
15:00/ 8 shkurt/ 2025
Athinë – Me përgjegjësi pohoj se nuk kemi mik dhe mbështetës më të madh të integrimit tonë evropian sesa Greqia, tha Ministri i Çështjeve Evropiane Orhan Murtezani, në një bisedë me korrespondenten e MIA-s nga Athina, pas vizitës së tij dyditore në Greqi, duke theksuar se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë përparësi e përbashkët dhe kanë potencial për t'u forcuar dhe thelluar. Murtezani theksoi se kjo ishte vizita e parë zyrtare në Athinë nga një përfaqësues i Qeverisë së re pas zgjedhjeve te ne, e ai pati mundësinë të takohej dhe të bisedonte me zëvendësministren e Jashtme Aleksandra Papadopulu dhe nënkryetarin e Parlamentit Grek dhe Kryetarin e Komitetit për Çështjet Evropiane Joanakis Plakiotakis. Për MIA-n vlerësoi se takimet u zhvilluan në atmosferë të shkëlqyer dhe miqësore.
Shkup - Niveli i rezervave devizore në fund të vitit të kaluar arriti në pesë miliardë euro dhe janë më të larta për rreth 50% se në periudhën para pandemisë. Guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoska gjatë pjesëmarrjes në emisionin “Brifingu i mëngjesit” në “Sllobodna TV”, theksoi se rezervat devizore janë faktori më i rëndësishëm për ruajtjen e stabilitetit të valutës vendase dhe se në periudhën e kaluar, përkundër krizave, janë rritur pothuajse vazhdimisht, si garanci për ruajtjen e kursit devizor. Angellovska-Bezhoska ka thënë se rritja e rezervave devizore është për shkak të blerjes së devizave nga banka qendrore në tregun devizor i cili pothuajse vazhdimisht ka ndodhur që nga mesi i vitit 2023.
Shkup – Gjatë 24 orëve të kaluara në Numrin e Vetëm të Thirrjeve për Raste Urgjente 112 në Qendrën për Menaxhim me Kriza ka pasur gjithsej 2 028 thirrje prej të cilave thirrje “reale” ishin 58,68%, ndërsa 41,32% ishin për nevoja të tjera të qytetarëve. Siç bëri të ditur QMK, për polici ishin dërguar 74,43%, në Ndihmën Urgjente Mjekësore 20,82%, ndërsa te zjarrfikësit 2,89% nga thirrjet reale drejt 112 në QMK. Nëpërmjet Numrit të vetëm të urgjencës 112, dje janë marrë mbi njëqind raporte për bomba të vendosura në shkollat e mesme dhe fillore në vend. Denoncimet për bomba i janë përcjellë Ministrisë së Punëve të Brendshme për veprime të mëtejshme, pas çka MPB-ja me metoda operative në terren ka konstatuar se ato ishin të rreme.
Shkup – Me qëllim të qasjes më të lehtë dhe transparencës në punën e Komisionit për kompensim në të holla të viktimave nga veprat penale me dhunë, me ndihmën dhe mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Shkup është përgatitur ueb faqe, e cila do të shërbejë si bazë për promovimin e të drejtës së kompensimit mes viktimave, institucioneve dhe publikut. Siç bëri të ditur Ministria e Drejtësisë, ueb-faqja e Komisionit për kompensim në të holla të viktimave nga veprat penale me dhunë është në dispozicion në këtë link: www.komisijazanadomestoknazrtvi.mk.
Shkup – LSDM sot i bëri thirrje Qeverisë që urgjentisht të marrë vendim për heqjen ose uljen e TVSH-së për rrymë dhe ngrohje, si ndihmë për qytetarët që ta kalojnë këtë periudhë të vështirë. Zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska në konferencën e sotme për media theksoi se në muajin më të vështirë financiar të vitit, faturat për energji elektrike janë dukshëm më të larta në krahasim me muajt e kaluar.
