• сабота, 22 февруари 2025
MIA FLESH

18:00 / 11 shkurt / 2025

Shkup - Qeveria vendosi të kufizojë marzhet në tregtinë me pakicë për 10 për qind dhe me të njëjtën përqindje në tregtinë me shumicë. Kufizimi i marzhit do të zgjasë deri më 30 prill. Do të përfshihen produktet ushqimore bazë, detergjentët dhe ushqimi për fëmijë. Zëdhënësja e Qeverisë Marija Miteva pasdite në konferencë për media tha se një vendim i tillë është marrë në bazë të raportit të Inspektoratit Shtetëror të Tregut, i cili tregon se shitësit me pakicë kanë mbi 20 për qind marzh tek produktet ushqimore bazë dhe mbi 30 për qind marzh në produktet e higjienës personale. Tek importuesit dhe distributorët janë vendosur marzhe më të larta, të cilat shkojnë madje edhe deri 50 për qind. 

Shkup - Ministria e Arsimit dhe Shkencës promovoi sot aplikacionin celular për qasje në ditarin elektronik (E-Ditaar) i dedikuar për mbi 200 mijë prindër dhe kujdestarë, i cili do t'u mundësojë atyre të monitorojnë shpejt dhe me lehtësi përparimin arsimor të fëmijëve të tyre. Për këtë risi sot në konferencë për media informoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Vesna Janevska, e cila theksoi se aplikacioni mundëson vështrim në orarin dhe përmbajtjen e orëve mësimore të nxënësve, rregullsinë e orëve - mungesat e arsyetuara dhe të paarsyetuara, detyrat e shtëpisë notat e marra dhe dëftesat e lëshuara.

Shkup - Qeveria ka marrë vendim që të inicojë procedurë për shkarkimin e prokurorit publik shtetëror Ljupço Kocevski. Vendimin, pasdite në konferencë për shtyp e kumtoi zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva. Sipas Ligjit për Prokurorinë Publike, prokurorin republikan e zgjedh dhe e shkarkon Kuvendi, ndërsa e propozon Qeveria nga ata kandidatë për të cilët ka marrë mendim pozitiv nga Këshilli i Prokurorëve Publikë.

Shkup - Qeveria ka marrë vendim që të inicojë procedurë për shkarkimin e prokurorit publik shtetëror Ljupço Kocevski. Vendimin, pasdite në konferencë për shtyp e kumtoi zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva. "Zhgënjimi i Qeverisë nga veprimi jashtë kompetencave ligjore, zhgënjimi i qytetarëve me sistemin që nuk funksionon dhe vazhdimi i përditshëm i situatave të tilla rezulton me prishje të besimit dhe mosfunksionim të shtetit ligjor”, tha Miteva. Zëdhënësja e qeverisë i shpjegoi argumentet dhe arsyet për të cilat është marrë një vendim i tillë.

Shkup - Në seancën e sotme të Qeverisë është marrë vendim për rikonstruimin dhe ndërtimin e një krahu të ri të spitalit "Shën Erazmo" në Ohër, publikoi Aleksandar Nikolloski, zëvendëskryeministër dhe ministër i Transportit në profilin e tij në Fejsbuk. Me vendimin e sotëm për këtë qëllim janë paraparë dy milionë euro dhe me këtë, ka shkruar ai, realizojmë edhe një premtim.

Shkup - Ajo që po hapim si çështje, nuk është përgjegjësi e shefit të Shtatmadhorisë, por e ministrit të Mbrojtjes, tha presidentja Gordana Siljanovska-Davkova për reagimet nga BDI se ka përjashtim të shqiptarëve nga pozitat drejtuese në mbrojtje. "Unë nga kurreshtje pyeta, përgjigja ishte se bëhet fjalë për të njëjtat organe, të njëjtit persona, vetëm se në reformat ka riemërtime. Edhe unë e kam dëgjuar këtë, mendoj se duhet kontrolluar dhe mendoj se po, duhet pasur kujdes për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat. Por, potencoj se duhet një herë e përgjithmonë të merremi vesh se çfarë do të thotë realisht përfaqësim i drejtë dhe adekuat", theksoi Siljanovska-Davkova, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas manifestimit "Mëngjesi i grave globale 2025".

