• петок, 11 октомври 2024

Takim Bozhinovska-Pjat në margjinat e Konferencës për energji të pastër dhe të sigurt në Stamboll

Takim Bozhinovska-Pjat në margjinat e Konferencës për energji të pastër dhe të sigurt në Stamboll

Shkup, 10 tetor 2024 (MIA) - Interkonektorët e gazit me Greqinë dhe Serbinë si projekte strategjike kyçe për sigurimin e një të ardhme stabile energjetike për vendin tonë dhe rajonin, kanë qenë temë e bisedës në takimin e sotëm në Stamboll mes ministres për Energjetikë, Miniera dhe Burime Minerale, Sanja Bozhinovska dhe Xhefri Pjat, ndihmëssekretar i shtetit për burime të energjisë në Departamentin e Shtetit.

Në takimin e zhvilluar në margjinat e Konferencës për energji të pastër dhe të sigurt në Stamboll, organizuar nga Këshilli atlantiko-amerikan u theksua se këto projekte janë të një rëndësie thelbësore për diversifikimin e burimeve të energjisë dhe rritjen e pavarësisë energjetike të vendit.

"Konektorët e gazit me fqinjët kanë një rëndësi të madhe për strategjinë tonë energjetike. Ato jo vetëm që do të rrisin sigurinë tonë të furnizimit, por edhe do të përmirësojnë konkurrencën tonë në treg", ka thënë Bozhinovska.

Është folur edhe për bashkëpunimin strategjik me SHBA-në në fushën e energjetikës, ku ministrja theksoi rëndësinë e mbështetjes amerikane në zhvillimin e projekteve për burimet e rinovueshme të energjisë dhe teknologjinë për efikasitet energjetik, por edhe rëndësinë e shkëmbimit të përvojave me SHBA-në në pjesën e luftës kundër korrupsionit në sferën e energjisë.

"Bashkëpunimi ynë me SHBA-në është i një rëndësie kyçe për implementimin e inovacioneve në sektorin energjetik. Së bashku mund të krijojmë zgjidhje të qëndrueshme që do të kontribuojnë në zhvillimin e rajonit", shton Bozhinovska.

Ministrja Bozhinovska dhe ndihmëssekretari shtetëror Pjat diskutuan edhe për bashkëpunimin e ardhshëm dhe iniciativat rajonale, duke theksuar nevojën e vazhdimit të dialogut dhe partneritetit midis shteteve në fushën e energjetikës. 

Foto: Ministria e Energjetikës



Остани поврзан