Shkup - Kryetari i Komunës së Kisella Vodës dhe kryetar i BNJVL-së, Orce Gjorgjievski, deklaroi se nëse do të kandidojë për kryetar të Qytetit të Shkupit pret fitore që në raundin e parë dhe se këtë e bazon në mbështetjen që ka nga qytetarët dhe rezultatet që i ka arritur deri tani si kryetar i Komunës së Kisella Vodës. Në intervistën për të përjavshmen “Fokus”, Gjorgjievski flet për punën e deritanishme, vizionin e tij për Shkupin dhe mundësinë për të kandiduar për kryetar të kryeqytetit.
Shkup – Qeveria punon në drejtim që Maqedonia të jetë vend me sektor të qëndrueshëm energjetik, reagon VMRO-DPMNE në konferencën e sotme për media të zëdhënëses së LSDM-së në të cilën ishte kërkuar heqje urgjente ose ulje e TVSH-së për rrymë dhe ngrohje. “Seria e politikave të gabuara të LSD-së shpalosi spiralen e rritjes së çmimeve, nga e cila qytetarët po i vuajnë pasojat edhe sot e kësaj dite. Hipokrizi klasike dhe një tjetër në serinë e tentativave për të manipuluar qytetarët nga e njëjta LSD që ka varfëruar qytetarët dhe shkatërruar standardin e tyre të jetesës. LSD e rriti TVSH-në e produkteve ushqimore nga 5 për qind në 10 për qind dhe sot është absurde të sugjerojnë uljen e saj. Sektori energjetik në Maqedoni gjatë epokës së LSD-së ishte në fund dhe LSD shpenzoi paratë publike në mënyrë të kotë. LSD nuk ka të drejtë të flasë për energjinë kur gjatë epokës së LSD-së, kompanitë e themeluara nga Dimitar Kovaçevski dhe lidhjet e tij familjare po qarkullonin miliona në biznesin e energjisë. I vetmi projekt në sektorin energjetik të LSD-së ishte që gruaja e Kovaçevskit mori tokë shtetërore për fotovoltaikë nga qeveria e tij. Tenderët e errët dhe plaçkitjet miliona dollarëshe në sektorin e energjisë nga LSD ndihen edhe sot”, thuhet në reagimin me shkrim të VMRO-DPMNE-së.
Shkup - Të enjten më 6 shkurt 2025, deri në mesnatë në sistemin GPRS të Drejtorisë së të Ardhurave Publike (DAP) është regjistruar qarkullim i përgjithshëm në vlerë prej 232.791.773 denarë, ndërsa janë dhënë 417.866 kupon fiskal, ndërsa të premten deri në mesnatë në sitemin GPRS të DAP-it është regjistruar qarkullim në vlerë prej 81.288.348 denarë, ndërsa janë lëshuar 346.317 kupon fiskal. Në këto dy ditë në tetë rrjetet më të mëdha të supermarketeve në vend, siç njoftojnë nga DAP-I, është shënuar rënie e qarkullimit total prej 22.12%. Qytetarët për herë të dytë të premten u organizuan për të bojkotuar marketet për shkak të çmimeve të larta të ushqimeve.
Shkup – Në kuadër të vizitës së punës në Australi, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunksi, mori pjesë dhe foli në një ndeshje në Preston Lajons, një nga klubet më të suksesshme maqedonase të futbollit në Australi. Klubi përfaqëson simbol sportiv të bashkësisë maqedonase dhe e kultivon traditën dhe lidhjet me atdheun përmes sportit. “Në ngjyrë të kuqe-verdhë, këtu nga Melburni bëmë tifo për ekipin i cili është krenari e bashkësisë maqedonase, model i suksesshëm sportiv dhe simbol i frymës sportive në Australi”, shkroi Mucunski në publikimin në rrjetet sociale.
Shkup - Janë sanksionuar gjithsej 570 shoferë gjatë një kontrolli në territorin e SPB - Shkup gjatë ditës së djeshme, njofton Ministria e Punëve të Brendshme (MPB). Siç theksojnë ata, 150 prej tyre janë për ngasje të automjetit me shpejtësi më të madhe se e lejuara, 22 për drejtim të automjetit pa patentë shoferi, katër drejtues me masë aktive- ndalesë për drejtim të automjetit, një shoferë ka vozitur nën ndikimin e alkoolit dhe një automjet ka qenë me regjistrim të skaduar.