Shkup - Shoqata e dermatovenerologëve të Maqedonisë, Asociacioni i Maqedonisë së kirurgëve plastikë, rikonstruktivë dhe estetikë dhe Shoqata e mjekësisë estetike po kërkojnë ndryshimin e Ligjit për shëndet publik në mënyrë që të kufizohet mundësia e kryerjes së ndërhyrjeve mjekësore estetike nga persona që nuk kanë kualifikim mjekësor, me çka do të forcojë standardet e sigurisë dhe cilësisë në këtë fushë. "Iniciativa është për shkak të keqpërdorimit gjithnjë e më të shpeshtë të pajisjeve mjekësore në kontekst të nevojës së mbushësve hilauronik, neurotoksinës nga ana e personave jomjekësorë dhe shtimit të numrit të komplikimeve nga të njëjtat", thotë dr. Igor Peev nga Shoqata e Dermatovenereologëve.

Shkup - Ministri për Çështje Evropiane Orhan Murtezani dhe Ambasadori i sapoemëruar i Republikës së Italisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Paolo Palminteri në takimin e sotëm në Shkup e konfirmuan angazhimin e tyre të përbashkët për thellimin e bashkëpunimit dypalësh, me qëllim përfundimtar përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut. Murtezani, siç kumtoi MÇE, e përshëndeti mbështetjen e vazhdueshme dhe parimore të Italisë për politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian, si një nga shtetet anëtare themeluese.

Shkup - Kryeministri Hristijanski Mickoski sot deklaroi se përzgjedhja e kandidatëve për anëtarë të Agjencisë për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele (ASHMAA) është bërë në përputhje me dispozitat ligjore dhe atë funksion mund ta kryejë kushdo që i plotëson. "Zgjedhja e anëtarëve të ASHMAA-së, si dhe zgjedhja e ushtruesve të funksioneve të larta shtetëtore dhe publike, bëhet në bazë të dispozitave ligjore dhe kushdo që i plotëson, ndërsa është i propozuar ta kryejë atë funksion, do ta kryejë. Bazuar në ndjenjat dhe deklaratat që na çojnë në përmirësimin e atij procesi, unun nuk do të bëj asnjë koment. Por, kushdo që plotëson kushtet ligjore, dhe sigurisht kushtetuese, në këtë vend mund të zgjidhet në çdo pozicion për të cilin do të propozohet. Ai që nuk i plotëson nuk do të jetë i propozuar, thotë Mickoski në pyetjen e gazetarëve për koment për reagimet e pretenduar nga ambasadat e huaja për profesionalizimin e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të ASHMAA-së dhe politizimin e saj. 

Shkup – Për shkak të një defekti në rrugën “Filipi i Dytë” para Qendrës Tregtare të Qytetit (QTQ), ndërprerje në furnizimin me ujë gjatë ditës së nesërme do të kenë shfrytëzuesit e qendrës tregtare, informojnë sot nga Ndërmarrja Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Shkup. Siç sqarohet në kumtesë, QTQ do të jetë pa ujë prej orës tetë, e deri në sanimin e defektit.

Gostivar – Në takimin e fundit të kryetarëve të komunës Gostivar, Valbon Limani dhe të komunës Gjilan, Alban Hyseni është arritur marrëveshje për zbatimin e përbashkët të projektit të financuar nga programi IPA 3. Sipas informacioneve nga Komuna Gostivar bëhet fjalë për projekt i cili ka për qëllim përmirësimin e qëndrueshmërisë ekologjike, uljen e ndikimit të ndryshimeve klimatike dhe rritje të cilësisë të jetës së qytetarëve në të dyja komunat. Kryetari Limani vlerëson se me marrëveshjen e arritur bëhet hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe bashkëpunimit rajonal. 

Prishtinë - Shefja e Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Kosovë, Natali Loazo, theksoi sot se deklaratat e të dërguarit special të SHBA-së, Riçard Grenell, ishin jodiplomatike, ndërsa fjalimin e partisë në pushtet e vlerësoi si negativ. “Ne kemi qenë dëshmitarë të ndërhyrjeve të të dërguarit amerikan Riçard Grenell në rrjetet sociale kur ai kritikoi kryeministrin Albin Kurti dhe kjo mund të cilësohet si diçka jodiplomatike”, theksoi Loazo në konferencë për shtyp duke prezantuar raportin preliminar për monitorimin e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.

