ASH: Taravari do të përballet me verdiktin e qytetarëve në zgjedhjet e dyfishta të tetorit, ku llogaridhënia nuk do të mungojë
- Jemi dëshmitarë të pakënaqësive të vazhdueshme të punëtorëve dhe bashkëpunëtorëve shëndetësorë, të cilët me të drejtë reagojnë ndaj zvarritjes disavjeçare të procesit të angazhimit të tyre me vendime të rregullta pune. Kjo situatë jo vetëm që ndikon negativisht në moralin dhe motivimin e tyre, por e dëmton seriozisht edhe funksionimin e sistemit shëndetësor publik.
Shkup, 2 qershor 2025
Jemi dëshmitarë të pakënaqësive të vazhdueshme të punëtorëve dhe bashkëpunëtorëve shëndetësorë, të cilët me të drejtë reagojnë ndaj zvarritjes disavjeçare të procesit të angazhimit të tyre me vendime të rregullta pune. Kjo situatë jo vetëm që ndikon negativisht në moralin dhe motivimin e tyre, por e dëmton seriozisht edhe funksionimin e sistemit shëndetësor publik.
Loja e pakuptimtë dhe denigruese mes qeverisë, ish-ministrit të Shëndetësisë dhe drejtorit të Spitalit Klinik në Tetovë ka çuar në degradimin e mëtejshëm të figurës së mantelbardhëve. Kjo papërgjegjësi institucionale po i demoralizon të rinjtë profesionistë të shëndetësisë, të cilët tashmë mezi presin të largohen drejt vendeve të tjera, duke e lënë vendin pa resurse humane thelbësore.
Sjellja e papërgjegjshme e ish-ministrit Arben Taravari, i cili për të realizuar politikat e tij personale dhe grupore la në mëshirë të fatit punëtorët shëndetësorë, ka arritur kulmin. Ai do të përballet me verdiktin e qytetarëve në zgjedhjet e dyfishta të tetorit, ku llogaridhënia nuk do të mungojë.
Ndërkohë, ‘ndryshimi’ i premtuar nga VLEN, i çakorduar dhe i paaftë, e përkeqësoi edhe më shumë gjendjen e këtyre profesionistëve, të cilët sot i gjejmë në çdo institucion shëndetësor duke punuar pa status të rregullt dhe në pasiguri të plotë.
Aleanca për Shqiptarët bën thirrje për thirrjen urgjente të një mbledhjeje të Qeverisë, me pikë të vetme në rend dite: punësimi emergjent me vendime të rregullta i të gjithë personelit të mesëm shëndetësor.
Nisni nga Tetova – aty ku padrejtësia ka marrë formën më të dhimbshme. Veproni tani, sa nuk është bërë vonë. Sepse nëse sot i neglizhojmë mantelbardhët, nesër do të na mungojë vetë shpresa për një sistem shëndetësor funksional.
Aleanca për Shqiptarët, Departamenti i Shëndetësisë
_________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________
MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.