit të sotëm të punës në Shkup të ministres së Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska me ambasadorin e sapoemëruar të Italisë, Paolo Palminteri. Bozhinovska në takim theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Italinë, si një nga partnerët strategjikë të vendit. Ajo theksoi se marrëdhëniet e suksesshme të deritanishme dypalëshe janë bazë e mirë për përforcimin e mëtutjeshëm të lidhjeve energjetike mes dy vendeve, veçanërisht në drejtim të investimeve në burimet e rinovueshme të energjetikës, efikasitetin e energjetikës dhe modernizimin e infrastrukturës.
Shkup - Pacientët që shkojnë për dializë në Spitalin e përgjithshëm të Qytetit "8 Shtatori" në Shkup, reagojnë se kanë mbetur pa transport pas përfundimit të kontratës me taksi-transportuesin. Ata duhet të marrin kompensim në para për transportin, por sipas Shoqatës së të sëmurëve në veshka "Nefron", prej tetorit nuk u janë dhënë ato mjete financiare. Dushko Gjorgiev nga Shoqata "Nefron" për MIA-n sqaron se deri në tetor një pjesë e pacientëve, kanë shfrytëzuar kanë transport të siguruar me taksi, ndërsa një pjesë kanë marrë kompensim nga Ministria e Financave në shumë prej dy apo katër biletave autobusi, në varësi se ku jetojnë. Në fund të tetorit ka skaduar marrëveshja me taksi transportin dhe për pacientët që e kanë shfrytëzuar, siç sqaron Gjorgiev, kanë të drejtë për kompensim për transport nga Ministria e Financave.
Shkup - Benzina EUROSUPER BS-95 nga sonte në mesnatë do të rritet për gjysmë, ndërsa Vaji ekstra i lehtë për amvisëri për një denar për litër, ndërsa të njëjta mbeten çmimet e EUROSUPER BS-98 dhe EURODIEZEL (D-E V), vendosi sot Komisioni Rregullator për Energji, Shërbime Ujore dhe Shërbime për Menaxhimin e Mbeturinave Komunale (KRRE). Me vendimin rriten çmimet me pakicë të derivateve të naftës mesatarisht me 0,63 për qind.
Sveti Nikollë - Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, i shoqëruar nga zëvendësministrja Ane Lashkoska ishte për vizitë pune në komunën e Sveti Nikollës, ku së bashku me kryetarin e komunës, Dejan Vlladev vizituan lokacionin ku po ndërtohet kanalizimi fekal në fshatin Mustafinë, me gjatësi prej 8 kilometra, informojnë nga MMJPH. Projekti për ndërtimin e kanalizimit fekal në fshatin Mustafinë është projekt shumëvjeçar dhe financohet nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, që ka lidh kontratë në vlerë prej 32,5 milionë denarë për ndërtim dhe kontratë në vlerë prej 165 mijë denarë për kryerjen e mbikëqyrjes teknike eksperte.
Tiranë - Fushatën zgjedhore të opozitës së bashkuar shqiptare, të udhëhequr nga Partia Demokratike, do ta udhëheq Kris La Sivita, kryetar i Komitetit kombëtar republikan amerikan. "Kryearkitekti i triumfit të Trampit do të udhëheqë fushatën e PD-së dhe opozitës së bashkuar për fitoren në zgjedhjet e 11 majit. Sot është një ditë e madhe jo vetëm për PD-në dhe opozitën shqiptare, por edhe për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj. Këtu jam para jush me Kris La Sivita, bashkëarkitektin e fushatës më të fuqishme, më të jashtëzakonshme për rivendosjen e të drejtave të votës së lirë në të gjithë historinë njerëzore, kthimin e Presidentit Donald Tramp në Shtëpinë e Bardhë”, tha Berisha në konferencë për shtyp.
Tiranë - Me urdhër të Prokurorisë së posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit (SPAK), pasdite u arrestua kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. "Pas periudhës së kaluar të hetimit për katër vepra penale, agjentë të Byrosë kombëtare për hetime, kanë hyrë në ambientet e Komunës, duke e ekzekutuar urdhërin kundër tij. Burime të afërta me SPAK-un, konfirmojnë se prokurorët specialë kanë kërkuar nga Gjykata e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (GJKKO) masa të sigurisë 'arrest me burg' jo vetëm për Veliaj, por edhe për një funksinar të lartë, ndërsa burg shtëpiak për bashkëshorten e Veliajt, Ajolla Xoxa", njoftuan mediumet shqiptare.
Athinë - Në një periudhë prej 20 minutash në zonën detare midis ishujve grekë Santorini dhe Amorgos sot u regjistruan tre tërmete të njëpasnjëshme me magnitudë 4, 4.3 dhe 4.9 sipas shkallës së Rihterit, paralelisht me serinë e tërmeteve më të vogla prej rreth 3 ballë, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina. Tërmete mbi 4 ballë u regjistruan edhe mbrëmë, siç njoftoi paraprakisht MIA, prej të cilëve më i forti ishte 5 ballë.