Korçë - Në takimin e sotëm të organizuar nga partia e vetme maqedonase në Shqipëri, Aleanca Maqedonase për Integrim Evropian (AMIE) e cila mbahet në Korçë, ka pasur fjalim lideri i saj Vasil Sterjovski i cili në emër të partisë dhe në emrin e tij personal falënderoi përfaqësuesit e partive politike VMRO-DPMNE, LSDM, E Majta, ZNAM dhe Lidhja Demokratike që kanë pranuar ftesën për takimin e sotëm në Korçë. Në takim marrin pjesë Liljana Zaturoska dhe Lidija Petkovska nga VMRO DPMNE, Metodija Ilievski nga LSDM, Katerina Todorovska nga ZNAM, Dimitar Apasiev nga E Majta, Zoran Dimitrievski dhe Zoran Petrov nga Lidhja Demokratike dhe Luftim Spahiu, ushtrues i detyrës ambasadori në Shqipëri.
Korçë - Propozim- strategji për mbrojtjen e pakicës maqedonase në Shqipëri është prezantuar në takimin e sotëm në Shqipëri të organizuar nga partia maqedonase, Aleanca Maqedonase për Integrim Evropian (AMIE) me përfaqësues të partive parlamentare maqedonase e cila siç u tha mëton të përcaktojë masa dhe aktivitete afatgjata për mbështetjen e pakicës kombëtare maqedonase në Shqipëri përmes mekanizmave institucionale, ekonomike dhe diplomatike. "Pakica kombëtare maqedonase në Shqipëri është pjesë përbërëse e popullit maqedonas, me lidhje të qëndrueshme historike, kulturore dhe shpirtërore me vendin e saj. Përforcimi i pozitës, të drejtave dhe zhvillimit kulturor është me rëndësi strategjike për Maqedoninë, duke pasur parasysh obligimet e saj si shtet amë dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare universale për mbrojtjen e pakicave kombëtare", tha kryetari i partisë, Vasil Sterjovski gjatë prezantimit të strategjisë dhe kërkesës për mbështetje për të.
Prishtinë – Votimi në zgjedhjet parlamentare në Kosovë të caktuara për të dielën, më 9 shkurt, filloi sot në orën 7 në përfaqësitë e Kosovës në Evropë. Votimi në përfaqësitë diplomatike – konsullore në SHBA dhe Kanada do të fillojë më vonë, në orën 13 sipas kohës së Evropës së mesme. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në konferencë për media njoftoi se diaspora voton në 43 vendvotime në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Kosovës, të vendosura në 19 vende të ndryshme. Për votim në këto 30 përfaqësi diplomatike janë regjistruar gjithsej 20.324 votues. Të drejtë vote në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës kanë 2.075.868 qytetarë, të cilët mund të votojnë në 941 qendra votimi dhe 2.533 vendvotime, njoftoi KQZ. Në Kosovë të drejtë vote kanë 1.970.944 qytetarë, ndërsa në diasporë 104.924 persona.
Athinë - Natë relativisht të qetë, në krahasim me ditët e kaluara, kanë kaluar banorët e Santorinit dhe ishujve përreth, krahasuar me ditët e fundit, pasi nuk janë regjistruar tërmete të forta, por mëngjesin e sotëm prej më pak se një orë ka pasur një seri tërmetesh me magnitudë mbi katër ballë, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina. Në zonën detare mes ishujve Santorini dhe Amorgos në periudhën prej orës 10:36 deri më 11:24 sipas kohës lokale janë regjistruar shtatë tërmete me magnitudë 4.1 dhe 4.9 ballë. Gjatë ditës së sotme takim do të mbajnë komisionet kompetente të Ministrisë së Mbrojtjes Civile dhe Krizës Klimatike të Greqisë për të shqyrtuar masat aktuale, ndërsa pjesa kryesore ka të bëjë me shkollat në Santorini dhe ishujt fqinj Ios, Amorgos dhe Anafi të cilat u mbyllën javën e kaluar dhe do të duhet të vendoset nëse masa do të zgjatet apo do të hapen nga e hëna.
