• четврток, 23 јануари 2025

MIA Flesh

MIA Flesh

15:00/23/2025

Shkup - Kryetari i Qeverisë Hristijan Mickoski, së bashku me anëtarë të delegacionit, me të cilin është në Uashingotn, ka realizuar takim me familjen Rusi, me prejardhje nga Dibra, e cila disa gjenerata jeton në SHBA. Në rrjetet sociale ai publikoi se në takimin u bisedua për mundësitë për përforcimin e lidhjeve me diasporën, si dhe për projekte që do të sjellin përfitime për qytetarët. "Në kuadër të vizitës në SHBA, me bashkëpunëtorët e mi realizova takim me familjen Rusi - familje e njohur shqiptare nga Dibra, e cila më shumë gjenerata jeton dhe punon në SHBA. Ata janë shembull për shqiptarë të suksesshëm nga Maqedonia, të cilët nuk e kanë harruar atdheun e tyre dhe dëshirojnë të ndihmojnë në përparimin e tij. Biseduam për mundësitë për përforcimin e lidhjeve mes diasporës dhe Maqedonisë, si dhe për projekte të cilat do të na sjellin përfitime për të gjithë qytetarët", ka shkruar Mickoski në Fejsbuk.

Shkup  – Kryetari i Këshillit të Ambasadorëve të Shqipërisë, Genci Mucaj është optimist se Maqedonia e Veriut së shpejti do t’i bashkëngjitet Shqipërisë, i cila i filloi bisedimet me BE-në me hapjen e klasterit të parë, dhe se do të gjendet zgjidhje me palën bullgare për zhbllokimin e integrimit evropian.  “Nuk jemi të lumtur që jeni pas neve, do të donim të ishim bashkë në rrugën e integrimeve evropiane. Ne jemi evropianë, deri më tani duhej të ishim pjesë e BE-së. Nuk shoh arsye pse ju së shpejti të mos na bashkëngjiteni, pa marrë parasysh shtyrjen. Nuk ka arsye pse integrimi evropian i vendeve të rajonit të ishte bllokuar”, thotë ambasadori Mucaj, nga Këshilli i Ambasadorëve të Shqipërisë i cili bashkë me Këshillin e Ambasadorëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut është bashkëorganizator i punëtorisë rajonale “Dialogu me shoqërinë civile për ndryshime në Ballkanin Perëndimor”.

Kumanovë  - Euroambasadori Mihalis Rokas sot është takuar me kryetarin e Komunës së Kumanovës dhe me anëtarët e Këshillit. Aktiviteti është pjesë e serisë së vizitave komunale, përmes të cilave qytetarët dhe institucionet kanë mundësi të njoftohen me përfitimet e procesit të aderimit në Bashkimin Evropian. Rokas në deklaratën për media potencoi se kjo është vizita e tij e parë në Kumanovë dhe e theksoi debatin e mirë me këshilltarët. Vizitën, siç theksoi ai, e ka shfrytëzuar që t'i dëgjojë mendimet e faktorëve të ndryshëm në qytet. Për Kumanovën tha se ndodhet në pozicion strategjik në mes të korridoreve 8 dhe 10 dhe u bëri thirrje autoriteteve lokale që së bashku me BE-në dhe me shtetin të punojnë në përshpejtimin e reformave.

Shkup  - "TAV Maqedoni", operatori i dy aeroporteve në vend, Aeroportit ndërkombëtar - Shkup dhe Aeroportit "Shën Apostull Pali" - Ohër, e njofton dhe paralajmëron opinionin për faqe dhe profile të rreme në rrjetet sociale, përmes të cilave gjoja shitet një bagazh i humbur në aeroport. "'TAV Maqedoni', filiali i 'TAV Aeroportet', dëshiron ta informojë, e në të njëjtën kohë ta paralajmërojë opinionin se, për fat të keq, ka faqe dhe profile të rreme në rrjetet sociale, ku gjoja shitet një bagazh i humbur i Aeroportit ndërkombëtar - Shkup. Këto publikime të rreme në rrjetet sociale, përmes të cilave përhapen informata të rreme për gjoja shitjen e një bagazhi të humbur në emër të Aeroportit ndërkombëtar - Shkup, respektivisht operatorit të aeroportit 'TAV Maqedoni', e pastaj shfrytëzuesit orientohen në linqe deri në ueb faqe, ku kërkohen të dhëna personale dhe hollësira nga llogaritë bankare, me qëllim që të mashtrohen për të bërë transaksion", njoftojnë nga "TAV Maqedoni", përmes kumtesës.

Shkup  – Ngjarjet e 27 prillit janë vërtet krim i rëndë kundër shtetit, por edhe atëherë edhe tani i bëmë thirrje prokurorit publik që të hetojë kush janë organizatorët, thanë avokatët e të akuzuarve për rastin “Organizatorët e 27 prillit”, pasi Gjykata Themelore Penale Shkup sot e pranoi kërkesën për amnisti për të akuzuarit, ish ministrat Mile Janakieski dhe Spiro Risteski, ish kryeparlamentarin Trajko Veljanovski dhe ish drejtorin e DSK-së, të akuzuarin Vlladimir Atanasovski. Sipas avokatit Jordan Apostollski, pas gjashtë vitesh paraburgim, arrest shtëpiak dhe sjellje poshtëruese, Gjykata ka marrë vendimin e vetëm të mundshëm, ajo është lirimi dhe amnistimi i të akuzuarve.