Berlin - Presidenti i Ukrainës Vollodimir Zelenski do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih (MSC) në fund të kësaj jave, kumtuan sot organizatorët. Ata shfaqën shpresë se forumi do të shfrytëzohet për përparimin drejt paqes në Ukrainë. Në ngjarjen diplomatike, e cila do të mbahet nga e premtja deri të dielën, do të marrin pjesë edhe përfaqësues të administratës së presidentit amerikan, Donald Tramp.
Bukuresht – Presidenti i Rumanisë, Klaus Johanis sot dha dorëheqje. Siç informuan agjencitë botërore, partitë opozitare në Parlamentin rumun planifikuan të fillojnë proces për revokimin e Johanis. Gjykata Supreme rumune paraprakisht gjykoi se Johanis, mandati i të cilit skadoi më 21 dhjetor, duhet të mbetet në funksion deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja më 4 maj. Para rrethit të dytë të zgjedhjeve presidenciale në dhjetor, gjykata i anuloi rezultatet nga rrethi i parë dhe paralajmëroi se duhet të përsëritet i gjithë procesi zgjedhor.
Bruksel – Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen nesër në margjinat e Samitit për të ardhmen e inteligjencës artificiale, që po mbahet në Paris, do të takohet me nënpresidentin amerikan Xhej – Di Uens. “Mund të konfirmoj se kryetarja nesër do të takohet me nënpresidentin e SHBA-së, Xhejms Dejvid Uens dhe ky takim do të mbahet në Paris”, deklaroi sot zëvendësi i zëdhënësit kryesor të Komisionit Evropian, Stefan de Kersmaker.
Guatemala Siti - Të paktën 30 persona e kanë humbur jetën në Guatemala Siti, kur një autobus ra nga ura. Kryetari i bashkisë së Guatemala Sitit, Rikardo Kinonjes tha se ekipe të ndihmës së shpejtë janë në terren, ndërsa policia e trafikut po tenton të vendos ruta alternative. Në fatkeqësinë e komunikacionit ka persona të lënduar, por ende nuk është i njohur numri.
Guatemala Siti – Presidenti i Guatemalës, Bernard Arevalo shpalli tri ditë zie kombëtare pas aksidentit të sotëm të komunikacionit në të cilin humbën jetën të paktën 51 persona. Aksidenti ka ndodhur kur një autobus ra nga ura në autostradën në Guatemala Siti. Autobusi ra në një përroskë të mbushur me ujëra fekale, ndërsa të mbijetuarit janë bllokuar nën automjet.
Kolombo - Qeveria e Sri Lankës ka fajësuar një majmun për ndërprerjen e energjisë elektrike në mbarë vendin. Sipas ministres së Energjetikës, Kumara Jajakodi, ndërprerja e energjisë ka ndodhur kur një majmun ka hyrë në termocentralin Panadura, në jug të Colombo, dhe ka rënë në kontakt me një transformator rrjeti. Ndërprerja e rrymës la miliona pa rrymë për orë të tëra dhe ndikoi në spitalet, impiantet e trajtimit të ujit dhe sistemin hekurudhor. "Majmuni goditi një linjë elektrike në termocentral, duke shkaktuar një çekuilibër momental në sistem dhe rrjeti kombëtar doli jashtë linje," deklaroi Xhajakodi për gazetarët.
Uashington - Demokratët në Senatin amerikan, të cilët po luftojnë kundër veprimeve të Donald Trampit që synojnë agjencitë federale, sot hapën një portal onlajn për informatorë. Demokratët i shkruan një letër publike zyrtarëve shtetërorë dhe zyrtarëve të tjerë publikë në të cilën i informuan për portalin për raportimin e shkeljeve, keqpërdorimin e autorizimeve dhe kërcënimeve ndaj sigurisë publike.
Nju Jork - Kombet e Bashkuara kanë akuzuar Forcat paraushtarake për mbështetje të shpejtë, të cilat janë pjesë e forcave të armatosura sudaneze, se po pengojnë dërgimin e ndihmave jetike në rajonin e Darfurit të goditur nga uria, transmetuan agjencitë botërore. "Kufizimet e vazhdueshme dhe pengesat burokratike" të vendosura nga Forcat paraushtarake për mbështetje të shpejtë po pengojnë që ndihma të arrijë tek ata që kanë nevojë. Bota po shikon dhe është e papranueshme që komuniteti humanitar në Sudan nuk është në gjendje të ofrojë ndihmë jetike," tha Klementin Nkveta-Salami, koordinatore humanitare e OKB-së në Sudan.