• четврток, 04 декември 2025

Të premten pritet të thirret Komisioni parlamentar për zgjedhjen e kryetarit të KSHPK-së

Të premten pritet të thirret Komisioni parlamentar për zgjedhjen e kryetarit të KSHPK-së

Shkup, 18 nëntor 2025 (MIA) - Në Kuvend sot ka filluar me punë Komisioni për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetar të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit në kuadër të Komisionit parlamentar për zgjedhje dhe emërime. Për kryetar të KSHPK-së kanë aplikuar gjithsej 10 kandidatë.

Kryetari i Komisionit, deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanoski, informoi se të premten do të thirret mbledhje e Komisionit parlamentar për zgjedhje dhe emërime ku do të votohet për kandidatin pasi të merret vendimi nga anëtarët e Komisionit për përzgjedhje.

"Fillimisht aplikuan 13 kandidatë për këtë funksion. Një kandidat tërhoqi dokumentet, ndërsa Komisioni pas kontrollit administrativ arriti në përfundim se dy kandidatë nuk i plotësojnë kushtet. Për momentin janë dhjetë kandidatë që plotësojnë kushtet. Sot fillojmë me intervistimin me pesë prej tyre, ndërsa nesër do të vazhdojmë me pesë të tjerët. Dhe plani është që të premten të thirret Komisioni parlamentar për zgjedhje dhe emërime dhe kryetari i KSHPK-së të zgjidhet pas vlerësimit të Komisionit të përzgjedhjes", tha ai.

Stojanoski theksoi se pasi të përfundojë intervistimi i dhjetë kandidatëve, përkatësisht të enjten, anëtarët e Komisionit për përzgjedhjen e kandidatëve duhet të mblidhen dhe të marrin vendim për rangimin e kandidatëve konform rrethanave dhe të vlerësojnë secilin anëtar të Komisionit veç e veç.

Foto: MIA

 

Остани поврзан