• среда, 26 март 2025

Padi penale për pesë persona fizikë dhe një person juridik për furnizim publik për zgjedhje të firmës për sigurimin e pikëpagesave

Padi penale për pesë persona fizikë dhe një person juridik për furnizim publik për zgjedhje të firmës për sigurimin e pikëpagesave

Shkup, 25 mars 2025 (MIA) – Kundër pesë personave fizikë dhe një personi juridik është parashtruar padi penale për keqpërdorime gjatë furnizimit publik për zgjedhje të firmës për sigurim fizik të 14 pikëpagesave të Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore. Në mesin e personave kundër të cilëve është parashtruar padia penale është edhe ish drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi. 

 “Padia penale është parashtruar kundër Xh.B. (54) nga Kërçova, E.R. (56) nga Tetova, E.L. (61) nga Tetova, M.B. (48) nga Shkupi dhe D.Z. (39) nga Tetova dhe kundër një personi juridik nga Kërçova. Kundër udhëheqësit të atëhershëm të firmës nga Kërçova dhe personit juridik është nisur hetim për vepër penale ‘keqpërdorim të procedurës për thirrje publike, ndarje të kontratës për furnizim publik ose partneritet publik-privat” nga neni 275-v nga Kodi Penal, përderisa për katër të tjerët – drejtor i atëhershëm i ndërmarrjes, një nga nënshkruesit e marrëveshjes dhe dy kompetentë për kontroll të realizimit, zhvillohet procedurë për vepra penale të cilat përfshijnë keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare”, informojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe nga Prokuroria Shtetërore Publike. 

Bëhet fjalë për marrëveshje për furnizim publik të lidhur më 08.08.2022 me të cilën i dyshuari udhëheqës i agjencisë për sigurim është angazhuar që dy vjet të kryejë sigurim të vazhdueshëm fizik 24/7  në të gjitha 14 pikëpagesat e Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore. Edhe pse në bazë të marrëveshjes së nënshkruar ishte i detyruar, nuk e ka respektuar detyrimin dhe për të gjithë periudhën e marrëveshjes ka kryer vetëm sigurim të pjesshëm fizik, shumë shpesh vetëm në ndërrimin e parë, ndërsa ka faturuar shërbime sikur të ishte bërë sigurim fizik 24/7 për të gjithë periudhën e marrëveshjes deri në shfuqizimin e saj. 

 “Drejtori i atëhershëm i ndërmarrjes publike ka qenë i obliguar që të sigurojë ligjshmërinë e punës dhe zbatimin e rregulloreve, statutit dhe akteve të tjera, si dhe të kontrollojë nëse realizimi i kontratës së furnizimit publik ka qenë në përputhje me kushtet, por nuk e ka kryer atë detyrë dhe nuk ka ushtruar mbikëqyrjen e duhur ndaj bartësit të furnizimit publik, edhe pse e dinte se sigurimi fizik ishte siguruar vetëm pjesërisht. Dy drejtues të dyshuar të departamentit të mbledhjes dhe kontrollit të taksave për rrugë ishin gjithashtu përgjegjës për monitorimin dhe përmbushjen e kontratës, kontrollin e realizimit të saj, miratimin e urdhrave të punës për kryerjen e shërbimit, dërgesat, monitorimin e cilësisë së shërbimeve të ofruara dhe kontrollin e faturave, si dhe përgatitjen e raporteve nëse kontrata ishte zbatuar plotësisht. Kontrollet e tilla nuk i kanë kryer në tërësi dhe edhe pse e dinin se sigurimi kryhej vetëm pjesërisht, më së shpeshti gjatë ndërrimit të parë, i nënshkruanin kërkesat për miratim të pagesës. Nënshkruesi i dytë i kontratës ka qenë i njohur me specifikimin e kërkuar, por përkundër kësaj ka miratuar kërkesat dhe autorizimet e pagesës, pas çka ka aprovuar edhe faturat e paguara që më pas janë realizuar në favor të Agjencisë së Sigurisë”, sqarojnë nga Prokuroria.

Në këtë mënyrë, bartësit të dyshuar të furnizimit i është mundësuar që të fitojë pasuri të jashtëligjshme në vlerë prej 46.918.079 denarë dhe me këtë është shkaktuar dëm i përmasave të mëdha në Ndërmarrjen Publike për Rrugë Shtetërore. 

Prokurori publik në Gjykatën Themelore Penale Shkup ka dorëzuar propozim për përcaktimin e masës paraburgim për të dyshuarin e parë, përderisa për të tjerët janë propozuar masa të kujdesit. fc/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

 

Остани поврзан