Kina bën thirrje për bisedime për fund të luftës në Ukrainë dhe në armëpushim të përhershëm në Rripin e Gazës
- – Kina bën thirrje për bisedime për dhënien fund të luftës në Ukrainë, informojnë agjencitë botërore.

Pekin, 7 mars 2025 (MIA) – Kina bën thirrje për bisedime për dhënien fund të luftës në Ukrainë, informojnë agjencitë botërore.
Këtë thirrje e bëri ministri kinez i punëve të jashtme, Vang Ji, gjatë konferencës për media në margjinat e mbledhjes së parlamentit kinez.
“Në konflikt nuk ka fitues, ndërsa në bisedime nuk ka humbës. Tryeza e bisedimeve është edhe fund i konfliktit dhe pika e fillimit të paqes”, deklaroi Vang.
Pekini theksoi edhe se marrëdhëniet mes Kinës dhe Rusisë mbeten të përhershme në botën e paqëndrueshme. Vang Ji theksoi se këto marrëdhënie dypalëshe nuk do të ndryshojnë as nën ndikimin e palës së tretë, as për shkak të një ngjarje konkrete.
Shefi i diplomacisë kineze, gjithashtu, bëri thirrje për armëpushim të plotë dhe të përhershëm në Rripin e Gazës.
“Nëse forcat e mëdha me të vërtetë janë të shqetësuara për popullin në Gazë, duhet të nxitin armëpushim të plotë dhe të përhershëm dhe ta rrisin ndihmën humanitare”, potencoi Vang.
Kina, gjithashtu i kritikoi doganat amerikane, duke i vlerësuar si të padrejta dhe paralajmëroi përgjigje adekuate.
“Kina, e prirë nga fryma humanitare, disa herë i ndihmoi SHBA-së. Ata nuk duhet të përgjigjen me mosmirënjohje, ndërsa edhe më pak me vendosjen e doganave”, theksoi Vang.
Ai shtoi se nëse SHBA-ja e zgjedh rrugën e bashkëpunimit, kjo mund të sjellë interes të ndërsjellë, por nëse vazhdon presioni i fuqishëm, Kina do të reagojë me vendosmëri. fc/
Fotografia: EPA