Tiranë – Kryeministri shqiptar Edi Rama arrestimin e kryetarit të Tiranës, Erion Veliaj, me urdhër të SPAK, e vlerëson shkelje të standardeve demokratike. Në një reagim për rrjetin e gazetarëve BIRN, Rama qëndroi në mbrojtje të kryetarit të Tiranës, duke bërë të ditur se Erion Veliaj do të mbetet në funksion. Rama e cilëson ndalimin e tij si shkelje të standardeve demokratike dhe se dosja hetimore ngjan me një roman voluminoz mbi gërmimet e kryera në jetën e tij dhe të bashkëshortes së tij.

Tiranë – Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, reagoi pas arrestimit të tij dhe masave të sigurisë kundër bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, i cili në një shkrim në rrjetet sociale, e shprehu pakënaqësinë e tij nga procesi vijues, duke e quajtur jo korrekt dhe absurd. “Nuk më befason ky fund absurd i këtij kapitulli të gjatë zvarritjeje sa në gojët e qenërisë mediatike dhe sa në duart e një prokurori lunatik, që është një fyerje e gjallë e inteligjencës njerëzore. Por, ky ishte vetëm kapitulli i parë. Tani unë nuk kam më detyrimin të hesht për çfarë më kanë parë sytë në sjelljen me familjen time dhe më kanë dëgjuar veshët nën çatinë e SPAK-ut. Kam respektuar, si gjithë të tjerët, vijën tonë politike, jo komente për një proces të hapur nga drejtësia”, shkruan ai.

Strasburg - Në tre vitet e fundit që nga fillimi i agresionit rus kundër Ukrainës, populli ukrainas ka treguar guxim dhe qëndrueshmëri mbresëlënëse, dhe ukrainasit kanë qëndruar së bashku për të mbrojtur jo vetëm vendin e tyre, por edhe vlerat e tyre, lirinë e tyre dhe të ardhmen e tyre që ata e shohin si anëtare të Bashkimit Evropian, tha sot komisionerja evropiane për zgjerim, Marta Kos në fjalimin para Parlamentit Evropian në Strazburg në debatin “Vazhdimi i mbështetjes së palëkundur të BE-së për Ukrainën, tre vjet pas agresionit rus”. "Guximi dhe qëndrueshmëria e popullit ukrainas kanë frymëzuar botën, por vet frymëzimi nuk mjafton. Kjo nuk është vetëm lufta e Ukrainës. Është një luftë për vlerat e lirisë, paqes dhe sigurisë që na përcaktojnë të gjithëve, deklaroi Kos.

Paris - SHBA-ja dhe Britania e Madhe nuk e kanë nënshkruar deklaratën themelore në Samitin për intelegjencë artificiale në Paris. Mes prioriteteve të përmendura në dokument janë "garantimi se intelegjenca artificiale është e hapur, inkluzive, transprenca, etike, e sigurtë, me shpresë dhe se meriton besim, duke i marrë parasysh kornizat ndërkombëtare për të gjithë", si dhe "të bëhet intelegjencë artificiale, të qasshme për njerëzit në vend".

Bukuresht - Gjykata Kushtetuese e Rumanisë emëroi kryetarin aktual të Senatit, Ilie Bolozhan për president të përkohshëm të vendit, njoftojnë mediat lokale. Ai do të marrë funksionin nesër. Pritet që Bolozhan deri në fund të ditës të largohet nga pozicioni i liderit të Partisë Kombëtare Liberale, pasi presidenti i Rumanisë nuk lejohet të jetë anëtar i asnjë partie politike. Ky vendim vjen pas dorëheqjes së djeshme të presidentit aktual, Klaus Johanis.

Bruksel - Bashkimi Evropian ende nuk ka detaje rreth vendimit të presidentit amerikan Donald Tramp për vendosjen e tarifave prej 25 për qind për importet e çelikut dhe aluminit në SHBA dhe tani për tani nuk mund të japë informacion për hapat konkretë që do të ndërmarrë, deklaroi sot zëdhënësi i Komisionit Evropian për siguri ekonomike, tregti, shërbime financiare dhe dogana, Olof Gill. "Kemi urdhrin ekzekutiv nga presidenti Tramp, por kolegët tanë amerikanë nuk kanë publikuar detaje të masave, kështu që ka ende shumë paqartësi," ka thënë Gill.

