Edhe krahas përpjekjeve për ndërmjetësim, vazhdojnë luftërat në kufirin ndërmjet Tajlandës dhe Kamboxhias
- – Luftërat në konfliktin ndërkufitar ndërmjet Tajlandës dhe Kamboxhias vazhduan sot në orët e hershme të mëngjesit, me çka të dyja palët denoncuan sulme përgjatë frontit, edhe krahas përpjekjeve ndërkombëtare për ndërmjetësim, transmetoi DPA.
Bangkok, 14 dhjetor 2025 (MIA) – Luftërat në konfliktin ndërkufitar ndërmjet Tajlandës dhe Kamboxhias vazhduan sot në orët e hershme të mëngjesit, me çka të dyja palët denoncuan sulme përgjatë frontit, edhe krahas përpjekjeve ndërkombëtare për ndërmjetësim, transmetoi DPA.
Armëpushimi, për të cilin kryeministri i Malajzisë, Anvar Ibrahim bënte thirrje të hyjë në fuqi të shtunën në mbrëmje, ende nuk është zbatuar.
"Riafirmoj angazhimin e palëkundur të Tajlandës për paqe. Por paqja duhet të jetë e vërtetë, e qëndrueshme dhe e bazuar në veprime që respektojnë marrëveshjet, jo në fjalë boshe", shkroi ministri i Punëve të Jashtme të Tajlandës, Sihasak Puangketkeov vonë mbrëmë në Iks.
Presidenti amerikan Donald Tramp të premten, pas bisedimeve telefonike me kryeministrin e Kamboxhias, Hun Manet dhe kryeministrin tajlandez, Anutin Çarnvirakull, njoftoi se dy liderët u pajtuan që t’i ndërprenë të gjitha armiqësitë “që do të hyjnë në fuqi prej sonte”, por pa saktësuar se për cilën zonë kohore bëhet fjalë.
As Tajlanda, as Kamboxhia nuk e konfirmuan marrëveshjen, ndërsa Anutin mbrëmë deklaroi se Tajlanda nuk është pajtuar për armëpushim me fqinjin e saj.
Kontesti shumëvjeçar kufitar përsëri u ndez para një jave. Tajlanda regjistroi 15 ushtarë të vdekur dhe rreth 270 të plagosur, përderisa Kamboxhia nuk publikoi numra zyrtarë për viktima të luftës, por njoftoi se u vranë 11 civilë, ndërsa 59 janë plagosur.
Të dyja palët thonë se luftërat zhvendosën më shumë se 600.000 njerëz përgjatë kufirit të gjatë rreth 800 kilometra. Këto numra nuk mund të konfirmohen në mënyrë të pavarur.
Dhuna e ripërtërirë lidhet me një mosmarrëveshje dhjetëravjeçare midis fqinjëve të Azisë Juglindore për pretendime territoriale. Secila palë ka akuzuar tjetrën se është e para që shkel armëpushimin të rënë dakord më parë përgjatë kufirit.
Të dy vendet kishin rënë dakord për armëpushim në korrik pas luftimeve të ashpra. Në fund të tetorit, ata nënshkruan një deklaratë të përbashkët në Malajzi në prani të Trampit, e cila përshkruante hapat drejt një paqeje të qëndrueshme. Megjithatë, në nëntor, armëpushimi i rënë dakord u pezullua pas një incidenti tjetër në kufi. fc/
Foto: DPA