Nertil Osmani në krye të Ndërmarrjes së shërbimeve publike "Standard" të Dibrës
- Nertil Osmani është ushtruesi i detyrës së drejtorit të ri të Ndërmarrjes publike të shërbimeve publike "Standard" të Dibrës.
Dibër, 26 nëntor 2025 (MIA) - Nertil Osmani është ushtruesi i detyrës së drejtorit të ri të Ndërmarrjes publike të shërbimeve publike "Standard" të Dibrës.
Siç njoftoi shërbimi për shtyp i komunës, emërimi u zyrtarizua sot me nënshkrimin e vendimit nga ana e kryetarit të Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, i cili ia dorëzoi Osmanit në Kabinetin e kryetarit të komunës.
"Me përgjegjësi të plotë dhe besim në profesionalizmin e tij, sot emërova Nertil Osmanin ushtrues të detyrës së drejtorit të NPK "Standard". Ky emërim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të punës dhe rritjes së efikasitetit të shërbimeve publike që bashkëqytetarët tanë me të drejtë presin", deklaroi Mela.
Ai i uroi shumë suksese në këtë pozicion të ri përgjegjës, me "besimin se përkushtimi dhe angazhimi i tij do të sjellin rezultate të dukshme, të ndershme dhe transparente, në misionin e ri në shërbim të Dibrës".
Osmani (38) është diplomuar në Fakultetin e Administratës Publike, është sipërmarrës dhe humanist i njohur, i cili prej vitesh e ka udhëhequr shoqatën humanitare "Drita".
Ai zëvendëson Burim Kabën, i cili përpara se të merrte këtë pozicion në shkurt të vitit 2021, shërbeu si sekretar i Komunës së Dibrës. mb/
Foto: Komuna e Dibrës