MIA FLESH
- 19:00 / 13 shkurt / 2025

19:00 / 13 shkurt / 2025
Bruksel - Në këtë takim ministror të NATO-s dëgjuam retorikë shumë të ndryshme nga takimi i mëparshëm i ministrave të mbrojtjes, por edhe nga mesazhet nga Samiti i Aleancës vitin e kaluar në Uashington, tha për MIA-n ministri i Mbrojtjes Vllado Misajllovski pas seancës së sotme të Këshillit Atlantikoverior në Bruksel. “Tani me administratën e re të udhëhequr nga presidenti (i Shteteve të Bashkuara, Donald) Tramp, ne kemi një kontekst krejtësisht të ndryshëm dhe konture të ndryshme dhe vazhdimisht flitet për planin e paqes, të cilin unë absolutisht e mirëpres. Këto konture të reja do të nënkuptojnë negociata se si të arrihet një zgjidhje paqësore, por nga ana tjetër edhe të gjitha obligimet që do t'i ketë Evropa”, theksoi Misajllovski.
Shkup - Komuna e Çairit sot ishte nikoqire e prezantimit të parë publik të Fushatës për mjedis të pastër „Ndryshimi Pozitiv”, iniciativë kjo e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor për ngritjen e ndërgjegjësimit publik dhe edukimin e qytetarëve dhe subjekteve për trajtimin e duhur të mbeturinave. Siç njofton Komuna e Çairit, prezantimi u realizua para përfaqësuesve të komunave nga sektori i mjedisit dhe komunikimeve nga Rajoni Planifikues i Shkupit, të cilët paten mundësinë të njihen me qëllimet e fushatës dhe mënyrat se si mund të angazhohen.
Shkup - Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) sot ka nisur procesin e gjithanshëm të reformës dhe vetingut brenda partisë, të udhëhequr nga kryetari i partisë Ali Ahmeti dhe kryesia e partisë. Kjo nismë nënvizon përkushtimin e BDI-së për qeverisje dhe integritet shembullor, duke vendosur një standard të ri për partitë politike në rajon. Siç bëhet e ditur në kumtesën e partisë, deputetët e BDI-së i janë nënshtruar një vlerësimi të rrezikut të korrupsionit dhe kanë nënshkruar Kodin e Praktikës së Mirë dhe Integritetit të BDI-së. Ky kod përputhet me Kodin e Praktikës së Mirë në Fushën e Partive Politike, të miratuar nga Rezoluta e Komisionit të Venecias dhe e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE).
Shkup – Ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska ka realizuar takim me Bordin Drejtues të BNJVL, në të cilin temë kryesore ishin shpenzimet e larta për energji elektrike me të cilat përballen ndërmarrjet publike, shkollat, komunat dhe ndriçimi rrugor. Siç informuan nga Ministria e këtij dikasteri, ishin shqyrtuar disa zgjidhje të mundshme dhe masa që do të kontribuonin për uljen e shpenzimeve për energji elektrike të institucioneve publike. Si hap i parë, shtojnë nga Ministria, komunave do tu jepet në dispozicion platformë e vetme për furnizime publike të energjisë elektrike të cilën do të mund ta shfrytëzojnë të gjitha institucionet, e cila është përgatitur në bashkëpunim me Byronë për Furnizime Publike. Kjo, vlerësojnë nga aty, do të sigurojë furnizim të energjisë elektrike me çmime më të favorshme, transparencë më e madhe dhe shmangie të shpenzimeve të panevojshme. Gjithashtu, do të emërohen persona për kontakt nga Ministria të cilët do të veprojnë si trup këshillues për institucionet gjatë furnizimit të energjisë elektrike.
