• понеделник, 23 декември 2024

BDI: Hipokrizia e “S’Vlen” ndaj diasporës shqiptare

BDI: Hipokrizia e “S’Vlen” ndaj diasporës shqiptare

Shkup, 22 dhjetor 2024

“Mirë se vini bashkëatdhetarë!” – Thirrje të zbrazëta nga një qeveri që, me vendime politike, ka fshirë ekzistencën dhe rëndësinë e diasporës shqiptare. 

Kjo qeveri njëetnike nuk nguroi të manipulojë formulën e llogaritjes për shqiptarët, duke ulur përqindjen nga 29.4% në 24.5%, vetëm sepse refuzoi të përfshijë regjistrimin historik të diasporës në censusin e fundit. 

Ky vendim ka pasoja të drejtpërdrejta:

- Reduktimi i përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet publike, duke përfshirë administratën shtetërore dhe organet vendimmarrëse.   

- Shkurtimi i buxhetit për komunat shqiptare, pasi ndarja financiare nga buxheti qendror tani bazohet në një përqindje të ulur të popullsisë.

- Pakësimi i numrit të këshilltarëve komunalë në komunat shqiptare, duke cenuar zërin e komunitetit tonë në nivel lokal.

Ato dhjetra mijëra bashkatdhetarë që luftuan për t’u regjistruar, për të dëshmuar praninë dhe forcën e tyre, tani janë fshirë me një vendim të njëanshëm. 

Diaspora shqiptare nuk është thjesht një numër. 

Ajo është shtylla financiare e këtij vendi, duke dërguar miliarda remitanca për vite me radhë. 

Ajo është lobimi politik që ka çuar përpara interesat e shqiptarëve në botë. Ajo është identiteti ynë kombëtar, krenaria dhe lidhja jonë me rrënjët. 

Por për këtë qeveri, diaspora nuk vlen. Me një vendim të vetëm, ata shumëzuan sakrificën e saj me zero. 

Dhe tani, në prag festash, kanë guximin të hedhin slogane dhe lot krokodili, duke mirëpritur ata që i kanë fshirë nga çdo e drejtë dhe llogaritje. 

Hipokrizia e “S’Vlen” nuk ka kufij! Por shqiptarët nuk harrojnë. 

Diaspora është pjesë e pandashme e kombit dhe askush nuk mund ta fshijë atë nga historia dhe e ardhmja jonë. Shkurt e shqip: Vleni S’Vlen!

Bashkimi Demokratik për Integrim

_______________________________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.

Остани поврзан