• недела, 23 јуни 2024

Filloi seanca plenare për zgjedhjen e qeverisë

Filloi seanca plenare për zgjedhjen e qeverisë

Shkup, 22 qershor 2024 (MIA) - Në Kuvend ka filluar seanca plenare për zgjedhjen e qeverisë së propozuar nga mandatari dhe lider i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski.

Mickoski pritet të sqarojë programin dhe propozimin për përbërjen e qeverisë, pas së cilës duhet të fillojë debati për propozimin.

Sipas Rregullores së Kuvendit, seanca është paraparë të zgjasë më së shumti dy ditë, përkatësisht të përfundojë më së voni deri në mesnatën e nesërme. Qeveria do të zgjidhet nëse pro votojnë shumica e numrit të përgjithshëm të deputetëve.

Më 18 qershor, pas dorëzimit të propozimit për përbërjen e qeverisë, Mickoski tha se pret që diskutimi të përfundojë deri në mesnatën e së dielës dhe të fillojnë punën nga e hëna. Ai paralajmëroi një luftë pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit dhe zero tolerancë për këdo që kryen keqpërdorime, pavarësisht se nga cila parti vjen.

Qeveria e re do të ketë gjithsej 20 ministri, katër më shumë se më parë. Qeveria do të ketë 24 anëtarë. Përveç kryeministrit do të jenë edhe 23 zëvendëskryeministra dhe ministra të tjerë, 20 prej të cilëve kanë portofol. Mickoski do të ketë pesë zëvendës pra zëvendëskryeministra dhe njëri prej tyre do të jetë "zëvendëskryeministër i parë". Në kabinetin qeveritar, 15 anëtarë janë nga koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, gjashtë nga koalicioni Vlen dhe dy nga ZNAM. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

Остани поврзан