Renata Deskoska është zgjedhur nënkryetare e Komisionit të Venecias
- Renata Deskoska është zgjedhur nënkryetare e Komisionit të Venecias.
Shkup, 13 dhjetor 2025 (MIA) - Renata Deskoska është zgjedhur nënkryetare e Komisionit të Venecias.
Deskoska përmes profilit të saj në Fejsbuk informoi se zgjedhjen e kupton si njohje për aktivitetin e saj dhe kontributin e deritanishëm në punën e Komisionit.
“Sot jam zgjedhur nënkryetare e Komisionit të Venecias, i cili mban sesionin e tij të 145-të më 12 dhe 13 dhjetor në Venecia. Gjatë ditës së djeshme Marta Kartabia, profesoreshë e së drejtës kushtetuese dhe ish-Ministre e Drejtësisë e Italisë, u zgjodh kryetare e re e Komisionit të Venecias . Sot, janë zgjedhur tre nënkryetarë të Komisionit të Venecias: unë, Erik Holmvik nga Norvegjia dhe Timoti Oti nga Mbretëria e Bashkuar. Jam e lumtur që jam nënkryetarja e parë e Komisionit të Venecias që vjen nga Maqedonia, por edhe nga një vend që nuk është anëtar i BE-së ose nga ndonjë nga vendet që dolën nga ish-Jugosllavia. E shoh zgjedhjen e sotme si njohje të aktivitetit dhe kontributit tim në punën e Komisionit të Venecias deri më tani. Deri më tani, kam marrë pjesë në përgatitjen e 14 opinioneve për vende të ndryshme, të cilat i paraqita në seancat plenare dhe të cilat u miratuan unanimisht. Njëkohësisht, si përfaqësuese e Komisionit të Venecias, mora pjesë në disa misione dhe konferenca. Zgjedhja e sotme është një detyrim për të vazhduar angazhimin tim në promovimin e standardeve evropiane në fushën e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit”, thotë Deskoska, duke shprehur mirënjohje për të gjithë ata që e kanë mbështetur në këtë rrugë. fc/
Foto: Fejsbuku i Renata Deskoskës