• петок, 07 февруари 2025

Autoritetet ukrainase: Më shumë se 900 ushtarë rusë të kapur në rajonin Kursk

Autoritetet ukrainase: Më shumë se 900 ushtarë rusë të kapur në rajonin Kursk

Kiev, 6 shkurt 2025 (MIA) -  Armata ukrainase njoftoi sot se ka kapur 909 ushtarë rusë që nga fillimi i operacionit në rajonin kufitar rus Kursk, saktësisht gjashtë muaj më parë.

Ofensiva, e cila filloi më 6 gusht të vitit 2024, lejoi forcat ukrainase të merrnin kontrollin e disa qindra kilometrave katrorë në Rusi.

Një nga qëllimet e asaj ofensive, sipas autoriteteve ukrainase, ishte kapja e ushtarëve rusë për të shkëmbyer me ushtarët e kapur ukrainas.

"Gjatë operacionit, forcat ukrainase kapën 909 ushtarë rusë, të cilët plotësuan ndjeshëm fondin e shkëmbimit", kumtoi Shtabi i Përgjithshëm i Armatës së Ukrainës në Fejsbuk, duke shtuar se ai ndihmoi në kthimin në shtëpi të qindra mbrojtësve ukrainas të mbajtur në burgjet ruse.

Shkëmbimi i të burgosurve është një nga çështjet e rralla për të cilën dy vendet ndërluftuese arrijnë të bashkëpunojnë.

Presidenti ukrainas Vollodimir Zelenski vlerësoi sot forcat e tij që luftojnë në rajonin Kursk dhe shpërbleu disa njësi.

"Pushtuesi mundet dhe duhet të mposhtet në territorin e tij," tha Zelenski, duke theksuar parimin e "paqes përmes forcës" që Kievi miratoi pas zgjedhjes së Donald Trampit si president i SHBA-së.

Në rajonin Kursk, forcat ukrainase fillimisht bënë pushtime të rëndësishme territoriale. Por që atëherë, forcat ruse kanë rimarrë pjesën më të madhe të territorit të humbur dhe luftimet vazhdojnë atje. sa/

foto: EPA

Остани поврзан