• недела, 02 февруари 2025

Tramp: As Kanadaja, as Meksika dhe Kina nuk mund të vonojnë tarifat e reja duke filluar nga sot

Tramp: As Kanadaja, as Meksika dhe Kina nuk mund të vonojnë tarifat e reja duke filluar nga sot

Uashington, 1 shkurt 2025 (MIA) - Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp tha se nga sot do të vendosë tarifa të larta prej 25 për qind për mallrat nga Meksika dhe Kanadaja, si dhe 10 për qind për importet nga Kina, dhe se asnjë nga këto tre vende nuk mund të bëjë asgjë për ta vonuar atë.

Megjithatë, Tramp përmendi mundësinë e një përjashtimi për naftën nga Kanadaja, duke deklaruar se tarifa për atë produkt do të ishte 10 për qind dhe njoftoi se tarifa më të larta për naftën dhe gazin natyror do të vendosen në mes të shkurtit, duke çuar në një rritje të çmimit të naftës, raportojnë mediat britanike.

Presidenti amerikan sqaroi se këto çmime do të mbeten në fuqi derisa vendet të marrin masa më të mëdha për të reduktuar fluksin e emigrantëve dhe fentanilit përtej kufirit amerikan.

Tramp, duke folur me gazetarët në Zyrën Ovale mbrëmë derisa nënshkroi urdhra të rinj ekzekutivë, u tha atyre se ishte i vetëdijshëm se tarifat mund të shkaktojnë çmime më të larta për konsumatorët.

Ekonomistët kanë vlerësuar se tarifat e larta mund të prishin aktivitetin ekonomik në mbarë botën.

Kur u pyet nëse ekzistonte mundësia e shtyrjes së tarifave, Tramp u përgjigj: "Jo, jo. Jo tani, jo."

Presidenti amerikan njoftoi tarifa të reja për produktet evropiane, si çeliku, alumini, bakri dhe gjysmëpërçuesit.

Kreu i departamentit për politikë në Odën Ekonomike Kanadeze, Metju Holms, tha se tarifat e Trampit do të rëndojnë kryesisht Amerikën.

"Nga çmimet e larta të benzinës, në dyqane dhe kur blini onlajn, tarifat derdhen në ekonomi dhe në fund dëmtojnë konsumatorët dhe bizneset në të dy anët e kufirit," vuri në dukje ai.

Lëvizja e Trampit mund të prishë tregtinë vjetore për 2.1 trilion dollarë me tre partnerët kryesorë tregtarë të SHBA-së.

Kryeministri kanadez Xhastin Trudo tha dje se Kanadaja do të përgjigjet menjëherë me kundërmasa të forta, duke shtuar se kanadezët mund të përballen me "kohë të vështira në ditët dhe javët e ardhshme".

Presidentja meksikane klaudia Shajnbaum tha se do të "priste me gjakftohtësi vendimin e Trampit për tarifat" dhe shtoi se ishte e gatshme të vazhdonte dialogun për kufirin.

Ajo më parë tha se Meksika do të hakmerrej me tarifa, duke pretenduar se ato do të kushtonin 400,000 vende pune amerikane dhe do të rrisnin çmimet për konsumatorët amerikanë.

Edhe Kina premtoi të përgjigjet.

"Kina kundërshton me forcë tarifat e reja të Trampit. Nuk ka asnjë fitues në një luftë tregtare apo tarifore, nga e cila nuk përfiton asnjëra palë", tha një zëdhënës i ambasadës kineze në Uashington. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

Остани поврзан