• петок, 11 октомври 2024

Skupifestival 2024 nga data 14 deri më 19 tetor në hapësirat e Teatrit shqiptar në Shkup

Skupifestival 2024 nga data 14 deri më 19 tetor në hapësirat e Teatrit shqiptar në Shkup

Shkup, 11 tetor 2024 (MIA)- Festivali ndërkombëtar teatror Skupifestival Shkup nis edicionin e 18-të me radhë  nga data 14  deri më 19 tetor në hapësirat e Teatrit shqiptar- Shkup. 

Hapja solemne bëhet të hënën më datë 14 tetor në orën 20 në skenën e teatrit shqiptar- Shkup, me Teatrin kombëtar të Kosovës nga Prishtina me shfaqjen “1984”, nga autori Xhorxh Orvell, në regji të Igor Mendiski, si dhe interpretim të Adrian Morina, Arta Selimi, Basri Lushtaku, Edona Reshitaj, Flaka Latifi, Shpejtim Kastrati, Xhejlane Godanci, Ylber Bardhi.

Të martën më datë 15.10.2024 po në orën  20  në Teatrin shqiptar Shkup vazhdojmë me shfaqjen  “Nyja e Gidionit” prodhuar nga Produksioni Intrermeco  dhe Mess Sarajevë - Bosnje dhe Hercegovinë. Autor janë Xhona Adams, regjia Selma Alispahiq, ndërsa në role: Selma Alispahiq, Xhana Xhaniq/ Helena Vukoviq.

Më datë 16 tetor të mërkurën  vjen në programin e edicionit të 18-të shfaqja “Fëmijët nga Pluhuri” e prodhuar nga produksioni teatror Tula Limnaios nga kryeqyteti gjerman Berlin. Koncepti dhe koreografia: Tulla Llimaios, performojnë: Hironori Sugata, Françeska Bedin, Karolina Kardash, Amandin Llamuru, Laura Beshi, Feliks Dipin, Daniell Hernandes Alfonso, Eno Kllajnhandin.

Të enjten në orën 20, shfaqet “Ditari i Nizhinskit”, përgatitur nga Produksion L' Amphitheatre &Oh DA!  nga Bukureshti i  Rumanisë. Autore Ema Nikollova, regjia Mallina Andrej, në interpretim të aktorit nga Manastiri Fillip Ristovski i cili jeton dhe vepron në Rumani. 

Të premten më datë 18 tetor, në program do të jetë  “Performimi me maskë”. Skupifestival në  bashkëpunim me dramaturgen dhe regjisoren Senem Xhehver nga Turqia, FNT Skupifestival Shkup sjell punëtorinë teatrore për interpretimin me maskë, ku pjesëmarrës do të jenë sdudentë, aktorë të rinj si dhe të interesuar të tjerë. 

SkupiFestival, çdo vit sjell shfaqje dhe shije estetike nga më të ndryshmet. Festivali ka karakter garues, dhe ndan një çmim për shfaqjen më të mirë të festivalit. Juria që do të ndajë këtë çmim për këtë edicion do të jenë tri zonja, në përbërje: kritikja e teatrit Handan Salta nga Turqia, aktoret Drita Kaba Karaga dhe Keti Donçevska- Iliq nga Maqedonia.  Festivali do të mbyllet më datë 19 tetor po në teatrin shqiptar Shkup  me shfaqjen “Grimca Elementare” të autorit Mishel Vellbek, regjia Kris Sharkov, në role Teodora Duhovnikova, Zhaklin Daskallova, Dimitar Nikollov, Martin Dimitrov, Elena Ivanova, Sllavena Zajkova, Darina Radeva, prodhuar nga teatri kombëtar bullgar Ivan Vazov.

Edhe këtë vit festivalin e ndihmuan Ministria e Kulturës, Qendra për Kulturë dhe Informacion e Bullgarisë në Shkup, Telekomi i Maqedonisë,  gazeta e përditshme KOHA, Televizoni Alsat-M  si dhe Radiotelevizioni i Maqedonisë. 

FNT Skupifestival- drejtor Muzbajdin Qamili – Muçi, kryetar i këshillit artistik Senko Velinov, drejtor artistik Osman Ahmeti, anëtarë Kushtrim Bekteshi, Betim Zeqiri, kordinator Xhaner Musiq, dizajni nga Eggra. 

Остани поврзан