Izraeli liron 183 palestinezë të tjerë si pjesë e raundit të katërt të shkëmbimit të të burgosurve
- Një autobus me palestinezë të mbajtur në burgjet izraelite mbërriti sot në mesditë në Betunija, në Bregun Perëndimor të pushtuar, në kuadër të raundit të katërt të shkëmbimit të të burgosurve për pengjet izraelite, bazuar në marrëveshjen e armëpushimit të Gazës mes Hamasit dhe Izraelit.
Tel Aviv, 1 shkurt 2025 (MIA) - Një autobus me palestinezë të mbajtur në burgjet izraelite mbërriti sot në mesditë në Betunija, në Bregun Perëndimor të pushtuar, në kuadër të raundit të katërt të shkëmbimit të të burgosurve për pengjet izraelite, bazuar në marrëveshjen e armëpushimit të Gazës mes Hamasit dhe Izraelit.
Më herët, Hamasi palestinez liroi sot tre pengje izraelit. Menjëherë pas kësaj, palestinezët u larguan nga burgu ushtarak izraelit Ofer, që ndodhet afër Betunias.
Palestinezët janë pjesë e një grupi prej 183 të burgosurish që Izraeli liroi sot në këmbim të tre pengjeve të liruar më herët në Gaza.
Ky është raundi i katërt i shkëmbimeve që nga fillimi i një armëpushimi më 19 janar midis Izraelit dhe lëvizjes islamike palestineze Hamas, pas 15 muajsh luftë shkatërruese në Gaza.
Që nga fillimi i armëpushimit, janë shkëmbyer 15 pengje - 10 izraelitë dhe pesë tajlandezë dhe 400 palestinezë nga burgjet izraelite.
Gjatë gjashtë javëve të fazës së parë të armëpushimit, të paktën 33 pengje, përfshirë tetë të vdekur, do të lirohen dhe Izraeli do të lirojë rreth 1900 palestinezë nga burgjet e tij.
Rreth 80 pengje janë ende në Gaza dhe një e treta e këtij numri besohet të jenë të vdekur. Hamasi ka konfirmuar se tetë nga 33 pengjet e planifikuar për lirim në fazën e parë të armëpushimit janë të vdekur.
Izraeli dhe Hamasi kanë vendosur të fillojnë negociatat javën e ardhshme për fazën e dytë të armëpushimit, e cila do të lirojë pengjet e mbetura dhe do të zgjasë armëpushimin për një kohë të pacaktuar. Lufta mund të vazhdojë në fillim të marsit nëse nuk arrihet marrëveshje. sa/
foto: Skrinshot Al Xhezira