Gjykatësi federal Xhon Mekkonel përkohësisht e bllokon vendimin e Trampit për ngrirjen e financimit federal
- Gjykatës federal Xhon Mekkonel, i Gjykatës së Qarkut në Providens, të Roj Ajlend, dje përkohësisht e bllokoi administratën e presidentit amerikan Donald Tramp për ngrirjen e granteve federale, huave dhe ndihmave të tjera financiare.
Uashington, 1 shkurt 2025 (MIA) - Gjykatës federal Xhon Mekkonel, i Gjykatës së Qarkut në Providens, të Roj Ajlend, dje përkohësisht e bllokoi administratën e presidentit amerikan Donald Tramp për ngrirjen e granteve federale, huave dhe ndihmave të tjera financiare.
Vendimi i gjykatësit Mekkonel erdhi me kërkesë të prokurorëve publikë demokratë nga 22 shtete federale dhe kryeqytetit të SHBA-së, pavarësisht se Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se kishte tërhequr një memorandum nga Zyra e Menaxhimit dhe Buxhetit që detajisht e ka përshkruar vendimin e diskutueshëm, i cili u publikua të hënën.
Mekkonel tha se dëshmitë tregojnë se politika e Trampit ende është në fuqi, pavarësisht tërheqjes formale të memorandumit "të gjerë, gjithëpërfshirës dhe të paqartë" nga Zyra për Menaxhim dhe Buxhet të SHBA-së.
Sipas tij, kjo është bërë "vetëm në letër", ndërsa ndoshta edhe me qëllim që të vështirësohen sfidat ligjore.
Gjykatësi lëshoi një urdhër të përkohshëm me të cilin e ndalon administratën ta pezullojë ndihmën financiare për shtetet federale.
Mekkobeli, i cili u emërua nga ish-presidenti demokrat Barak Obama, theksoi se Kongresi nuk i ka dhënë presidentit "fuqi të pakufizuar për të ngrirë gjerësisht dhe pafundësisht të gjitha fondet e destinuara në mënyrë eksplicite për marrës dhe qëllime specifike".
Trampi ka lëshuar tashmë urdhra ekzekutivë që kërkon të ngrijë ndihmën e huaj, t'i ngrijë punësimet federale, t'i japë fund programeve të diversitetit në dhjetëra agjenci federale dhe të ndryshojë statusin e punonjësve federalë për t'i bërë më të lehtë shkarkimin e tyre, ndërkohë që u ofron stimuj financiarë miliona punëtorëve që të largohen nga shërbimi civil.
Foto: Vikipedia