• петок, 21 февруари 2025

Nëse kemi një zgjidhje të mirë, ajo procedurë mund të fillojë menjëherë, thotë Gashi për ndryshimet kushtetuese

Nëse kemi një zgjidhje të mirë, ajo procedurë mund të fillojë menjëherë, thotë Gashi për ndryshimet kushtetuese

 Shkup, 17 shkurt 2025 (MIA) - Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi konsideron se "miqtë tanë nuk do të na vënë në situatë të zgjedhim" dhe thekson se "është shumë strategjike, në interes të shtetit tonë dhe të gjithë qytetarëve, të vazhdojmë të ecim me ato dy këmbë - e ato janë Brukseli dhe Uashingtoni".

I pyetur nëse konsideron se është ende e gjallë ideja e ndryshimeve kushtetuese me efekt të vonuar, Gashi në një intervistë për "360 Gradë" thotë se "të gjitha idetë duhet të jenë në tryezë". 

"Nëse jemi krijues dhe krijojmë më shumë ide, është më mirë për t'u zgjidhur dhe mendoj se duhet të dalim me diçka që është më e mira e mundshme për momentin. Nuk duhet të mbahemi peng i një ideje apo nga vjen ajo ide. Duhet të kemi vullnet që të gjejmë një zgjidhje për mosmarrëveshjen. Mendoj se ky është interesi ynë kryesor. Kushdo që ka një ide të tillë,  ja kërkojmë ndihmë nga miqtë tanë në Bruksel, në vende të rëndësishme dhe unë personalisht kam shtatë apo tetë muaj që zhvilloj diplomacinë parlamentare, e cila në të kaluarën nuk ishte zhvilluar në këtë drejtim. Duke i bindur miqtë tanë që të ndihmojnë në largimin e pengesës së fundit që të fillojmë negociatat", tha Gashi.

 Në pyetjen nëse ka ndjenjë se çështja për ndryshimet kushtetuese tashmë është lënë të zgjidhet pas zgjedhjeve lokale, Gashi përgjigjet negativisht.

"Nuk e kam atë ndjenjë, sepse siç thashë, ne punojmë çdo ditë në atë temë dhe nëse sot kemi një zgjidhje të mirë, ajo procedurë mund të fillojë menjëherë. Mendoj se edhe VMRO-DPMNE-ja  para zgjedhjeve atë e tha në programin e tyre se do t'i qasen ndryshimeve kushtetuese nëse do të kishte parashikueshmëri", tha Gashi. 

 Bullgaria ka një qeveri të re, por nuk mund të presim menjëherë sukses të madh në bisedime, thotë Gashi, duke theksuar se është mirë që komunikimi arrihet përmes dialogut dhe hapjes.

 "Duke e parë këtë problem nga prizmi i interesit të përbashkët të të dy vendeve dhe të dy popujve, maqedonas dhe bullgar, në aspektin e sigurisë rajonale, mendoj se është në interesin tonë të përbashkët t'i qasemi zgjidhjes së këtij konteksti. Gjegjësisht, duhet të hiqet vetoja bullgare për hapjen e negociatave të vendit tonë me BE-në. Mendoj se Bullgaria nuk po humb asgjë, përkundrazi jam i bindur se ata fitojnë, por duhet të presim pak që të ulet tensioni, të zhvillohen diskutime në tryezë me argumente. Le ta kuptojnë kontekstin tonë. Dhe mendoj se nëse SHBA-ja dhe Brukseli ndihmojnë pak , jam i bindur se na duhet edhe pak kohë për ta zgjidhur këtë nyjë", tha Gashi.

 I pyetur për dallimet në mes të administratës së re amerikane dhe Evropës për tema të rëndësishme dhe çështje vlerash që kemi parë ditët e fundit, Gashi tha se "me shkathtëso dhe mençuri në vitet 1990 kemi përcaktuar qartë dhe saktë se cili është qëllimi ynë dhe ku janë synimet tona strategjike dhe se rruga jonë drejt zhvillimit të shtetit dhe angazhimit në marrëdhëniet ndërkombëtare do të zhvillohet përmes Brukselit dhe Uashingtonit".

"Pas këtyre ngjarjeve të reja, mendoj se miqtë tanë nuk do të na vënë në situatë për të zgjedhur. Dhe mendoj se në asnjë rast nuk duhet të zgjedhim njërën apo tjetrën. Mendoj se është shumë strategjike, në interes të shtetit tonë dhe të gjithë qytetarëve, të vazhdojmë të ecim me ato dy këmbë - dhe ato janë Brukseli dhe Uashingtoni”, thotë Gashi. 

 Gashi nuk pret një ndryshim radikal në politikën e jashtme të SHBA-së me presidentin Donald Tramp, duke theksuar se "nuk bëhet fjalë për izolacionizëm, por për një qasje tjetër në zgjidhjen e problemeve".

 "Ne duhet të jemi të zgjuar dhe të mos biem në asnjë kurth për të bërë ndryshimin. Duhet t'u përmbahemi vlerave tona që kemi ndërtuar si shtet dhe si qytetarë me këta dy partnerë kryesorë dhe mendoj se duhet t'u qëndrojmë besnikë atyre vlerave. Nëse dikush devijon nga ato vlera, duhet të vazhdojmë, por nuk e shoh një sfidë të tillë. Mendoj se Brukseli dhe Uashingtoni nuk do të na sfidojnë që të vendosim të vazhdojmë me njërin dhe pa tjetrin", deklaroi Gashi.

 Foto: Arkivi i MIA-s

 

 

Остани поврзан