Berlin – Kancelari gjerman Olaf Shollc përsëri dërgoi kritika për politikën e jashtme të presidentit amerikan Donald Tramp. Në një intervistë për grupin mediatik gjerman Redaktionsnetzwerk Deutschland (RND), të publikuar sot, Shollci e kritikon propozimin e Trampit – ndihma ushtarake për Ukrainën të ketë lidhje me qasjen në burimet e vendit”, transmeton DPA. “Ukraina është sulmuar dhe (Gjermania) ndihmon pa pritje se për këtë do të paguhet më vonë. Ai duhet të jetë qëndrim i të gjithëve”, tha Shollci. Një kërkesë e tillë “do të ishte shumë egoiste, shumë egocentrike”, vlerëson Shollci, duke e përsëritur qëndrimin e thënë edhe pas samitit joformal të BE-së në Bruksel.
Kiev – Armata ukrainase mohoi se Rusia e ka fituar Toreckun, njoftoi Ukrinform. Dje Ministria e Mbrojtjes e Federatës Ruse njoftoi se qyteti në zonën Donjeck, në lindje të Ukrainës, tani është nën kontroll të forcave ruse. Por, mbrëmë Ministria e Punëve të Brendshme e mohoi këtë akuzë. Sipas kumtesës, luftëtarët e tij e mbrojnë Toreckun, marrin ushqim dhe ujë përmes dronëve. Shtatmadhoria e forcave të armatosura të Ukrainës sot në mëngjes njoftoi për 10 sulme ruse në afërsi të Toreckut.
Kiev – Disa ndërtesa janë dëmtuar në sulme ukrainase gjatë natës në qytetin jugor rus Rostov në Don, deklaroi sot guvernatori Jurij Slusar, informon DPA. Në një publikim në Telegram, Slusar theksoi se 74 banorë ishin evakuuar nga disa ndërtesa. Nuk ka informacione për të lënduar. Në ndërkohë, gjatë natës janë dhënë alarme për fluturake pa pilot mbi kryeqytetin e Ukrainës, Kiev. Kryetari Vitalij Kliçko në Telegram njoftoi se një fluturake ruse pa pilot ishte nisur drejt qendrës së qytetit, edhe pse nuk ka informacione për dëme ose viktima.
Vilnus - Lituania, Letonia dhe Estonia sot filluan shkyçjen nga rrjeti energjetik rus dhe kyçjen në sistemin evropian. Ky proces u iniciua disa vite më parë dhe u bë urgjent pas fillimit të invazionit rus ndaj Ukrainës. Tre vendet baltike, ish republikat sovjetike dhe anëtare të BE-së dhe NATO-s që nga viti 2004 u shkëputën nga rrjeti rus të cilët kanë qenë të lidhur që në kohën e Bashkimit Sovjetik për të penguar Moskën që ta shndërrojë atë në armë kundër tyre. "Mund të konfirmoj se procesi i mbylljes filloi në orën 6:00 të mëngjesit", deklaroi Matas Noreika, zëdhënës i operatorit publik të rrjetit kombëtar të energjisë elektrike të Lituanisë, Litgrid.
Berlin – Dy javë para zgjedhjeve parlamentare, është shënuar rënie e lehtë e mbështetjes së Aleancës Konservatore CDU/CSU, e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AFD) dhe e Socialdemokratëve (SPD) e kancelarit Olaf Sholc, tregon hulumtimi më i ri i Institutit INSA të cilin e transmeton DPA. Tri partitë udhëheqëse kanë humbur nga një pikë përqindje në krahasim me anketën e gazetës Bild nga java e kaluar. Blloku CDU/CSU edhe më tutje është në epërsi me 29 për qind, pastaj është AFD me 21 për qind dhe SPD me 16 për qind.
