• четврток, 10 октомври 2024

Presidenti turk, Erdogan, sot për vizitë në Tiranë, me Ramën do ta inaugurojnë xhaminë e madhe 

Presidenti turk, Erdogan, sot për vizitë në Tiranë, me Ramën do ta inaugurojnë xhaminë e madhe 

 Tiranë, 10 tetor 2024 (MIA) - Presidenti i Republikës së Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, sot do të qëndrojë në Tiranë, i cili është destinacioni i parë i mini turneut të tij ballkanik, në kuadër të së cilës nesër do ta vizitojë Beogradin. 

 Përveç takimit me mikun e tij të madh, kryeministrin Edi Rama, Erdogani do të takohet edhe me presidentin Bajram Begaj. Sipas protokollit seancë do ta mbajë Këshilli për bashkëpunim ndërshtetëror, në të cilën do të nënshkruhen disa marrëveshje, ndërsa pasdite në orën 16:30 së bashku me Ramën do ta inaugurojnë xhaminë e re "Namazgja" (më e njohur si Xhamia e madhe) në qendër të Tiranës. 

 Presidenti turk ka marrë pjesë edhe në ceremoninë e fillimit të ndërtimit në vitin 2015, duke e quajtur atë "simbolin e vetëm të vëllazërisë mes dy kombeve tona".

 Ky objekt fetar tash e disa vite ka përfunduar, por qeveria turke deri tani nuk ka pranuar që ta dorëzojë për shkak të "konflikteve" të përfaqësuesve qeveritare turk me përfaqësues të komunitetit fetar mysliman në Shqipëri, duke fajësuar se një pjesë e imamëve dhe udhëheqësve, përfshirë edhe kryetarin, Bujar Spahiu, janë të lidhur me organizatën "Feto". 

 Kjo shihet edhe nga fakti se në inaugurimin e sotëm, siç njoftuan edhe KMSH-ja, nuk do të marrë pjesë kryetari, por Myftiu i Tiranës, Gazmend Teqja. Imami i Xhamisë së Madhe do të jetë Enes Bastur, imam nga Turqia. 

 Xhamia e Namazgjasë ka një sipërfaqe prej 10.000 metra katrorë dhe ka kapacitet për 5.000 besimtarë, ndërsa së bashku me hapësirat e jashtme, rreth 10.000 besimtarë do të mund të falin namazin. Ndërtimi i xhamisë është financuar nga Kryesia e Çështjeve Fetare të Turqisë (Dijanet) dhe Fondacioni i Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë, dhe kap vlerën e rreth 30 milionë euro.

Xhamia është arkitekturisht e ngjashme me ato në Stamboll,  ka edhe bibliotekat, qendrë kulturore, parkingun, kursin e librit të shenjtë, Kuranit, salla e ekspozitave, mensa dhe salla e konferencave, si dhe Muzeu i Bashkëjetesës. Përveç që në këtë vend mund të mësohet Kurani, mund të mësohet edhe gjuha turke.

Erdogani dhe Rama gjatë një viti kalendarik kanë nga tre deri në katër takime, por shumica e tyre në Ankara. Vizita e fundit e Erdoganit në Shqipëri, ishte në janar të vitit 2022. 

 Për shkak të vizitës së sotme të shefit të shtetit turk, në Tiranë është vendosur një regjim i posaçëm i qarkullimit, ndërsa siguria është shtuar që nga aeroporti. qa/

 

Остани поврзан