Shkup - Deputetët sot nuk votuan për kandidatët për anëtarë të Këshillit të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele. Nënkryetari i Kuvendit, Antonio Milloshoski, i cili e udhëheq seancën, tha se do të caktohet datë shtesë për votim për këtë pikë të rendit të ditës, për të cilën ka reaguar deputeti nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim, Blerim Bexheti, sipas të cilit janë plotësuar kushtet për votim. Në mënyrë që kjo pikë e rendit të ditës të votohet, kërkohet një shumicë prej dy të tretash dhe shumica e Badenterit. "Dy të tretat e deputetëve janë të pranishëm këtu, nga numri i përgjithhsëm i deputetëve dhe atyre që votojnë për shumicë të dyfishte dhe të gjitha kushtet janë plotësuar për ta vënë në votim. Ju nuk i keni votat për ta përfaqësuer këtë organ të rëndëishëm dhe po kërkoni kohë për të siguruar vota shtesë. Shërbimet na sollën letra në gjuhën maqedonase, prandaj kërkoj një orë pauzë që të jenë edhe në gjuhën shipe që deputetët ë mund t'i lexojnë në gjuhën e tyre amtare", tha Bexheti.
Shkup - Ambasadori i BE-së në vend, Mihalis Rokas, konsideron se bashkëpunimi ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë tani është më i rëndësishëm se kurrë më parë. Ai sot mori pjesë në konferencën e mbajtur në qendrën për shtyp të Agjencisë telegrafike bullgare (BTA) në Shkup, në të cilën u diskutua për projektin BTA, me titull "Evropa në Ballkan: Së bashku përmes njohurive", mbështetur nga Komisioni Evropian. Rokas në fjalimin e tij theksoi se pikërisht kjo ngjarje dëshmon përkushtimin e të dy vendeve për forcimin e lidhjeve dypalëshe dhe nxitjen e zhvillimit rajonal, rritjes ekonomike dhe shkëmbimit kulturor.
Shkup - Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), Marija Andonovska në një deklaratë për media ka theksuar se ka rritje të numrit të të sëmurëve nga gripi e cila është mbi kufirin javor për aktivitet mesatar. Potencoi se rezultatet e marra nga mbikëqyrja virusale të gripit tregojnë se ka një aktivitet të gjerë gjeografik të gripit, ndërsa përqindja e pozitivitetit është mbi kufirin 10 për qind për pesë javë rresht. Drejtoresha theksoi se në periudhën prej 5 deri më 9 shkurt të këtij viti, në Maqedoni janë raportuar 2.880 raste në grup të personave me grip apo sëmundje të ngjashme me gripin, që është për 5,1 për qind më pak në krahasim me javën paraprake kur numri i rasteve të regjistruara ishte 3.036 në krahasim me atë aktual. Rastet me grip janë më shumë nga Shkupi 692 persona, në Strumicë 333, në Manastir 304, në Sveti Nikollë 158, në Ohër 141, në Radovish 122, në Veles 140, në Kumanovë 109. Ndërsa në qytetet e tjera të vendit numri i të sëmurëve është nën 100.
Gostivar – Në një ngjarje përkujtimore në parkun e sheshit të qytetit në Gostivar ishte zbuluar pllaka përkujtimore në kujtim të të vdekurve në aksidentin e komunikacionit në Llaskarcë të Shkupit. Në këtë ngjarje tragjike në ditën e sotme në vitin 2019 jetët i humbën gjashtëmbëdhjetë banorë të Gostivarit dhe vendeve përreth, ndërsa tridhjetë udhëtarë ishin lënduar. Në tubim sot pasdite përveç familjarëve të të vdekurve dhe miqve të tyre të cilët ndezën qirinj dhe vendosën lule, mori pjesë edhe një delegacion i komunës, i kryesuar nga u.d. kryetari Valbon Limani, të cilët në mënyrë simbolike vendosën 16 trëndafila.
Tiranë – Qeveria shqiptare do të emetojë eurobond të ri, me të cilin do të huazojë 650 milionë euro, me afat të pagesës prej 10 vjet. “Do të shfrytëzohet për mbulimin e nevojave të qeverisë, si pagesë e borxheve të kaluara dhe shpenzime të tjera buxhetore”, njoftuan mediat. Ky është eurobondi i shtatë, nga viti 2010, me të cilin merr hua Qeveria e Shqipërisë në tregjet e huaja. Deri më tani vlera e eurobondeve është 3,15 miliardë euro
Berlin - Kancelari gjerman Olaf Sholc sot deklaroi se shoferi, kërkues i azilit nga Afganistani, i cili me automobilin e tij është përplasur në një grup njerëzish në Mynih, "nuk mund të shpresoj në mëshirë" dhe duhet ta braktis vendin. "Ky autor nuk mund të shpresoj në kurrfarë mëshire. Ai duhet të dënohet dhe duhet ta braktis vendin", tha Sholc, njoftoi revista gjermane "Fokus", pasi 28 persona janë lënduar kur një refugjat 24-vjeçar afgan është përplasur me automobilin e tij në turmën e demosntruesve.
