• среда, 12 февруари 2025

Rindërtimi i Gazës do të kushtojë më shumë se 53 miliardë dollarë

Rindërtimi i Gazës do të kushtojë më shumë se 53 miliardë dollarë

Nju Jork, 11 shkurt 2025 (MIA) – Rindërtimi i Rripit të Gazës të shkatërruar pas më shumë se një viti luftë do të kushtojë mbi 53 miliardë dollarë, prej të cilëve më shumë se 20 miliardë do të nevojiten në tre vitet e para, tregon vlerësimi i ri i Kombeve të Bashkuara, i publikuar sot. 

“Nevojat afatshkurta, afatmesme dhe afatgjata për rimëkëmbjen dhe rindërtimin në Rripin e Gazës janë vlerësuar në 53,142 miliardë dollarë. Prej kësaj, nevojat financiare afatshkurta për tre vitet e para janë vlerësuar në rreth  20,568 miliardë dollarë”, shkroi sekretari i përgjithshëm i KB-së, Antonio Guteresh, në raportin dërguar Asamblesë së Përgjithshme të KB-së. 

Në rezolutën e miratuar në dhjetor, e cila bëri thirrje për armëpushim urgjent dhe të pakushtëzuar në Rripin e Gazës, Asambleja e Përgjithshme e KB-së kërkoi nga Gutereshi të dorëzojë vlerësim të nevojave afatshkurta, afatmesme dhe afatgjata të Gazës në afat prej dy muajve. 

“Edhe pse në kontekstin aktual nuk ishte e mundur që në tërësi të vlerësohet i gjithë spektri i nevojave të cilat do të ishin të nevojshme në Rripin e Gazës, vlerësimi i shpejtë i përkohshëm jep indikacion fillestare për nevojat e dukshme për rimëkëmbje dhe rindërtim të atij territori”, thuhet në raport. 

Për shkak të asaj që “më shumë se 60 për qind e shtëpive” janë shkatërruar nga tetori i vitit 2023, për sektorin e banesave do të nevojiten rreth 30 për qind e nevojave për rindërtim, ose 15,2 miliardë dollarë, bëhet e ditur në raport. 

Vijojnë tregtia dhe industria (6,9 miliardë), shëndetësia (6,9 miliardë), bujqësia (4,2 miliardë), mbrojtja sociale (4,2 miliardë), komunikacioni (2,9 miliardë), furnizimi me ujë dhe kanalizimi (2,7 miliardë) dhe arsimi (2,6 miliardë).

Raporti gjithashtu thekson shpenzime të veçanta të larta për sektorin mbrojtje e mjedisit jetësor (1,9 miliardë dollarë), “për shkak të sasisë së madhe të rrënojave të cilat përmbajnë mjete të pashpërthyera dhe shpenzimet e larta lidhur me mënjanimin e mbeturinave”. 

KB-ja vlerëson se konflikti ka krijuar “më shumë se 50 milionë tonë mbeturina, nën të cilat gjenden mbetje njerëzore bashkë me pajisje të pashpërthyera, azbest dhe materiale të tjera të rrezikshme”. fc/

Fotografia: EPA

Остани поврзан