• петок, 17 мај 2024

VMRO-DPMNE-ja feston fitoren e dyfishtë

VMRO-DPMNE-ja feston fitoren e dyfishtë

Shkup, 8 maj 2024 (MIA) - Pas rezultateve të para të raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, anëtarët dhe simpatizantët e VMRO-DPMNE-së u mblodhën në sheshin "Maqedoni" në Shkup për të festuar fitoren e kandidates së tyre presidenciale - Gordana Siljanovska - Davkova, por edhe rezultatin fitues të zgjedhjeve parlamentare.

Mbështetësit e VMRO-DPMNE-së fillimisht festuan fitoren para selisë së partisë, pallatit të bardhë "Hristo Tatarçev", më pas vazhduan festën në sheshin "Maqedoni" ku dhe foli lideri i partisë, Hristijan Mickoski.

"E çliruam Maqedoninë. Të gjithë ata që menduan se Maqedoninë mund ta shkatërrojnë dhe poshtërojnë së shpejti do të përgjigjen. Ky popull sot u mblodh spontanisht sepse e do dhe e mbron Maqedoninë e saj. Dua t'ju falënderoj të gjithë juve që jeni këtu, por edhe të gjithë në mbarë Maqedoninë e që ishit motivi ynë gjatë gjithë kësaj periudhe. Zgjodhëm ta kemi të vështirë, jo të jetë e turpshme. Ne e mbrojtëm fytyrën tuaj, nuk ishte e turpshme, ishte e vështirë, por ia dolëm - fituam, gëzohuni", tha Mickoski.

Kandidatja për presidente të VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska — Davkova, sipas rezultateve të publikuara të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve pas numërimit të 95 për qind të votave ka fituar 524.658 vota (65,04%), ndërsa kundërkandidati i saj Stevo Pendarovski nga LSDM-ja 236.222 vota (29,29%).

Sipas rezultateve të para të zgjedhjeve parlamentare që KSHZ i publikon në ueb faqen e saj, tregojnë se nga më shumë se 90 për qind të votave të përpunuara, koalicioni "Maqedonia jote" me në krye VMRO-DPMNE-në ka fituar 390.345 vota (43,09%) ose 59 mandate në përbërjen e re parlamentare prej 120 deputetë.

Foto: MIA

 

Тагови

Остани поврзан