Uashington – Mbishkrimi i Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dje pasdite u hoq nga hyrja e selisë së agjencisë, edhe pse gjykatësi federal e bllokoi vendimin e presidentit Donald Tramp që të largojë nga puna 2.200 të punësuar në USAID. Kjo ndodh për më pak se një javë pasi Departamenti për Efikasitet Qeveritar i kryesuar nga miliarderi Ilon Mask, filloi aktivitete për mbylljen e USAID-it. Në një kumtesë në rrjetin social “Iks”, pronar i të cilit është vetë Mask, ai shkroi se “kjo ndërtesë është e okupuar nga Shërbimi Doganor dhe Kufitar” i SHBA-së.
Uashington – Presidenti amerikan Donald Tramp njoftoi se e kufizoi qasjen e paraardhësit të tij Xho Bajden në informacione të klasifikuara. Tradicionalisht, ish presidentët marrin informacione të caktuara të besueshme nga shërbimet e sigurisë pasi të largohen nga Shtëpia e Bardhë. “Nuk ka nevojë që Xho Bajden të vazhdojë të ketë qasje në informacione të besueshme. Për këtë, menjëherë ia marrim miratimin Xho Bajdenit për qasje në informacione të besueshme dhe i ndalojmë konferencat e tij ditore për media. Gjithnjë do ta mbroj sigurinë kombëtare – Xho, je i pushuar nga puna. Do ta bëjmë Amerikën përsëri të madhe”, shkroi Trampi në rrjetin social Truth Social.
Uashington – Pentagoni do të shpërndajë edhe 1.500 ushtarë në shërbim aktiv për mbështetje të përpjekjeve të presidentit Donald Tramp që të përballet me emigrimin e jashtëligjshëm, deklaroi mbrëmë një përfaqësues zyrtar amerikan, transmetoi “Si-Bi-Es njuz”. Me këtë, numri i përgjithshëm i ushtarëve aktivë në kufi do të arrijë rreth 3.600. Urdhri është miratuar, deklaroi përfaqësuesi. Parashihet dërgimi i brigadës logjistike nga korpusi – 18 i trupave ajrore në Fort Liberti, Karolina e Veriut.
Uashington – Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pit Hegset javën e ardhshme do t’i vizitojë Gjermaninë, Belgjikën dhe Poloninë, njoftoi Pentagoni. Hegset të hënën do të shkojë për Gjermani. Aty do ta vizitojë shtabin e Komandës Evropiane të SHBA-së dhe qendrën e komandës së ushtrisë amerikane përgjegjëse për Afrikë, e cila gjendet në Shtudgart, transmeton DPA. Hegset pastaj do të udhëtojë në Bruksel që të marrë pjesë në takimin e ministrave të mbrojtjes të NATO-s, në të cilin do të bisedojë për rritjen e shpenzimeve të Aleancës. Ministrat do të bisedojnë edhe për fuqizimin e pozitës së liderëve të Evropës dhe mundësive për rritjen e kapaciteteve të industrisë së mbrojtjes nga të dyja anët e Atlantikut.
Xhuno – Janë gjetur mbetjet e aeroplanit të vogël i cili pardje u rrëzua në Alaskën perëndimore, ndërsa të gjithë 10 personat të cilët ishin në të kanë ndërruar jetë, njoftuan autoritetet. Aeroplani “Bering Er” Cesna 208B Grand karavan u zhduk nga radari në rrugën drejt Noumit nga Unallaklit të enjten pasdite sipas kohës lokale. Në aeroplan ishin piloti dhe nëntë udhëtarë. Aksidenti është një nga më vdekjeprurësit në atë shtet amerikan gjatë 25 viteve të fundit. Shpëtimtarët e kërkuan fluturaken me helikopter në lokacionin e tij të fundit të njohur kur ishin gjetur mbetjet, deklaroi Majk Salerno, zëdhënës i rojës bregdetare amerikane.