 Shkup - Nxitja e ciklit të fuqishëm të rritjes ekonomike, përmirësim të infrastrukturës së transportit, rritje  të standardit jetësor, krijimin e vendeve të punës cilësore, modernizim të sistemit arsimor dhe përshpejtim të transformimit digjital janë vetëm disa nga prioritetet strategjike për periudhën 2024 - 2028. Në funksion të realizimit të  tyre  është edhe Programi për punë i Qeverisë për vitin 2025 që u miratua në seancën e fundit. Siç informoi sot zëdhënësja e qeverisë Marija Miteva, duke e prezantuar Programin, ringjallja ekonomike e shtetit është prioritet kryesor. Sipas Mitevës, është caktuar dinamika mujore për realizimin e Programit, i cili është konfirmim i transparencës dhe parashikueshmërisë së Qeverisë. 

Shkup - Sot kam nderin të marr pjesë në mbarështimin artificial të troftës së Ohrit. Ky aktivitet po realizohet pas 6 viteve pauzë, theksoi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, gjatë një deklarate për mediat nga Ohri. “Me këtë qëllim, vitin e kaluar u nënshkruan marrëveshje me Institutin hidrobiologjik të Ohrit dhe Institutin e Blegtorisë dhe Peshkimit të Shkupit për realizimin e mbarështimit artificial dhe popullimin e liqenit me peshq. Aktiviteti i sotëm ka për qëllim kapjen e peshqve amtarë dhe mbledhjen e vezëve të peshkut, ku të dy institucionet, sipas detyrimeve të kontratës, duhet të mbledhin 1.050.000 vezë të peshqve, prej të cilave do të rritet pasardhës për popullimin e liqenit”, shtoi ministri.

Manastir - Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor MMJPH informon se të dhënat nga Sistemi  i Automatizuar për Monitorim të Cilësisë së Ajrit  dhe sipas parashikimit të motit nga Administrata për Punë Hidrometeorologjike, pragu i alarminit për grimcat suspenduese me madhësi deri në 10 mikrometra është tejkaluar në vendin e matjes Manastir – Manastir2 (është tejkaluar vlera kufitare prej 150 mg/m3 gjatë dy ditëve të njëpasnjëshme). Nga MMJPH theksojnë se përqendrimet mesatare ditore të PM10 në pikën matëse Manastir-2 në datat 21 dhe 22 janar kanë tejkaluar pragun e alarmit dhe për këtë arsye është e nevojshme të intensifikohen mbikëqyrjet e jashtëzakonshme inspektuese të instalimeve me A. Leje të integruara ekologjike, si dhe mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuse në terren për kontrollin e instalimeve me B- leje të integruara ekologjike. 

Dibër  – Një mësimdhënës në një shkollë rajonale në fshatin Zhepishtë të Dibrës, fizikisht ka sulmuar një nxënës në shkollën e njëjtë, e cila funksionon në kuadër të Shkollës Fillore Komunale “Penestia” – Dibër. Sipas Stefan Dimoski, zëdhënës i Sektorit të Punëve të Brendshme – Ohër, rasti është denoncuar dje në orën 15.30.  “Në DPB Dibër është raportuar se E.S. (54), mësimdhënës në një shkollë rajonale në fshatin Zhepishtë të Dibrës, fizikisht ka sulmuar një nxënës në shkollën e njëjtë. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit, pas çka do të parashtrohet padi adekuate”, informoi Dimoski.

Strugë – Një mjek nga Vevçani pa licencë të vazhduar më shumë se dy vjet ka punuar në Spitalin e Përgjithshëm në Ohër me çka e ka dëmtuar Institucionin Shëndetësor Publik.  SPB Ohër sot njoftoi se është parashtruar padi penale kundër M.R. (44) nga Vevçani për shkak të ekzistimit të dyshimeve për vepër të kryer penale “punë të papërgjegjshme në shërbim”.  “I denoncuari, mjek i punësuar në ISHP ‘Spital i Përgjithshëm’ në Ohër, nuk e ka përmbushur detyrimin e tij ligjor për vazhdimin e licencës për punë me afat prej 28.02.2015 deri 28.02.2022 dhe ka vazhduar me punë pa poseduar licencë për punë. Njëkohësisht, ai ka pranuar kompensim të rregullt mujor për pagë dhe shtesa të tjera, me çka e ka dëmtuar Institucionin Shëndetësor Publik”, qëndron në SPB Ohër.

Shkup  - Ministria e Drejtësisë informoi se është duke punuar intensivisht për ndryshimet në Ligjin për Këshillin Gjyqësor dhe Kodin Penal, duke bërë me dije se në periudhën e kaluar janë formuar grupe të punës për përgatitjen e propozim-ndryshimeve dhe se pret sa më shpejtë grupet e punës të dalin me propozim zgjidhje ligjore. Për kryetar të grupit të punës për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshill Gjyqësor është emëruar Mirjana Lazarova Trajkovska, gjykatës në Gjykatën Supreme të RMV-së.

