• среда, 12 февруари 2025

Peticioni danez për të blerë Kaliforninë mblodhi 200.000 nënshkrime

Peticioni danez për të blerë Kaliforninë mblodhi 200.000 nënshkrime

Kopenhagë, 11 shkurt 2025 (MIA) - Qytetarët e Danimarkës kanë iniciuar peticion për të blerë shtetin amerikan më të populluar dhe më të zhvilluar ekonomikisht, Kaliforninë, si përgjigje ndaj përpjekjeve të Presidentit aktual të SHBA-së Donald Tramp për të blerë Grenlandën, shkruan "Independent"-i londinez.

Trampi kohët e fundit ka intensifikuar thirrjet për blerjen e territorit autonom danez për arsye të "sigurisë kombëtare", ndonëse edhe Kryeministri i Danimarkës edhe Kryeministri i Grenlandës e kanë bërë të qartë se ishulli arktik nuk është në shitje.

Duke u zotuar se "Do të bëjnë Kaliforninë të madhe përsëri", danezët filluan një fushatë ironike për të "danezifikuar" ekonominë e pestë më të madhe në botë. Peticioni, i cili supozohet se synon të mbledhë 1 trilion dollarë përmes donacioneve të qytetarëve për të blerë "Shtetin e artë", deri këtë pasdite tashmë kishte mbi 200.000 nënshkrime.

Kjo iniciativë vjen në një kohë kur Sekretarja e Shtetit e Kalifornisë Shirley Webster miratoi fillimin e mbledhjes së nënshkrimeve për të organizuar një referendum në vitin 2028 mbi shkëputjen e shtetit nga Shtetet e Bashkuara dhe shpalljen e pavarësisë së tij.

Sipas organizatorëve të kësaj fushate parodie, Kalifornia do të quhej "Danimarka e Re" dhe parku i famshëm i argëtimit Diznilend do të ribrendohej në "Vendi i Hans Kristian Andersen".

Peticioni gjithashtu përmend disa "përfitime" nga blerja e mundshme e Kalifornisë nga Danimarka, duke përfshirë "dominimin teknologjik" dhe "avokado në tost përgjithmonë".

“A keni parë ndonjëherë një hartë dhe keni menduar, 'Çfarë i mungon Danimarkës? Më shumë diell, palma dhe patina me rrota!’, thuhet në ueb-faqen e fushatës. "Tani kemi një mundësi unike për ta bërë këtë ëndërr realitet."

Përfaqësues nga kompania LEGO dhe kasti i serisë politike "Borgen" do të punësoheshin për të negociuar kontratën, e si "bonus" shtesë do të ofrohej qasje e përjetshme falas në brumrat daneze.

Në fund të faqes është postuar edhe një njoftim: "Kjo fushatë është 100% e vërtetë... në ëndrrat tona."

Ndërkohë, Tramp dhe aleatët e tij vazhdojnë të bëjnë thirrje që Grenlanda të bashkohet me SHBA-në si pjesë e përpjekjeve strategjike për të forcuar sigurinë kombëtare. Trampi deklaroi se "siguria ekonomike" ishte një nga arsyet e hapit të tillë, duke vënë në dukje se ishulli ka burime të mëdha të pashfrytëzuara minerale, shkruan Independent.

Sipas vlerësimeve nga Shërbimi Gjeologjik i SHBA, Grenlanda, me 2,1 milion kilometra katrorë, ka rreth 31.4 miliardë fuçi naftë ekuivalente dhe rreth 148 trilionë metra kub gaz natyror. "Uashington post" vlerëson se blerja e ishullit do të kushtonte rreth 1,7 trilionë dollarë.

Muajin e kaluar, Trampi deklaroi se shumica e 56.000 banorëve të Grenlandës "duan" të bëhen amerikanë. Megjithatë, anketa e gazetës daneze "Berlingske" dhe "Sermitsiak" i Grenlandës tregon se 85 për qind e popullsisë janë kundër aderimit në SHBA, vetëm 6 përqind e mbështesin një ide të tillë dhe 9 për qind janë të pavendosur.

Në të njëjtën kohë, një kongresmen republikan propozoi një ligj të ri që do të mbështeste përpjekjet e Trampit për të blerë Grenlandën, por edhe për ndryshimin e emrit të saj. Përfaqësuesi i Gjeorgjisë Badi Karter propozoi riemërtimin e Grenlandës "Toka e ngjyrës së kuqe, të bardhë dhe të kaltër".

"Amerika është kthyer dhe së shpejti do të jetë më e madhe se kurrë me shtimin e "Tokës së ngjyrës së kuqe, të bardhë dhe kaltër", deklaroi Karteri për "Nju-jork post". "Presidenti Tramp e identifikoi saktë blerjen e Grenlandës si prioritet të sigurisë kombëtare dhe ne do ta mirëpresim me krenari popullsinë e saj si pjesë e kombit më të lirë në histori, kur kryenegociatori ynë të nënshkruajë këtë marrëveshje historike", tha Karteri. 

Foto: printskrin

Остани поврзан