Tel Aviv - Lëvizja palestineze Hamas sot ua dorëzoi edhe tre prengje tjera përfaqësuesve të Kryqit të Kuq në qytetin Deir al Balah në Rripin qendror të Gazës, njoftuan mediat izraelite. Televizionet publikuan pamje që tregojnë se si grupi radikal palestinez liron Ohad Ben Amin dhe Eli Sharabin, të dy të kapur si robër në Kibuc Beri në një sulm të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor dhe Or Levi i cili u rrëmbye gjatë festivalit muzikor Nova. Në këmbim, Izraeli do të lirojë 183 të burgosur palestinezë, 18 prej të cilëve janë duke vuajtur dënimet me burg të përjetshëm dhe 111 të kapur peng gjatë luftës së Gazës.
Tel Aviv - Izraeli ka filluar lirimin e të burgosurve palestinezë në kuadër të shkëmbimit të fundit me Hamasin i cili më herët sot liroi tre pengje nga Gaza. Një autobus që transportonte të burgosur nga burgu Ofer në Bregun Perëndimor ka arrit në Ramallah, raportojnë mediat izraelite. Një grup tjetër është liruar nga një burg në shkretëtirën Negev dhe është rrugës për në Rripin e Gazës, raporton Tajms of Izrael. Grupi përbëhet kryesisht nga palestinezë që u arrestuan gjatë luftës së Gazës.
Pekin – Autoritetet në provincën jugperëndimore kineze Seçuan filluan operacion të madh për kërkim dhe shpëtim, pasi nga rrëshqitjet e shkëmbinjve dhe rrëshqitja e dheut u bllokuan 10 shtëpi, ndërsa më shumë se 30 persona konsiderohen si të zhdukur, informon Ksinhua. Rrëshqitja e dheut ndodhi në fshatin Xhinping, i cili gjendet në afërsi të qytetit Jibin në zonën Zhongliang. Ministria për Menaxhim me Kriza në këtë zonë ka shpërndarë qindra shpëtimtarë, në mesin e të cilëve edhe zjarrfikës. Sipas televizionit qendror shtetëror kinez CCTV, dy persona tashmë janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat, ndërsa edhe 200 janë evakuuar.
Teheran – Një delegacion i Hamasit sot në Teheran është takuar me liderin suprem iranian, ajatollah Ali Hamnei. "Mposhtët regjimin sionist që në fakt është disfatë për Amerikën. Nuk lejuat të arrijnë asnjë nga qëllimet e tyre", ka thënë Hamnei. Televizioni iranian tha se lideri i Hamasit, Kalil al Haja, kreu i organit konsultativ të Hamasit (Shura), Mohamad Dariush dhe përfaqësuesi i lartë Nizar Avadalla kanë udhëtuar në Teheran për të uruar Hamnein për përvjetorin e Revolucionit iranian.
Rio de Zhaneiro - Futbollisti brazilian Ronaldo i cili ka luajtur për Real Madridin dhe Milanin, dëshiron ta shohë Karlo Ançelotin si trajner të kombëtares braziliane, transmeton "Relevo". Ronaldo planifikon të kandidojë për president të Federatës braziliane të futbollit në mars të vitit 2026. Nëse fiton, ai shpreson ta thërrasë Ançelotin në reprezentacion. Të dyja palët ende nuk kanë diskutuar për bashkëpunimin e mundshëm. Ronaldo thekson se është i gatshëm t'i ofrojë punë në reprezentacionin e Brazilit nëse Ançeloti shkarkohet nga klubi ose nëse i skadon kontrata.
Paris - PSZH ka mposhtur Monakon me rezultat (4:1) në kuadër të xhiros së 21-të të kampionatit francez dhe ka vazhduar serinë pa humbje që nga fillimi i sezonit. Parisienët nuk kanë pësuar asnjë humbje që nga fillimi i turneut. Skuadra nga Parisi ia doli kësaj për të tretën herë në historinë e saj. Kjo ka ndodhur më parë, madje në sezonet 1985/86 dhe 2015/16. PSZH-ja aktualisht kryeson tabelën e ligës me 16 fitore dhe 5 barazime.