Shkup  - Komunikacioni në rrugët shtetërore zhvillohet në kushte dimërore, nëpër disa vende në rrugë me lagështi. Ulje të dukshmërisë për shkak të mjegullës prej 50 deri në 100 metra ka në Manastir, Prilep, Gostivar, Shtip dhe Strumicë. NP "Rrugët e Maqedonisë" paralajmëron se në disa drejtime të caktuara rrugore që kalojnë nëpër gryka janë të mundshme rrëshqitje të vogla të dheut dhe apelohet për drejtim të kujdesshëm të automjeteve, respektim të sinjalistikës së komunikacionit dhe përshtatje të shpejtësisë sipas kushteve në rrugë.

Shkup – Vazhdon periudha e motit të qëndrueshëm dhe relativisht të ngrohtë, veçanërisht në vendet më të larta dhe në male, për çka shtresa e borës edhe më tutje do të ulet. Nëpër lugina moti do të jetë me mjegull dhe më i ftohtë, veçanërisht në orët e paradites, informojnë sot nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike.  Për nesër parashikohet më ngrohtë të jetë në Gjevgjeli, ku pritet temperaturë maksimale prej 15 gradë. Në Shkup, temperatura nesër pritet të lëvizë prej 1 deri 6 gradë.

Sofje - Kryeministri bullgar, Rosen Zhelazkov, në takim me kryetarin e e Këshillit Evropian, Antonio Koshta, shprehu mbështetje për zgjerimin e BE-së, por sipas parimit të meritave të veta, gjegjësisht të obligimeve të përmbushura, transmeton BTA. Zhelazkov pas takimit me Koshtën në Strasburg, deklaroi se kanë diskutuar për çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me agjendën e BE-së lidhur me zgjërimin. "Kemi konfirmuar qëndrimin tonë, që ka të bëjë me vendet e Ballkanit Perëndimor - se i përmbahemi parimit të meritave tona, siç disa herë dhe vazhdimisht e kemi thënë", theksoi kryeministri i ri bullgar

Moskë  - Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov, deklaroi se Rusia "nuk sheh asgjë të re në kërcënimet" nga presidenti amerikan Donald Tramp për të vendosur sanksione të reja ndaj vendit nëse nuk arrihet një marrëveshje për Ukrainën. "Nuk shohim ndonjë gjë veçanërisht të re këtu. Tramp gjatë mandatit të tij të parë ishte presidenti amerikan që përdorte më së shpeshti metodat e sanksioneve, deklaroi Peskov, duke komentuar kërcënimet e Trampit për të vendosur tarifa dhe sanksione ndaj eksporteve ruse në SHBA nëse nuk arrihet një marrëveshje për luftën në Ukrainë.

Bruksel - Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas ka emëruar spanjollen Belen Martinez Karbonel si sekretare të re të përgjithshme të Shërbimit evropian për punë të jashtme (EEAS). Martinez Karbonel e cila do të marrë detyrën më 1 shkurt, në këtë post do ta zëvendësojë Stefano Saninon. Siç kumton EEAS, Martinez Karbonel ka përvojë të gjerë diplomatike në BE, si punonjëse e Shërbimit dhe në Komisionin Evropian. Për momentin ajo është drejtoreshë e Departamentit për agjendën globale dhe marrëdhëniet multilaterale në kuadër të EEAS, ndërsa më parë ka qenë drejtore për resurse njerëzore të Shërbimit.

Tel Aviv  - Izraeli kërkon nga SHBA-ja edhe 30 ditë të tjera për të tërhequr trupat e tyre nga Libani jugor, disa ditë para afatit 60-të ditor të përcaktuar në marrëveshjen për armëpushim me Hezbollahun, publikoi "Tajms of Izrael". Sipas kushteve të marrëveshjes për armëpushim të 27-të nëntorit, Forcat mbrojtëse të Izraelit (IDF) duhet t'ua dorëzojnë të gjitha pozicionet e tyre në Libanin jugor Forcave të armatosura Libaneze deri më 26 janar. Megjithatë, në javët e fundit, Izraeli ka vlerësuar se forcat libaneze po vendosen shumë ngadalë në të gjithë rajonin, gjë që ka rezultuar në vonimin e tërheqjes së IDF.

Varshavë – Gjermania këtë verë do të dërgojë aeroplanë “Jurofajter” (Eurofighter) në Poloni, që të ndihmojë në mbrojtjen e hapësirës ajrore të krahut lindor të NATO-s, deklaroi sot ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius gjatë kohës së vizitës në aeroportin ushtarak polak Jasionka. Ai shtoi se dy sisteme Patriot do të dislokohen në juglindje të Polonisë dhe nga 27 janari do të jenë plotësisht operativë. Sistemet Patriot do ta mbrojnë hapësirën ajrore në rajon gjashtë muaj. 

Остани поврзан