• сабота, 28 септември 2024

Arabia Saudite publikoi koalicion që do të angazhohet për një shtet palestinez

Arabia Saudite publikoi koalicion që do të angazhohet për një shtet palestinez

Riad, 27 shtator 2024 (MIA) - Ministri i Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite ka paralajmëruar "aleancë ndërkombëtare" për të nxitur shtetësinë palestineze në margjinat e Asamblesë së përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, publikuan mediat e Riadit.

Princi Fajsal bin Farhan tha se "Aleanca ndërkombëtare për zbatimin e zgjidhjes me dy shtete" përfshin vendet arabe dhe islamike, si dhe partnerët evropianë, raportuan mediat saudite pa dhënë detaje.

Lufta në Gazë ka ringjallur bisedat për "zgjidhje me dy shtete" për shtetet izraelite dhe palestineze të cilët jetojnë krah për krah në paqe, por analistët thonë se qëllimi duket më i pakapshëm se asnjëherë.

Arabia Saudite, eksportuesi më i madh i naftës në botë dhe mbrojtësi i dy vendeve më të shenjta të Islamit, ka ndaluar bisedimet e ndërmjetësuara nga SHBA për të njohur Izraelin pas shpërthimit të luftës në Gazë midis militantëve palestinezë të Hamasit dhe Izraelit.

Më herët këtë muaj, sundimtari de fakto i mbretërisë, Princi i kurorës Mohamed bin Salman e ka ashpërsuar tonin e tij, duke thënë qartë se një "shtet i pavarur palestinez" ishte një kusht për normalizim.

Një funksionar i lartë i Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OIK) me seli në Arabinë Saudite deklaroi se koalicioni i ri "përbëhet kryesisht nga anëtarë islamikë dhe arabë të OIK plus disa vende evropiane".

"Do të ketë takime në vendet arabe dhe evropiane për të diskutuar zbatimin praktik të iniciativës dhe një konferencë më vonë këtë vit në Riad", shtoi funksionari i cili kërkoi të mbetet anonim.

Irlanda, Norvegjia dhe Spanja kanë publikuar njohjen e shtetit palestinez në maj. Sllovenia pasoi, duke e dërguar numrin e vendeve të cilët kanë njohur një shtet palestinez në 146 nga 193 vende anëtare të Kombeve të Bashkuara. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

 

Остани поврзан