Disa belg të rinj janë hospitalizuar pasi kanë pirë cigare elektronike nga "prodhimtaria vendore"
- – Disa të rinj nga provinca belge Antverpen ishin hospitalizuar gjatë javëve të kaluara, pasi kishin pirë cigare elektronike të mbushura me lëng nga “prodhimtaria vendore”, informuan mediat belge, duke iu referuar burimeve spitalore.
Bruksel, 14 dhjetor 2025 (MIA) – Disa të rinj nga provinca belge Antverpen ishin hospitalizuar gjatë javëve të kaluara, pasi kishin pirë cigare elektronike të mbushura me lëng nga “prodhimtaria vendore”, informuan mediat belge, duke iu referuar burimeve spitalore.
Sipas këtyre informacioneve, një pjesë e të hospitalizuarve janë në gjendje shëndetësore “shumë shqetësuese”, ndërsa një tjetër ende është në gjendje kome.
Analizat fillestare të gjakut të të hospitalizuarve tregojnë se ka mundësi që lëngu në cigaret elektronike të përmbante edhe komponentin psikoativ të kanabisit THC.
Profesori i Universitetit në Antverpen, Filip Lardon thekson se gjatë përgatitjes së lëngut për cigare elektronike në kushte shtëpiake shpesh përzihen ilaçe, mariuhanë dhe droga sintetike.
“Ato njihen edhe si ‘spajs’ dhe përqendrimet e kanabisit në to janë disa herë më të larta sesa, të themi, në një cigare të zakonshme”, deklaroi Lardon për transmetuesin publik belg VRT.
"Spajs" është një term zhargon për një grup drogash sintetike të projektuara për të imituar efektet e kanabisit natyral, por ndryshe nga ai, ato janë shumë më të forta, ndoshta deri në 50 herë dhe shkaktojnë varësi po aq sa heroina.
Lardon bën të ditur se cigaret e tilla elektronike tashmë disa muaj përhapen në shkolla të ndryshme në Antverpen dhe në rajone të tjera belge.
"Për shkak të përqendrimeve të tyre të larta, ato janë jashtëzakonisht të rrezikshme. Ato janë plotësisht të paligjshme dhe përdorimi ose shitja e tyre është kundër ligjit", shtoi profesori.
Lardon, i cili është hulumtues i kancerit, thotë se gjatë viteve të fundit vërehet se shfrytëzimi i cigareve elektronike fillon nga mosha gjithnjë e më e re.
"Kam parë edhe nëntëvjeçarë që pinë cigare elektronike në klasën e tretë", thotë Lardon.
Sipas tij, shkollat, prindërit, spitalet dhe vetë të rinjtë duhet të paralajmërohen për dukuritë e tilla dhe për rreziqet nga pirja e cigareve elektronike, veçanërisht ato me lëng të prodhuara në kushte shtëpie.
"Rastet e vëzhguara deri më tani janë veçanërisht serioze. Nëse vazhdon kështu, vetëm presim rastin e parë të vdekjes", shtoi Lardon.
Hulumtimet mjekësore sugjerojnë se përdorimi i "spajs" mund të shkaktojë humbjen e vetëdijes, dhimbje në gjoks ose edhe goditje në tru.
Studiuesit theksojnë se shpesh është e vështirë të përcaktohet nëse një lëng i caktuar i cigareve elektronike përmban "spajs", pasi ka të njëjtën aromë dhe shije si lëngjet tradicionale.
Rrjeti belg i kërkimit "Pano" zbuloi në një studim disa muaj më parë se shumë nga cigaret elektronike të përdorura nga adoleshentët flamandë përmbanin lëng që pretendohej se ishte me bazë kanabisi, por në fakt përmbanin narkotikë të tjerë që janë shumë të rrezikshëm dhe krijojnë varësi. fc/
Foto: Arkivi i MIA-s