Besimtarët myslimanë sot festojnë Kurban Bajramin
- Besimtarët e fesë islame sot e festojnë Kurban Bajramin, festën e dytë më të madhe të myslimanëve pas Fitër Bajramit. Në ditën e parë të festës së Bajramit bëhet lutja e Bajramit - namazi i Bajramit, me çka besimtarët kërkojnë mëshirë nga Allahu.
Shkup, 6 qershor 2025 (MIA) - Besimtarët e fesë islame sot e festojnë Kurban Bajramin, festën e dytë më të madhe të myslimanëve pas Fitër Bajramit. Në ditën e parë të festës së Bajramit bëhet lutja e Bajramit - namazi i Bajramit, me çka besimtarët kërkojnë mëshirë nga Allahu.
Kurban Bajrami është një festë në të cilën në çdo zemër e vatër duhet të hyjë gëzimi, dora e solidaritetit dhe përkrahjes. Kjo festë është festa e ngjalljes së shpresës dhe e optimizmit për të vazhduar me këmbëngulje besnikërinë ndaj Zotit të gjithësisë, se ai është Falës i Madh, Mëshirues i Pakufijshëm.
Sipas fesë myslimane, riti i faljes së Fitër Bajramit konsiston në dy momente: e para, është lutja nëpërmjet të cilës shprehet adhurimi për Zotin dhe më pas vjen predikimi. Karakteristikë e kësaj feste është edhe therrja e kurbanit, i cili ka simbolikën e afrimit ndaj Zotit. Zakonisht flijohen deshë ose viça. Zakonin e kryejnë kushdo që ka mundësi, dhe ata që therrin kurban, pastaj ua shpërndajnë mishin të varfërve, fqinjëve dhe të afërmve.
Kurbani paraqet materializimin e nijetit dhe të gatishmërisë, që flijohet në emër të Allahut të. Përveç aspektit shpirtëror të kurbanit, është i rëndësishëm edhe aspekti social i tij, ndihma për atë që nuk ka, në mënyrë që të gjithë së bashku të festojnë këtë festë islame.
Me emrin e kësaj feste janë të lidhura ngjarje madhore që kanë ndryshuar rrjedhën e historisë, si: rindërtimi i Qabes, Haxhi, emërtimi "mysliman", etj.
Kurban Bajrami zgjat tri ditë. Kjo festë kurorëzon Haxhin, i cili konsiderohet si shtylla e pestë i Islamit.
Dita e parë e Kurban Bajramit, 6 qershori është ditë jopune për qytetarët e besimit mysliman në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Kreu i Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir Fetai dje ka dërguar urim me rastin e festës së nesërme të Kurban Bajramit. Në urimin përcjell me një video mesazh ai tha se kjo festë duhet të na përkujtoj domosdoshmërinë e respektit dhe harmonisë kudo në botë e në veçanti në vendin tonë multikonfesional dhe multietnik, për të qenë siç tha “të bashkuar në ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe të begatë dhe për të ecur të gjithë së bashku drejt një të ardhmeje të ndritur”.
"Në kohën e sfidave të mëdha, kjo festë na kujton se është e domosdoshme të angazhohemi në eliminimin e problemeve me të cilat përballet njerëzimit, të zhdukim varfërinë dhe të mbjellim qetësinë dhe begatitë e jetës, të ngremë vlerat morale ndaj anomalisë së sotme, të promovojmë shpirtëroren në vend të egoizmit dhe xhelozisë, të përhapim paqen në vend të luftës dhe mizorive siç po ndodh në botë, të vendosim dijen mbi injorancën dhe rendin mbi kaosin. E gjithë kjo tregon se festa nuk është vetëm një akt formal, por atmosferë thellësisht shpirtërore që mbjell shkallën më të lartë të devotshmërisë në zemrën e besimtarit që është burimi i çdo të mire në jetën personale, familjare dhe shoqërore", deklaroi mes tjerash Shaqir Fetai, kryetar i BFI-së. mb/
Foto: MIA