• четврток, 10 април 2025
Македонски
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Koshta: Duhet t’i mbrojmë oqeanet – prej tyre varet siguria dhe prosperiteti i Evropës

Koshta: Duhet t’i mbrojmë oqeanet – prej tyre varet siguria dhe prosperiteti i Evropës

Bruksel, 31 mars 2025 (MIA) - Oqeanet janë një e mirë e përbashkët për njerëzimin, sepse thithin 90 për qind të nxehtësisë së tepërt të krijuar nga aktivitetet njerëzore dhe 25 për qind të emetimeve të dioksidit të karbonit, ata janë shtëpia e 80 për qind të diversitetit biologjik të botës dhe prodhojnë 50 për qind të oksigjenit që thithim prandaj duhet t’i mbrojmë, ka thënë kryetari i Këshillit të Evropës, Antonio Koshta gjatë fjalimit në hapjen e Konferencës ndërkombëtare "SOS Oqeani!" në Paris.

"Pak më shumë se një shekull më parë, Zhil Vern në ‘Njëzet mijë milje nën det’ shkroi: "Deti është gjithçka! Megjithatë ne njerëzit, kemi zgjedhur prej kohësh ta shpërfillim këtë të vërtetë. Ne madje e quajmë planetin tonë ‘Tokë’, por në fakt oqeanet mbulojnë pjesën më të madhe të sipërfaqes së saj, i japin formë klimës dhe mund të lejojnë ekzistimin e më shumë formave të jetës. Ka ardhur koha që të ndryshohet kursi. Nuk mund t’i kthejmë shpinën oqeaneve", ka thënë Koshta.

Siç njofton korrespondenti i MIA-s në Bruksel, Koshta shton se 90 për qind e mallrave globale transportohen përmes detit, ndërsa 99 për qind e transmetimit të të dhënave dhe komunikimeve transmetohen përmes kabllove nëndetëse, prandaj bota duhet t'i mbrojë oqeanet dhe t'i promovojë ato si pasuri globale.

"Aktivitetet klimatike duhet të përfshijnë edhe masa për oqeanet që është prioritet për ne. Ndërsa për të tjerët prioritet është shkuarja në Hënë ose Mars, Evropa nga ana tjetër duhet ta vendosë oqeanin si mision për vitin 2050. Një oqean i shëndetshëm është thelbësor për një të ardhme të qëndrueshme, të sigurt dhe konkurruese të Bashkimit Evropian. Siguria dhe prosperiteti i Evropës varen nga qasja strategjike dhe gjithëpërfshirëse ndaj oqeaneve", ka thënë Koshta.

Kryetari i Këshillit të Evropës theksoi se 40 për qind e evropianëve jetojnë në rajone bregdetare të cilat gjenerojnë rreth 40 për qind të BPV-së së Bashkimit Evropian, prandaj BE-ja është e vendosur fort në mbrojtjen e ujërave dhe deteve, duke përfshirë zbatimin e Marrëveshjes së arritur për det të hapur.

"Bashkimi Evropian po ecë në drejtimin e duhur. Por nuk ka arsye që të çlirohemi. Duhet të veprojmë më shpejt dhe të jemi ambicioz. Sfidat mund të duken të mëdha, aq të mëdha sa vetë oqeani, por aftësia jonë për të bashkëpunuar dhe vendosmëria jonë për të trajtuar problemet globale duhet të jenë po aq të forta. Ju mund të mbështeteni te Bashkimi Evropian si një partner i besueshëm dhe i parashikueshëm”, ka thënë Koshta duke shtuar se ne nuk duhet të "jemi brezi që mbylli sytë", por përkundrazi "ata që vendosëm të veprojmë".

Foto: Këshilli Evropian

Тагови

Остани поврзан