Bruksel - Anëtarët e NATO-s e arritën qëllimin e tyre në vitin 2024 dhe siguruan më shumë se 50 miliardë euro ndihmë për Ukrainën, ndërsa Evropa dhe Kanadaja kontribuan më shumë se gjysmën, deklaroi sot zëdhënësja e NATO-s, Alison Hart. "Më shumë se gjysma e kësaj vjen nga aleatët evropianë dhe Kanadaja", tha ajo, duke shtuar se ndihma e mbetur për Ukrainën vjen nga SHBA-ja. Administrata e presidentit amerikan Donald Tramp po ushtron presion ndaj aleatëve evropianë të NATO-s që të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen dhe të marrin një rol më të madh në mbështetjen e Ukrainës kundër pushtimit gjithëpërfshirës trevjeçar rus.

Bruksel - Kryetari i Këshillit të BE-së, Antonio Koshta porositi se tërësisht e përkrah Komisonin Evropian në sigurimin e përgjigjes së fuqishme dhe adekuate ndaj "doganave të papërgjegjshme" për import të çelikut dhe aluminiumit në SHBA, që me vendim të presidentit Donald Tramp duhet të hyjnë në fuqi prej nesër. "BE-ja është e bashkuar në mbrojtje të interesave të bizneseve, punëtorëve dhe qytetarëve të vet. Ne jemi partner i besueshëm dhe i parashikueshëm. Do të vazhdojmë të angazhohemi për tregti të drejtë globale", njoftoi Koshta në platformën "Iks".

Ankara - Pas një sërë tërmetesh në Santorini, deti në Izmir dhe shumë vende të tjera përgjatë bregut të Egjeut është tërhequr me më shumë se 200 metra, publikuan mediat turke. Deti ka filluar të tërhiqet që nga 8 shkurti, ndërsa sot është tërhequr për më shumë se 300 metra në zonën Çeshme dhe portin e Alaçati, ndërsa niveli i ujit në rrethin Dikili dhe Bodrum ka rënë për më shumë se gjysmë metri, duke lënë pas shumë varka të bllokuara, shkruan Anadolia. Megjithëse qytetarët u shqetësuan, duke e lidhur këtë fenomen me tërmetet në Santorini, ekspertët pohojnë se uji i detit u tërhoq për shkak të erërave të forta veriore dhe se është një proces natyror.

Sana - Huthët jemenas, të mbështetur nga Irani, të cilët kontrollojnë pjesën më të madhe të Jemenit perëndimor, duke përfshirë kryeqytetin Sana, janë të gatshëm të nisin sulme ndaj Izraelit nëse ai rinovon sulmet në Gazë dhe nuk respekton marrëveshjen për armëpushim, deklaroi lideri i grupit, Abdul Malik al-Huthi. Para arritjes së armëpushimit në konfliktin midis Izraelit dhe Hamasit, Huthët kryen sulme ndaj anijeve izraelite dhe të lidhura me Izraelin në Detin e Kuq, me çka shkaktuan ndërprerje të zinxhirëve global për furnizim. Grupi pohoi se veprimet e tij ishin akt solidariteti me palestinezët në Gazë. 

Teheran – Gazetaret e shpërblyera iraniane Nilufar Hamedi dhe Elahe Mohamedi janë falur, publikuan sot dy gazeta iraniane. Të gjitha procedurat juridike kundër Hamedit dhe Mohamedit janë anuluar, njoftuan gazetat Sharg dhe Hamihan, duke iu referuar avokatëve të gazetarëve. Hamedi dhe Mohamedi ishin në mesin e raportuesve të parë në Iran të cilët publikuan lajmin për arrestimin dhe vdekjen e Mahsa Amini, iraniane e re me origjinë kurde, në shtator të vitit 2022. Ajo ndërroi jetë derisa ishte në paraburgim nga qeveria, pasi ishte arrestuar për kinse mbajtje të shamisë në mënyrë të gabuar. 

Paris - Pari Sen Zhermeni ka mbajtur bisedime befasuese me kampin e Vinisius Zhuniorit, pasi ky i fundit refuzoi ofertën e fundit të rinovimit nga Real Madridi, shkruan "Skaj sports". Pas negociatave mes Realit dhe përfaqësuesve të 24-vjeçarit rreth dy javë më parë, nuk u arrit marrëveshje, ndërsa lojtari refuzoi ofertën fillestare për vazhdimin e kontratës, pasi pret kushte më të mira financiare nga klubi. Kampioni francez po monitoron situatën rreth brazilianit dhe mund të bëjë kërkesë zyrtare nëse Real Madridi nuk përmbush kërkesat e Vinisiusit.

Остани поврзан