Bruksel – Bashkimi Evropian me kujdes i ndjek ngjarjet më të reja lidhur me hetimin dhe arrestimin e kryetarit të Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi një zëdhënës i Komisionit Evropian (KE), transmeton “Euronjuz Albania”. KE-ja nuk deshi të komentojë për veprimet vijuese gjyqësore, por theksoi se mbetet “maksimalisht e përkushtuar në mbështetjen e përpjekjeve të reformave të Shqipërisë” dhe në fuqizimin e efikasitetit, pavarësisë dhe llogaridhënies të institucioneve të saja, në përputhje me standardet e BE-së.
Bruksel - Shpenzimet e jetesës po rriten në tërë Bashkimin Evropian, si dhe në Ballkanin Perëndimor pasi pagat nuk përputhen me rritjen e çmimeve, veçanërisht të produkteve ushqimore. Sipas Indeksit të harmonizuar të çmimeve konsumatore (HICP) të Eurostat-it, mesatarja e çmimeve të ushqimeve në BE ishte 145,2 pikë në dhjetor të vitit 2024, krahasuar me 100 pikë bazë në vitin 2015. Në Kroaci çmimet e ushqimeve janë më të larta se mesatarja evropiane dhe arrijnë në 148,7 pikë, në Rumani janë 166,2 pikë, ndërsa në Bullgari 174,4 pikë të pabesueshme.
Bruksel – Rusia nuk mund të shpërblehet për agresionin ndaj Ukrainës, deklaroi sot zëdhënësi i Komisionit Evropian, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve për bisedën ndërmjet presidentit amerikan Donald Tramp dhe liderit rus Vladimir Putin. “Asgjë nuk mund të vendoset për Ukrainën pa Ukrainën”, theksoi zëdhënësi, duke shtuar se çdo paqe e drejtë dhe e përhershme duhet t’i përfshijë Kievin dhe BE-në në bisedimet. Ai theksoi se marrëveshja potenciale paqësore duhet ta garantojë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës.
Bruksel - Marrëveshja e paqes në Ukrainë që do të arrihet pa përfshirjen e Kievit dhe Evropës është paraprakisht e dënuar me dështim, paralajmëroi sot Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme, Kaja Kalas. "Asnjë marrëveshje e arritur pas shpinës tonë nuk do të funksionojë. Ukraina dhe Evropa duhet të jenë pjesëmarrës aktivë në çdo proces paqeje", deklaroi Kalas para gazetarëve pas mbërritjes në selinë e NATO-s. Sipas saj, çdo zgjidhje e shpejtë do të ishte një “marrëveshje e pistë”, që të kujton marrëveshjet e Minskut, të nënshkruara dhjetë vjet më parë, të cilat supozohej të sillnin një armëpushim në Ukrainë, por u shkelën vazhdimisht deri në fillimin e pushtimit rus në 2022.
Kiev– Presidenti ukrainas Volodomir Zelenski deklaroi sot se Kievi nuk do të pranojë kurrfarë marrëveshje për të ardhmen e Ukrainës e cila do të arrihej mes Moskës dhe Uashingtonit pa praninë e përfaqësuesve ukrainas. “Është e rëndësishme që të mos lejohet skenari i (presidentit rus Vladimir) Putin, sipas të cilit ai do të bëjë përpjekje të arrijë bisedime të dyanshme me SHBA-në, pa Ukrainën në tryezën e bisedimeve”, deklaroi Zelenski në konferencë për media. Ai theksoi se Ukraina do të insistojë jo vetëm në pjesëmarrje të saj aktive në të gjitha proceset paqësore, por edhe në angazhimin e partnerëve evropianë.